Kërkohej si e zhdukur, shfrytëzohej si prostitutë
Merr fund trafikimi i një vajze të re nga Vlora, e cila kishte rënë pre e mashtrimit të një djali që dashuronte dhe për disa muaj është përdorur si prostitutë në Greqi. Ajo është riatdhesuar pak ditë më parë, ndërkohë që ditën e djeshme, është kthyer edhe tutori i saj, i cili është arrestuar nga policia. Familja kishte denoncuar për zhdukjen e vajzës, por policia nuk kishte rënë në gjurmët e saj, derisa u riatdhesua nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Kakavijë. Tashmë ngjarja e rëndë është zbuluar nga forcat e policisë, të cilat kanë mundur të prangosin personin që e realizoi gjithë këtë kurth për vajzën 25-vjeçare me inicialet B. M. nga Vlora. Burimet policore tregojnë se i ndaluari është 34-vjeçari Admir Plaku, lindur dhe banues në fshatin Tapi të Kuçovës, i divorcuar më parë. Ndalimi i tij u bë për arsye se pasi e ka kaluar nga mali në mënyrë të paligjshme për në Greqi, Plaku ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës 25-vjeçare, me qëllim që kjo të pranonte të prostituonte dhe që prej muajit shtator të vitit 2009 e deri në muajin janar të vitit 2010, ajo është shfrytëzuar në një ishull grek. Ndërkaq, të hollat që ajo fitoi gjatë 4 muajve, ia mori personi i lartpërmendur. Por në janar 2010, vajza më në fund ka mundur të largohet nga tutori dhe u strehua te një qytetar grek për disa ditë dhe më pas është deportuar në Shqipëri, ku ka bërë denoncimin. Ndërsa Admir Plaku, pasi ka mësuar se vajza ishte larguar, është kthyer në Shqipëri për ta gjetur përsëri. Por është prangosur nga forcat e policisë, ndërsa strehohej në fshatin Tapi te një i afërm i tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “trafikim të femrave me qëllim prostitucionin”.
#