Librazhd, dhunohen zyrat elektorale, grisen posterat e banderolat e Partisë Demokratike
Për të disatën herë, Partia Socialiste vijon sulmet ndaj zyrave elektorale të Partisë Demokratike në Librazhd, duke grisur posterat dhe banderolat. Gjatë orëve të vona të natës së djeshme, zyra e PD-së, është bërë objekt i një sulmi vandal nga persona të identifikuar si aktivistë të Partisë Socialiste. Strukturat lokale të Partisë Demokratike kanë denoncuar pranë organeve kompetente, dhunën e përsëritur, të ushtruar ndaj zyrës elektorale, si dhe i bëjnë thirrje PS-së të ndalë presionet dhe provokimet. Incidenti në Librazhd vjen pak orë pas atij në sheshin “Gensher” të Elbasanit, ku policia Bashkiake me urdhër të kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini s’lejoi aktivistët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të zhvillonin aktivitetet e tyre elektorale, duke tejkaluar kështu çdo normë ligjore për tubimet dhe aktivitetet elektorale të partive politike. Ndërsa pak ditë më parë, simpatizantë të PS-së në Gramsh u bënë protagonistë të dhunës së ushtruar ndaj aktivistëve të PD, duke demonstruar urrejtje dhe nervozizëm për kundërshtarët politikë.
Qëllimi i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet zhvillimi i një fushatë të qetë dhe qytetare e bazuar mbi ide, alternativa dhe projekte konkrete. Siç duket, Partia Socialiste, në kushtet e mungesës së një platforme të besueshme për tu paraqitur para qytetarëve, i ka mbetur veç të prodhojë incidente me qëllim tensionimin e situatës elektorale.