E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, shpërthen bombula e gazit, vdes në punë 24-vjeçari

LIBRAZHD- Një shpërthim në vendgrumbullimin e skrapit dhe makinave të vjetra, në Librazhd i ka marrë jetën një punëtori 24-vjecar. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në vendin e quajtur kthesa e Murrashit përgjatë aksit Librazhd-Elbasan, ku viktima Besnik Bala ishte duke punuar.

Burime të policisë lokale thanë se, “24 vjeçari Besnik Bala, me banim në Elbasan, kishte rreth 6 muaj që punonte si mekanik në varrezën e makinave në pronësi të kushëririt të tij A. Bala. Pikërisht paraditen e sotme 24 vjeçari ishte duke punuar me një troko për të prerë një bombël gazi, kjo e fundit ka shpërthyer duke e hedhur disa metra larg, c'ka i shkaktoi dhe vdekjen e menjëhershme".

Fillimisht u dyshua se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një predhë, por ekspertët që shkuan në vendngjarje sqaruan se shpërthimi ka ardhur nga një bombul gazi, të cilën punëtori ka qënë duke e prerë për skrap.

Policia e Librazhdit ka bërë ndalimin e pronarit të vendgrumbullimit të makinave të vjetra dhe skrapit, ndërkohë që hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›