"Studentët", trafik klandestinësh nga Shqipëria
Nga 157 persona që udhëtonin me viza studentësh, 70 prej tyre ishin kontigjent për t'u kontrabanduar
Antitrafiku dhe Antikrimi Ekonomik nisin hetimin për zbardhjen e organizimit të "Guidës së Mesdheut", për veprat e falsifikimit e trafikimit të klandestinëve
TIRANE- Trafik klandestinësh nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, me logon e universiteteve pivate në vend. Ky është konfirmimi që vjen nga burime të Policisë së Shtetit, në lidhje me kthimin në Durrës të personave të bllokuar nga autoritetet portuale dhe kufitare italiane në portin e Triestes disa ditë më parë.
Sipas tyre, në portin e Durrësit dje mbërriti trageti me 157 personat në bord që duhej të udhëtonin në drejtim të disa prej vendeve të Mesdheut, në një guidë të organizuar nga një rrjet i universiteteve private të Tiranës.
Dje të gjithë personat që u riatdhesuan nga Trieste në drejtim të Durrësit, janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Kufitare të Durrësit, ku edhe janë marrë në pyetje fillimisht nga oficerët e Kufirit.
Pas tyre ata janë marrë në pyetje nga hetuesit e Antikrimit Ekonomik dhe të Zyrës së Antitrafiqeve në Policinë e Shtetit, Një pjesë e tyre janë pyetur në Drejtorinë e policisë së Durrësit, ndërsa më pas marrja në pyetje ka vijuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, duke pyetur një nga një secilin prej tyre mbi mënyrën e "rekrutimit", pagesës së kryer për organizatorët si dhe "agjencinë turistike", që kishte marrë përsipër marrjen e vizave, prerjen e biletave të tragetit dhe udhëtimin nga Shqipëria në drejtim të Italisë, apo vendeve të tjera të Mesdheut, dhe mënyrën se si ata janë pajisur me karta studentësh.
Nga verifikimi dhe nga marrja në pyetje e 157 personave të pajisur me viza nga ana e ambasadës Hungareze, vetëm 87 prej tyre rezultonin se ishin në të vërtetë studentë. Ndërkaq, pjesa tjetër prej 70 personash, sipas burimeve të policies, ishin të gjithë kontigjent për trafik klandestinësh nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera të BE-së.
Burime të Policisë së Shtetit, kanë pohuar se deri më tani, veprat penale të konsumuara nga organizatorët janë ato të falsifikimit të dokumenteve, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit si dhe organizimin dhe kontrabandimin e njerëzve nga Shqipëria në destinacione të vendeve të tjera.
Deri dje në mbrëmje, burimet e grupit të hetimit pohuan se kishin proceduar penalisht administratorin e një shoqërie turistike, të dyshuar si organizator i kësaj guide me fasadë turistike por që në të vërtetë kishte qëllim të udhëtimit të tij, trafikimin më tepër se 70 personave. Tashmë, pritet që hetuesit të zbardhin edhe persona të tjerë të dyshuar të këtij rrjeti të trafikut të klandestinëve nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së.
Në orën 11:15, trageti "Venezzia", me 157 personat e riatdhesuar u ankorua në portin e Durrësit
Djer mori fund aventura 5 ditore e studentëve
Ka përfunduar dje në mesditë aventura pesë ditore e 157 personave, gjysma e të cilëve ishin studentë shqiptarë të pajisur me viza nga ambasada hungareze në Tiranë, për një udhëtim në Hungari, por që rezultonte të kishte edhe një itinerar tjetër, atë të një udhëtimi në disa prej vendeve që lagin brigjet e Mesdheut, që nga Italia, Franca e Spanja.
Gjysma tjetër, sipas verifikimit të kryer nga policia kufitare e portit të Durrësit, rezultoi të ishin kontigjent për kalimin klandestin të kufijve në drejtim të vendeve të BE-së. Dje në mesditë trageti "Venecia" ka mbërritur në portin e Durrësit, ndërsa me vete kishte të 157 personat që për disa ditë qëndruan në portin verior të Italisë në Trieste, në pritje të udhëtimit të tyre në drejtim të destinacionit të parashikuar.
Në oret e drekës kur pritej edhe rikthimi nga guida e dështuar e studentëve në disa vënde të Komunitetit Europian me tragetin e linjës " Venecia", terminali i trageteve u kthye në një situatë shtet- rrethimi të plotë, për të mos lejuar asnjë prej përfaqësuesve të mediave, të interesoheshin për ngjarjen. Zona ku pritej të ankorohej trageti ishte blinduar me efektivë policie, për të mos lejuar depërtimin e asnjë prej përfaqësuesve të mediave të kontaktonin me personat.
Rreth ores 11:15 minuta, trageti ka lidhur cimat në bankinën e terminalit të pasagjerëve të Durresit dhe larg kamerave te mediave ka filluar edhe zbarkimi i tyre. Por edhe në atdhe ata i ka ndjekur i njëjti fat si në toke të huaj pasi për dy orë ata janë marre në pyetje nga policia mbi aventuren e tyre të pafat.
Fillimisht është thënë se perpunimi i të dhënave të tyre pasi të shkelnin në Durres do të bëhej në traget. Pas 2 orësh, autobuzat me studentë kanë dalë nga territori i portit nën shoqërimin e policisë në drejtime të ndryshme.
Pasi dy prej autobuzeve janë shoqëruar drejt Tiranës, ndërsa tjetri me 30 studentë brenda është shoqëruar në Policinë Kufitare të Portit, për tu marrë më hollësisht në pyetje. Gjithcka është shoqëruar me nota nervozizmi tek studentët, të cilët të fyer dhe të indinjuar nuk kanë preferuar që të japin sqarime mbi atë cfarë iu ka ndodhur.
30 studentët e ndaluar nga Policia Kufitare për verifikim më të hollësishëm të informacionit janë mbajtur për orë të tëra në pyetje, duke u marrë deklarata mbi atë çfarë ka ndodhur.
Ndërkohë nga ana e efektivave të policisë është kryer verifikimi i plotë i dokumentacionit pasi ka pasur dyshime që një pjesë e tyre mund të jetë falsifikuar, duke hedhur dyshime mbi një rrjet klandestinësh që është perpjekur që të shfrytëzojë guiden turistike të studentëve. Studentët kanë treguar dhe kanë reaguar me shenja nervozizmi mbi situatat e papëlqyera që kanë kaluar në portin italian të Triestes.
Ka pasur edhe të dhena se në traget gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe rrahje apo përplasje mes grupeve të studentëve, për motive të ndryshme. Gjithsesi një fakt i tillë mbetet i pakonfirmuar, duke qenë se asnjë prej personave që udhëtonin në traget, nuk janë lënë të lirë, por se janë shoqëruar në ambientet e policisë ku janë pyetur.
Studentët, të revoltuar për mashtrimin
Aventura 5- ditore për studentët ka qenë mjaft e vështirë, pasi atyre iu është dashur të blejnë gjithçka për të ngrënë me paratë e tyre, Sipas disa studentëve, ata nuk janë trajtuar mirë duke pësuar një stres të vërtetë psikologjik për kohën që kanë qëndruar të bllokuar në traget.
Kjo situatë ka vazhduar gjatë gjithë kohës së qëndrimit. Ata pasi zbritën kanë deklaruar se kërkojnë që të merren masa nga ana e strukturave përkatëse për penalizimin e agjencisë turistike e cila ka mashtruar studentët, me tone të ashpra ka folur edhe një emigrant shqiptar që jetonte tashme në shtetin e Austrisë.
Ai tha se se ky qëndrim i ambasadave të huaja është persekutim i emrit të Shqipërisë në botë.Studentët i kishin autobuzët në dispozicion. 2 ditet e fundit, sipas tij, ata kanë marrë ushqim gratis nga trageti me një meny që përbëhej nga makaronat dhe grosha.
Një student i vitit të II-të ekonomi tha se është tentuar që nga ana e policisë italiane t'iu jepej edhe espulso.
Atje i ka rrethuar karabineria sikur të ishin refugjate dhe jo studentë universiteti. E kemi dhenë të rregullt në ambasadë vizën dhe s'kishte perse të na e anullonte kur ajo vete duhej t'i verifikonte paraprakisht prenotimet, ka thënë më tej ai.