E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orët në qeli të Mihal Delijorgjit

Tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit, prokuroria ka lëshuar katër urdhra ndalimi për përgjegjësit e saj. Presidenti i firmës ALBADEMIL, Mihal Delijorgji, drejtori i kësaj firme, Dritan Minxholi, drejtori i përgjithshëm i MEICO, Ylli Pinari dhe shefi i ruajtjes dhe sigurisë fizike të fabrikës, Agim Vranja, janë personat e prangosur me urdhër të prokurorisë, vendim i cili është marrë pas një seance të gjatë pyetjesh nga grupi hetimor. Të katër këta persona janë prangosur pasditen e djeshme, ndërkohë që organet përkatëse kanë hezituar për të konfirmuar zyrtarisht këto ndalime.

Sipas burimeve të besueshme në prokurori dhe në polici, hetimi për këtë tragjedi të rëndë ka nisur menjëherë pas formimit të grupit hetimor, ditën e shpërthimit masiv të municioneve. Fillimisht, grupi hetimor ka mbledhur gjithë dëshmitë e mundshme nga punëtorët e mbijetuar të fabrikës në Gërdec të Vorës. Këta punëtorë kanë treguar për grupin hetimor se nuk kishin kaluar asnjë trajnim apo kualifikim për të punuar në ato ambiente, veçse kishin aplikuar për punë. Gjithashtu, nga dëshmitë ka rezultuar se në fabrikë punonin edhe të mitur, pa kushte sigurie e mangësi të tjera. Në këto kushte, grupi hetimor i formuar me këtë rast dhe që drejtohet nga kryeprokurori i Tiranës, ka kërkuar sekuestrimin e gjithë dokumentacionit të firmës MEICO dhe ALBADEMIL, të cilat janë kontraktueset për çaktivizimin e municioneve. Edhe nga dokumentacionet, grupi hetimor ka zbuluar disa pika, për të cilat dyshohet se janë kryer parregullsi. Ndërkohë, pas mbledhjes së gjithë këtyre materialeve, hetuesit kanë pritur mbylljen e kësaj tragjedie për të vijuar më tej. Kështu, pasi organet përkatëse të grupit të emergjencës kanë deklaruar se vatra e zjarrit nuk përbënte më rrezik për banorët e zonës, është vendosur që drejtuesit e dy firmave të merren në pyetje në lidhje me shpjegimet e tyre mbi këtë ngjarje, e cila solli të paktën 18 viktima dhe qindra shtëpi të dëmtuara. Ditën e djeshme, grupi hetimor i ka thirrur katër personat e lartpërmendur, duke i dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët janë marrë në pyetje për disa orë. Të katër personat e ndaluar janë mbrojtur me tezën se çdo veprim që ka çuar në tragjedi ka qenë gabim njerëzor, pasi, sipas tyre, ata kishin zbatuar të gjitha rregullat teknike.

Por, kjo nuk e ka zbutur qëndrimin e prokurorisë, e cila ka vendosur ndalimin e katër personave. Burimet e besueshme të prokurorisë thanë se Mihal Delijorgji, president i firmës ALBADEMIL, është ndaluar nën akuzën shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse. E njëjta akuzë është ngritur edhe për Ylli Pinarin, drejtori i përgjithshëm i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholin, drejtor i firmës ALBADEMIL. Ndërsa për shefin e ruajtjes dhe sigurisë fizike rëndon akuza e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Sipas nenit 282 të Kodit Penal, shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja apo dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet. Ndërsa në nenin 289 të Kodit Penal deklarohet se shkaktimi i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim jo më pak se pesë vjet. Megjithatë, çdo veprim pritet të konfirmohet sot, ndërkohë që të ndaluarit do të dërgohen për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës.

Biznesmeni

Kush është Mihal Delijorgji?

Mihal Delijorgji është një nga biznesmenët më të mëdhenj të hekurit në Shqipëri dhe nuk i ka për herë të parë prangat. Pak vite më parë, pikërisht në prill të vitit 2004, ai u arrestua gjatë kohës që ishte president i sport-klub Dinamos me urdhër të Prokurorisë së Durrësit për shmangie të detyrimeve doganore, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Në atë kohë, ai ishte president i firmës "Përparimi" dhe u akuzua se u është shmangur detyrimeve për importimin e hekurit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milionë dollarësh. 41-vjeçari është babai i dy fëmijëve, vajzë e djalë. Ai është nga Dropulli i Gjirokastrës, në fillimet e veta emigroi në Greqi për një vit e gjysmë. Më pas ndërtoi fabrikën e tij moderne në Shkozet të Durrësit, për prodhim të zgarave, rrjetave metalike, llamarinave etj.

Të ndaluarit

Mihal Delijorgji, presidenti i firmës ALBADEMIL

Ylli Pinari, drejtori i përgjithshëm i kompanisë MEICO

Dritan Minxholi, drejtor i kompanisë ALBADEMIL

Agim Vranja, shef i ruajtjes dhe sigurisë fizike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›