Librazhd, gjendet i vetëvarur në pyll 29-vjeçari
LIBRAZHD-Ka lajmëruar të atin se kishte vrarë këmbën, ndërsa ishte në pyll, por është gjetur i pajetë, i varur në pemë.Një 29-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë, në pyllin afër fshatit ku jetonte. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Zamir Balla, 29-vjeç, i pamartuar, lindur dhe banues në fshatin Orenjë të rrethit të Librazhdit ka telefonuar familjen. Në telefon ai i ka thënë babait se gjendej në pyll dhe se kishte vrarë këmbën. Babai ka zgjuar djalin tjetër që të shkonte ta gjente. Kur vëllai ka arritur në pyll me bindjen se do të ndihmonte të vëllanë të kthehej në shtëpi, ka shtangur kur e ka parë të varur në një pemë. Ka vrapuar i tmerruar ta ndihmojë për ta zbritur poshtë, por 29-vjeçari nuk ka pasur shenja jete. Për ngjarjen është lajmëruar më pas policia, e cila ka nisur hetimet për shkaqet që kanë dërguar të riun drejt vetëvrasjes. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se është bërë ekspertiza e trupit dhe është verifikuar se i riu nuk kishte asnjë shenjë të jashtme dhune. Policia ka sqaruar se telefonata e bërë në drejtim të familjes ka qenë një lajmërim i asaj që do të ndodhte më pas. “Ende shkaqet e vetëvrasjes së 29-vjeçarit nuk janë përcaktuar, për këtë po vijojnë hetimet”,- thanë dje burimet policore. Paraprakisht deklarohet se një prej shkaqeve është gjendja depresive. Nga pyetja e familjarëve është mësuar se i riu do të nisej në Greqi brenda pak ditëve. Sipas familjarëve ai nuk kishte lënë të kuptohej asgjë tjetër si shkak që mund ta shtynte drejt vetëvrasjes. Për ngjarjen është ngritur edhe një grup hetimor për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe shkaqet.