Mbrojtja nxjerr dy kontratat me kompaninë amerikane të çmontimit të municioneve
Ministria e Mbrojtjes tregon dy kontratat e nënshkruara me kompaninë amerikane "Southern Ammunition Company Inc." për çmontimin dhe demilitarizimin e municioneve në ish-repartin ushtarak të Gërdecit në Vorë. Kontrata e dytë, që mban datën 28.12.2007, është edhe ajo më e debatuara. Kjo, pasi përfaqësuesit e kompanisë amerikane shprehen se e kanë përfunduar kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes që në dhjetor të vitit 2007. Këto deklarata janë bërë publike sërish pas kontaktimit të tyre me gazetarët e VOA-s. Ndërsa kontrata e parë e nënshkruar mes kompanisë shtetërore MEICO dhe asaj amerikane, përkatësisht nga Ylli Pinari dhe Patric C. Henry III mban datën 06.06.2007 dhe afati i përfundimit të punimeve nuk do të zgjaste më shumë se sa tetë muaj. Megjithatë, në të dyja kontratat që janë në gjuhën angleze, përveçse një gjuhe plot me shtrembërime vihet re se ka edhe shumë shkelje. Kushtet e sigurisë teknike për çmontimin dhe demilitarizimin e municioneve të përcaktuara në të dyja kontratat, duket se qëndrojnë shumë larg realitetit apo të paktën duke iu referuar pohimeve të punëtorëve të fabrikës. Në kontratë përcaktohet qartë se "çmontimi dhe shkatërrimi i municioneve do të bëhet në siguri shumë të lartë, në përputhje me specifikimet e sigurisë teknike të këtij procesi". Por pamjet filmike të xhiruara pak ditë më parë në këtë "fabrikë", kur predhat e artilerisë shkarkoheshin nga kamionët sikur të ishin gurë, provojnë katërcipërisht shkeljen e kontratës së nënshkruar mes kompanisë amerikane dhe asaj shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes MEICO. Të njëjtat shkelje vlejnë edhe për të nënkontraktuarën e amerikanëve, kompaninë shqiptare ALBADEMIL. Gjithashtu, në kontratën e parë specifikohet lloji i municionit që kompania amerikane do të përpunonte. Ato ishin 120 milionë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Ndërkohë që në kontratën e dytë ato janë municione të artilerisë së rëndë, gjë që nuk përkon me specialitetin e kësaj kompanie, të paktën ashtu sikundër drejtuesit e saj e kanë paraqitur veten në sitin e tyre në internet. Shkelje vihet re edhe në një tjetër pikë të kontratës, ku thuhet se: "Dërgesa e mallrave për te Blerësi do të jetë e përditshme, në funksion të realizimit të kapaciteteve të çmontimit dhe demilitarizimit të të gjitha municioneve". Por, sasia e shpërthyer e municioneve dhe dëshmitë e punëtorëve tregojnë se në këtë fabrikë nuk ka pasur ngarkesa ditore, por municione të magazinuara për t‘u çmontuar për muaj të tërë.
Tejet të çuditshme tingëllojnë edhe kushtet e përcaktuara në kontratë, që lidhen me ato që "specialistët" e të dyja palëve i kanë quajtur Forca Madhore. Asnjëra nga palët, përfshi edhe blerësin, pra kompaninë amerikane, nuk do të mbajë përgjegjësi për zbatimin e pjesshëm apo të plotë të kontratës, në rast të këtyre forcave madhore, si zjarri, përmbytja, tërmeti ose ndonjë ngjarje tjetër si këto që janë të jashtëzakonshme, të paevitueshme ose të paparashikuara. Rrjedhimisht, një specifikim i tillë në kontratë duket se e bën krejt jo përgjegjëse kompaninë amerikane përballë katastrofës humane që shkaktoi rënia e zjarrit në "fabrikën e saj supermoderne" të çmontimit të municioneve shqiptare. Dhe ca më keq, sipas kontratës së nënshkruar nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe pikërisht Ministrisë së Mbrojtjes, pas përfundimit të rrethanave të Forcave Madhore palët do të bien dakord për vazhdimin e mëtejshëm ose prishjen e kontratës obligatore. Të shohim se çfarë do të bëjë Ministria e Mbrojtjes, ndoshta mund ta shohë të arsyeshme sikundër edhe tani, të zgjasë më tej kontratën me këtë kompani amerikane. A. Rr.
Skeda
Çfarë është MEICO?
MEICO (Military Export Import Company) është ndërmarrje shtetërore në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ndërmarrje është krijuar në vitin 1991, me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 366, datë 05.10.1991 "Për krijimin e Ndërmarrjes së Import-Eksportit në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes" dhe që nga ky vit ushtron veprimtarinë dhe aktivitetin e saj për plotësimin e nevojave të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të institucioneve të tjera me mallra importi specifike të karakterit ushtarak, si dhe eksportet e mallrave ushtarake të reja dhe stoqeve të Ushtrisë Shqiptare, si dhe të prodhimeve të industrisë ushtarake. Ndërmarrjes MEICO i janë vënë në dispozicion për shitje kontingjente të ndryshme armësh trofe, stoqe të reja, pushkë automatike, mitralozë të lehtë e të rëndë, mortaja, mitralozë kundërajrorë, topa etj. MEICO ofron edhe armë të lehta dhe pjesë këmbimi të prodhimit të ri të industrisë shqiptare.