E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm për nivelin e Liqenit të Ohrit

Rreziku Kuota ka kaluar 11 centimetra nga pika kritike

Niveli i Liqenit të Ohrit ka tejkaluar kuotën maksimale. Matjet e fundit, tregojnë se niveli i ujit është 11 cm mbi kuotën maksimale. Ndërkaq, situata paraqitet shqetësuese për shkak të reshjeve të pandërprera të ditëve të fundit, që ka shtyrë ekspertët dhe kompetentët që në vazhdimësi të përcjellin gjendjen me nivelin e ujit, për t’iu shmangur dhe për të evituar përmbytjet e mundshme në Strugë dhe Ohër. Megjithatë, Drejtoria Hidrometeorologjike, ka sqaruar se nuk ka vend për panik, sepse situata po mbahet nën kontroll të vazhdueshëm. Ndërkaq, autoritetet lokale pohojnë se janë vazhdimisht në kontakte me institucionet përkatëse lidhur me nivelin e ujit në Liqenin e Ohrit. Nga Drejtoria për Menaxhimin e Krizave bëjnë të ditur se nuk ka derdhje dhe shkarkime të pakontrolluara nga Liqeni i Ohrit. Ndërkaq, portat e shkarkimit në lumin Drini i Zi e kontrollon dhe e menaxhon “Elektro Makedonija” (ELEM), respektivisht hidrocentrali Glloboçica. Ekspertët pohojnë se nuk ka vend për panik dhe alarm për shkak se vetë qytetet Strugë e Ohër dhe vendbanimet e tyre, janë së paku një metër mbi nivelin maksimal të Liqenit të Ohrit. Ndërkaq, mësohet se portat e shkarkimit në Liqenit të Ohrit në lumin Drin, janë të hapura për të ndihmuar shkarkimin dhe uljen e nivelit të ujit në Liqenin e Ohrit, ose së paku për të mbajtur situatën e tanishme, sipas marrëveshjes bilaterale ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›