Prokuroria, 56 orë hetime për përgjegjësit e "Hiroshimës"
Në harkun kohor të 56 orëve, Prokuroria Shqiptare ka gjetur "përgjegjësit" e shpërthimit në fshatin Gërdec, i cili u mori jetën të paktën 15 personave. Grupi hetimor, i kryesuar nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi dhe Genci Qano, kanë marrë në pyetje pasditen e djeshme katër drejtuesit e firmave nënkontraktore që po punonin në fabrikë, ndërsa rreth orës 19:30 u kanë komunikuar urdhrat e ndalimit. Ata janë: administratori i kompanisë ALBADEMIL, Mihal Delijorgji, kunati i tij, Dritan Minxholi, me detyrë drejtor ekzekutiv i kompanisë ALBADEMIL, drejtori i firmës MEICO, Ylli Pinari dhe shefi i ruajtjes dhe sigurisë fizike të fabrikës, Agim Vranja. Sipas prokurorisë, të ndaluarit dyshohen se nuk i kanë zbatuar rregullat për administrimin dhe ruajtjen e lëndëve plasëse nga të gjitha subjektet që janë aktore të këtij procesi.
"Ngjarja aksidentale"
Për më shumë se gjashtë orë, katër "përgjegjësit" janë marrë në pyetje nga grupi hetimor. Burime nga organi i akuzës thanë se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale, pasi në momentin e shpërthimit punëtorët ishin në pushimin e drekës. Drejtuesit e firmave e mohuan kategorisht para hetuesve, që punëtorët të cilët punonin në "fabrikën e vdekjes" të ishin të patrajnuar. Ata kanë hedhur poshtë deklaratat e të mbijetuarve, sipas të cilëve, në fabrikë lejoheshin edhe fëmijë për të punuar me transportin e arkave e barutit të gëzhojave. Burimet thanë se të ndaluarit i kanë servirur të gjitha provat, si lista e plotë. Sipas drejtuesve të firmave nënkontraktore, të gjithë punëtorët kanë qenë të siguruar e të trajnuar për disa javë. Por në procesverbalet e prokurorëve janë shënuar dhjetëra dëshmi të të mbijetuarve, të cilët deklaronin se në firmë kanë punuar edhe persona të patrajnuar, si edhe fëmijë. Gjithsesi, hetuesit e çështjes thanë se dëshmitë e drejtuesve të firmave janë ballafaquar me dëshmitë e punëtorëve. Burime nga prokuroria thanë se në pyetje është marrë drejtori i firmës ALBADEMIL, Mihal Delijorgji, ish-presidenti i klubit sportiv Dinamo. Mësohet se ai ka vënë në dispozicion të grupit hetimor të gjitha dokumentacionet dhe kontratën me firmën amerikane. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar edhe detaje të shpërthimit, sipas të cilit, në atë moment ndodheshin në repart jo më shumë se 80 persona. Delijorgji ka saktësuar se punëtorët ishin pushim, pasi po hanin drekën. Njëri prej tyre ka parë një zjarr disa metra larg dhe më pas ka dëgjuar disa shpërthime të vogla. Më pas punëtorët janë larguar me vrap dhe në ikje e sipër ndodhi edhe shpërthimi i madh. Sipas hetuesve, Delijorgji nuk e ka saktësuar shkakun e shpërthimit, ndërsa ka hedhur dyshimet e vetëndezjes së barutit. Gjithsesi, grupi hetimor, pasi dëgjoi shpjegimet e tij, vendosi ndalimin e drejtuesit të firmës ALBADEMIL se nuk ka siguruar ruajtjen e armatimeve dhe ruajtjen fizike të objektit.
Dokumentet e ministrisë
Krahas hetimeve për drejtuesit e firmave që janë nënkontraktim, Prokuroria e Tiranës ka përqendruar hetimet edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku janë marrë në pyetje disa zyrtarë të lartë të ushtrisë. Deri pasditen e djeshme, hetuesit e çështjes thanë se janë mbledhur dokumentacione të kontratave, regjistra për demontimin, trajnimet dhe pagesat në bordero. Por, një pjesë e dokumenteve që zotëronin firmat me Ministrinë e Mbrojtjes dyshohet se janë djegur gjatë shpërthimit. Një tjetër fazë e hetimeve do të përqendrohet te nëpunësit e ministrisë që kanë lidhur kontratat me firmat private, por deri dje pasdite grupi hetimor nuk e përcaktoi nëse ka ndonjë të ndaluar. 24 orët e fundit grupi hetimor ka mbledhur dhjetëra prova, ndërsa po verifikon edhe përgjegjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, ku dyshohet implikimi i njërit prej tyre. Burimet saktësuan se bëhet fjalë për drejtorin juridik të ministrisë, por ende nuk përcaktohet implikimi i tij në tragjedi. Akuza për të cilën dyshohet është "shpërdorim detyre". Hetuesit e çështjes po verifikojnë të ndaluarit që kanë thyer rregullat e ruajtjes së armatimeve apo të një veprimi kriminal të kryer me dashje.