"Një ushtarak humbi jetën, shteti fsheh kufomën e tij"
Shpërthimi në fshatin Gërdec, në periferi të Tiranës, i ka marrë jetën një punonjësi të Repartit të Xhenios. Ilirian Marqi, sipas familjarëve, me detyrë manovrator në repartin 4501 të Batalionit Xhenio, ka humbur jetën në krye të detyrës, ndërsa shteti ende nuk e ka publikuar emrin e tij si të humbur. Ded Marqi, djali i xhaxhait të të humburit, deklaron për gazetën "Shqip" se 10 minuta pas shpërthimit të parë ka kontaktuar me Ilirianin, i cili ishte në mes të gërmadhave dhe kërkonte ndihmë. "Sapo ndodhi shpërthimi i parë, kontaktova me Ilirianin, i cili më tha se automjeti i tij ishte zënë nga disa gurë dhe nuk lëvizte dot. Në fillim kërkonte ndihmë dhe e kërkonte me të madhe", deklaron Dod Marqi. Më pas thotë se ka kontaktuar me zyrtarët e ushtrisë për t‘i ardhur në ndihmë, por gjithçka ka qenë e kotë. "I telefonova sërish, por telefoni dilte i fikur. Duhet të ketë qenë shpërthimi i dytë që Iliriani ka humbur jetën", thotë Deda. Pas ngjarjes, familjarë të tij kanë shkuar në fshatin Gërdec, me shpresë se kufoma e tij do të gjendet, por deri në orët e vona të pasdites së djeshme ende asnjë gjurmë. Megjithëse kanë humbur shpresat se Ilirian Marqi mund t‘i ketë mbijetuar tragjedisë, familjarët e tij shprehen të indinjuar për mënyrën si është trajtuar ky rast nga zyrtarët e ushtrisë. Ded Marqi deklaron se pas ngjarjes kanë kontaktuar me shtabin e emergjencës, por emri i Ilirianit nuk u arrit të futej në listën e të zhdukurve. "Kemi bërë denoncim në policinë ushtarake dhe më pas u arrit që të futej emrin në listën e të humburve. Por vëmë re se ky person, punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, dërgohet me mjetin e ushtrisë, bie në krye të detyrës dhe mbahet i pashënuar nga të gjitha instancat përkatëse. Ne jemi të revoltuar", shprehet Ded Marqi. Sipas tij, Iliriani kishte filluar punë rreth 10-ditëshit të parë të muajit shkurt. "Ai është dërguar nga Reparti i Xhenios Tiranë për të zëvendësuar manovratorin e mëparshëm dhe ka rënë në krye të detyrës. Ka qenë manovrator i suksesshëm. Ka punuar në të gjitha veprat e ushtrisë, si në rrugën e Llogarasë, në Berat, në rrugën Rrëshen-Milot, në Tropojë, kohët e fundit përsëri në Berat. Pas Beratit e kanë dërguar në këtë fabrikë private, megjithëse ishte punonjës i shtetit", thota Deda, i cili i bën apel shtabit të emergjencave, që rasti i familjarit të tij të trajtohet siç e parashikon ligji për të rënët në krye të detyrës, pasi Iliriani ka lënë jetim një djalë dhe një vajzë.