E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, gurore mbi depot e municioneve

Gjashtë tunele me armatim të rëndë në një fshat të Librazhdit rrezikojnë seriozisht qytetin e Elbasanit me rrethina. Vetëm 10 kilometra larg këtij të fundit, në malet e Murrashit, në fshatin Mirakë, 7 kilometra larg qytetit të Librazhdit, që prej afro 40 vjetësh "flenë" mijëra tonelata me municione, lëndë eksplozive dhe armatime të rënda. Më konkretisht, janë gjashtë tunelet e Mirakës, që deri para katër ditësh furnizonin fabrikën e demontimit në fshatin Gërdec të Vorës. Sipas banorëve, për çdo ditë në këtë fshat vinin rreth 15 kamionë, të cilët ngarkoheshin me municione e armatime, për t‘i transportuar drejt Gërdecit. Tunelet në fjalë janë ndërtuar rreth viteve ‘70, rrëzë malit të Murrashit dhe rezultojnë të mbushura plot e përplot me armatime. Secili prej tyre futet deri në 160 metra thellësi të malit. Banorët e fshatit Mirakë, rreth një mijë, prej vitesh kanë bërë peticione e ankesa te çdo instancë qeveritare për rrezikun që u kanoset nga sasitë e mëdha të municioneve. Ky rrezik, sipas tyre, mbetet evident, për faktin se mbi tunele bëhen shpërthime masive me eksploziv, nga një impiant guroreje i hapur prej tre vjetësh. "Sa herë ndodhin shpërthime në gurore tunden shtëpitë e fshatit dhe ne dalim jashtë nga forca tronditëse", pohon Halil Tereziu, banor i fshatit Mirakë. Sipas Jaho Tereziut, banor i po këtij fshati, shumë nga muret dhe tavanet e banesave të fshatit kanë marrë plasaritje nga tronditjet e lëndëve shpërthyese në gurore. Sipas punonjësve të gurores, që ndodhet rreth 100 metra mbi tunele, thonë se përderisa nga shpërthimet tronditen shtëpitë, natyrisht jashtë kësaj vale nuk mbesin edhe të gjashtë tunelet me armatim. Ndoshta, për shkak të eksplozivit që përdoret në gurore rreziku mbetet serioz për shpërthimin e armatimeve dhe municioneve dhe, sipas specialistëve, edhe pse predhat mund të godasin faqen e malit, forca shpërthyese e nëndheshme është më e fortë se një tërmet prej 7 ballësh. "Ne kemi kërkuar që të zbrazen tunelet gradualisht, të boshatisen 7 depo të tjera me armatime të lehta që janë në sipërfaqe të tokës, por rreziku më i madh vjen nga gurorja, e cila nuk dihet se me çfarë leje dhe kushtesh teknike punon", ka pohuar kryetari i fshatit Mirakë, Shefqet Hasani. Aktualisht, depot mbi tokë ruhen me roje private, ndërsa gjashtë tunelet me forca ushtarake. Në këtë fshat, të paktën dy persona janë vrarë te depot afër grykës së tunelit hekurudhor në Murrash, nga plasja e municioneve brenda depove. Ngjarja tragjike e Gërdecit, ndoshta duhet të jetë një mësim i mirë për masat e sigurisë teknike edhe për mijërat e tonelatave të armatimeve në afërsi të Librazhdit, rreziku prej të cilave u rri mbi kokë qyteteve Librazhd, Elbasan dhe fshatrave rreth tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›