"Mjaft!": Ndjekje penale për Mediun, Berisha të dorëhiqet
"Ministri i Mbrojtjes duhet të ndiqet menjëherë penalisht si fajtori kryesor i kësaj tragjedie dhe Kryeministri Sali Berisha duhet të japë menjëherë dorëheqjen, për sa kohë, si kreu i qeverisë, është personalisht përgjegjës për keqqeverisjen që shkaktoi këtë katastrofë njerëzore. Në rast se kjo qeveri nuk merr përgjegjësi dhe institucionet përkatëse nuk veprojnë në bazë të ligjit dhe moralit njerëzor, lëvizja ‘Mjaft!‘ do të organizojë qytetarët në protesta, deri në dorëheqjen e Kryeministrit dhe ndjekjen penale të ministrit të Mbrojtjes". Ka qenë kjo deklarata e djeshme e lëvizjes "Mjaft!", pas bërjes publike të shumë fakteve që tregojnë për shkeljet teknike të sigurisë në fabrikën e Gërdecit, që shkaktuan edhe këtë tragjedi. "Jemi të tronditur edhe nga deklaratat justifikuese dhe të turpshme të Kryeministrit e zyrtarëve të tjerë të qeverisë, që e kanë klasifikuar ndodhinë si aksident dhe në vend që të mbajnë përgjegjësi publike, janë shndërruar në zëdhënës të mortit të radhës", shprehen përfaqësuesit e lëvizjes "Mjaft!".
Ata kujtojnë se "kjo qeveri, përmes vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 138, datë 14.3.2007, ka sanksionuar se ‘Procesi i çmilitarizimit e çmontimit duhet të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura...‘, por që kjo pikë është shkelur plotësisht"
Ata theksojnë se "kompania shqiptare e tregtimit të skrapit ka punësuar banorë me mëditje, gra e fëmijë për bukën e gojës dhe se armët janë grumbulluar në një fshat dendësisht të banuar, që tani është kthyer në një varrezë masive, me burra, gra dhe fëmijë"