Pollo: “Punësimi, kryefjalë e fushatës së Partisë Demokratike”
Ministri i Inovacionit, takim me gratë demokrate në Berat
Në vijim të takimeve të tij elektorale, Kryetari i Grupit të Punës për PD-në në qarkun e Beratit, Genc Pollo, së bashku me kandidatet për deputete në këtë qark, Afize Skëndo dhe Nevila Hyska, kanë zhvilluar një takim me gratë demokrate në lagjen “Murat Çelebiu” në Berat. Gjatë fjalës së tij Pollo foli për rolin e rëndësishëm të grave në shoqëri dhe në politikë, duke e vënë theksin tek mbështetja që Partia Demokratike i ka dhënë dhe vazhdon t’u japë grave në përmirësimin e jetës së tyre dhe nëpërmjet përfaqësimit në listat për kandidate në këto zgjedhje. “Nuk kemi të bëjmë thjesht me gjysmën tonë, por me gjysmën tonë më të mirë, me gjysmën tonë më të mirë të partisë, me gjysmën tonë më të mirë të Beratit dhe të gjithë shoqërisë - ka thënë Pollo. - Unë ju falenderoj ju për përkrahjen e listës sonë, që ka në brendësinë e saj edhe zonja të nderuara, për listën tonë që ne besojmë dhe shpresojmë që të jetë ekipi fitues i Beratit në këto zgjedhje, siç kanë listat e PD-së në të gjithë Shqipërinë, sepse në 23 qershor për gratë dhe burrat e këtij vendi ne presim një fitore të Partisë Demokratike”. “Është puna e forcës politike në të cilën gratë aderojnë, - ka vijuar më tej fjalën e tij Ministri Pollo, - që ka shënuar një zhvillim jo të pakët dhe që matet konkretisht me shifra. Matet me shifra për vajzat, që janë afro 49% në arsimin bazë, që janë 52% në arsimin e mesëm dhe 51% në arsimin e lartë. Këto janë shifra të një shoqërie të avancuar, megjithatë janë vetëm një aspekt dhe nuk është një aspekt i plotë, sepse një vajzë, një grua apo një nënë e di fare mirë se ka shumë punë për të bërë; punë për të siguruar të ardhura, për të avancuar në karrierën e vetë, që vështirësohet shumë edhe nga jeta familjare; nga kujdesi për fëmijët që ajo e mbart mbi vete në mënyrë disproporcionale kundrejt babait të fëmijëve; punë dhe halle të tjera që duhet t’i përballojë fort dhe të gjitha këto janë një pengesë”.
Më tej Pollo ka thënë se punësimi është kryefjala e fushatës së Partisë Demokratike jo vetëm për gratë, por edhe për të rinjtë dhe për të gjithë shtresat e shoqërisë në përgjithësi: “Ka qenë një përpjekje e vazhdueshme, sqaruese, ndërgjegjësuese, edhe ekzekutive, e qeverisë për të sjellë gratë në pushtet në mënyrë që të ofrohet një model, një model individual, një model social për të gjithë pjesën femërore të shoqërisë, që të shërbejë edhe si frymëzim, edhe si motivim, edhe si nxitje, në mënyrë që të kemi një përfaqësim që t’i afrohet në të gjitha nivelet 50%. Kemi avancimi në punësim: në 2005 papunësia e grave ka qenë 17.2%, në 2011 ka rënë në 14.3%. Nuk është një rënie vogël po ta dish se, gjithsesi, papunësia është një problem, një shqetësim kryesor; nuk është më kotë kryefjala jonë e kësaj fushate. Punësimi, në përgjithësi, punësimi i rinisë dhe punësimi i femrave, në veçanti” - ka përfunduar Ministri Pollo.