Plagos me thikë dy persona, i aksidentuan me makinë motrën
Dy persona janë plagosur rëndë me thikë nga vëllai i një vajze, të cilën sapo e kishin përplasur me makinë. Ngjarja ka ndodhur te “Zogu i Zi” në Tiranë dy net më parë, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin e plagosjes. Sipas të dhënave policore, nga specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit u realizua arrestimi i Krenar Zef Palit, 21 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë, sepse dyshohet se rreth orës 21.15 të së martës, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, ka goditur me thikë 30-vjeçarin Oltion Kola, si edhe turkun Umit Akaj Biçen, 39 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Motivi kryesor i kësaj ngjarje dyshohet të jetë përplasja me automjet e motrës së autorit, nga shtetasi turk Umut Akaybicen, ndaj të cilit ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë dhe që bashkë me të ndodheshin edhe dy të plagosurit. Sipas policisë, Akaybicen, duke drejtuar automjetin “Volsvagen Sharon”, me targa TR 1054 R, me drejtim lëvizje Rruga e Durrësit, në afërsi të sheshit “Rilindja” ka aksidentuar këmbësoren Denisa Zef Pali, 24 vjeçe, e cila është e motra e autorit të dyshuar të plagosjes dhe aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
#