Municionet në magazina ushqimesh, Komuna Lozhan kërkon ndërhyrje
Të paktën 600 tonë municione janë nisur dy javë më parë në drejtim të kryeqytetit nga depot e Lozhanit në Korçë. Kjo bëhet e ditur nga ana e kryetarit të komunës, sipas të cilit në depot e ish-rezervave të shtetit, që u vunë në dispozicion të ushtrisë, ka ende një sasi të madhe lëndësh plasëse, si dhe predha të artilerisë së rëndë, që janë sjellë nga repartet e ndryshme të zonës. Bujar Selianji deklaron se vetëm dy javë më parë, me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes, nga depot u hoqën 600 tonë municione, kryesisht predha, të cilat u transportuan në drejtim të kryeqytetit. Pas tragjedisë së Gërdecit, banorët e zonës janë të frikësuar dhe kryetari i komunës ka kërkuar nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes që të hiqen sa më parë nga ish-depot e rezervave të shtetit në Lozhan. Kreu i komunës thotë se gjendja e depove është e keqe dhe municionet që më parë kanë qenë në tunele dhe në reparte ushtarake u grumbulluan aty pas vitit 1997. Sipas Selianjit, këto depo konsiderohen si vatra të nxehta dhe të rrezikshme për jetën e banorëve, për sa kohë që janë në një distancë shumë të afërt nga zonat e banuara. Ai tregon se ka dërguar një shkresë drejt Ministrisë së Mbrojtjes për ta vënë në dijeni për rrezikun që vjen prej municioneve. Edhe komandanti i mbështetjes rajonale ushtarake, Gëzim Meço, konfirmon se në këtë fshat janë grumbulluar municione, por nuk sqaron nëse depot i plotësojnë kushtet për ruajtjen e këtyre materialeve të rrezikshme.