E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, mbi 20 % e qendrave shëndetësore nuk plotësojnë kushtet higjienike

Më shumë se 20% e qendrave shëndetësore në rrethin e Fierit, rezultojnë me probleme përsa i përket higjienës në mjediset e brendshme e të jashtme të tyre. Pas kontrolleve të shumta të ushtruara nga inspektorati i higjienës komunale në Drejtorinë e Shëndetit Parësor dhe Higjienës në Fier ndaj 118 qendrave shëndetësore, kanë rezultuar se 9 prej tyre kanë dalë jashtë funksionit për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare, ndërkohe që 11 prej tyre nuk kanë ku të zhvillojnë këtë shërbim.

Sipas inspektores së higjienës pranë drejtorisë përkatëse në Fier, Rozina Cupa, qendrat shëndetësore në zonat rurale janë edhe më problematike në këtë drejtim, ndërsa janë lënë detyra për zbatimin e kushteve të kërkuara. "Problemi kryesor në higjienën e qendrave shëndetësore vazhdon të mbetet në zonat rurale të qarkut. Kemi ndonjë problem edhe në zonat urbane, por numri është më i vogël. Vlen të përmendim qendrën në lagjen "Afrim i ri" në periferi të qytetit të Fierit, ku është shumë problem, pasi atje shërbimi shëndetësor është në kushte tejet të vështira. Ambienti në të cilin kryhet ky shërbim është jashtë standardeve dhe kërkon ndërhyrje imediate. Gjithçka zhvillohet në një dhomë të vogël, ku kryhen të gjitha shërbimet.            Ndërkohë, qendrat e tjera kanë ambiente mëse të amortizuara e në 11 fshatra nuk ofrohen kushtet për zhvillimin e shërbimit shëndetësor", ka bërë të ditur Cupa. Në të njëjtën kohë, problemi ekziston edhe në 6 qendra shëndetësore në rrethin Fier, ku mungon baza materiale, që pengojnë funksionimin e tyre në shërbimin ndaj komunitetit. Pra gjithsej në 30 fshatra të rrethit Fier, mungesa e kushteve të papërshtatshme për zhvillimin e shërbimit shëndetësor, detyron shpesh komunitetin ti drejtohet qendrave urbane dhe qytetit më të afërt, qoftë edhe për shërbimin më të vogël shëndetësor. Duhet theksuar se rastet në këtë fushë nuk janë të pakta, pasi spitali i Fierit përditë pret pacientë nga zonat rurale, të cilët edhe për një injeksion u drejtohen dyerve të spitalit.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›