Librazhd, shembet mali, bllokohet hekurudha
Për më se 6 orë është bllokuar linja hekurudhore drejt Pogradecit, në dalje të qytetit të Librazhdit. Si pasojë e reshjeve të shiut, është bllokuar traseja hekurudhore në vendin e quajtur Dragostunjë të rrethit të Librazhdit.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se si pasojë e reshjeve, një masiv dheu nga kodra ka rënë në linjën hekurudhore Elbasan- Pogradec në fshatin Dragostunjë dhe ka bllokuar lëvizjen e trenit të udhëtarëve, i cili po qarkullonte në këtë linjë rreth orës 10:45 të paradites. Ndërkohë, burimet zyrtare sqarojnë se menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar punëtorë të ndërmarrjes së Rrugëve, si edhe policia, të cilët kanë nisur punën për zhbllokimin e trasesë dhe pastrimin e saj nga dherat e inertet në një gjatësi prej rreth 30-40 metrash. Sipas Drejtorisë Rajonale të Hekurudhave në Elbasan, u bë i mundur në një kohë rekord ndalimi i trenit të udhëtarëve, me qëllim që të evitohej ndonjë aksident i mundshëm, ndërsa hapja e këtij aksi është bërë rreth orës 16:00 të ditës së djeshme. Mësohet se qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor është i kalueshëm dhe nuk ka pasur aksidente, edhe pse shirat kanë vazhduar gjatë gjithë ditës.
Email This Klikime: 3
Email This Klikime: 3