E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli lobon në New York, takon presidentë të 3 vendeve

PRISHTINË-Në kuadër të aktivitetit diplomatik në Nju Jork, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar Presidentin e Guinesë Equatoriale, Teodoro Obiang, të cilin e informoi me situatën në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Zv/kryeministri Pacolli kërkoi nga presidenti Obiang që të shqyrtojë seriozisht njohjen e Kosovës, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ishte në respektim të plotë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe opinionit këshillëdhënës të GJND-së.

“Presidenti Obiang në anën tjetër, ishte shumë konstruktiv në qasjen e tij në raport me kërkesën për njohje”, thuhet në njoftimin nga zyra e Pacollit.

Zv/kryeministri Pacolli takoi edhe presidentin e Afrikës së Jugut, Jakob Zuma dhe atë të Eritresë, Isaias Afewerki.

Pacolli shprehu falënderimin e tij për pritjen që Presidenti Zuma i kishte rezervuar në Afrikën e Jugut, gjatë vizitës në këtë shtet dhe edhe njëherë ripërsëriti kërkesën për njohjen e Kosovës nga Afrika e Jugut.

Në orët e mbrëmjes së ditës së martë, Pacolli ka zhvilluar një takim me presidentin e Eritresë, z. Isaias Afewerki, të cilit i adresoi qartë kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.

Në anën tjetër, presidenti Afewerki u shpreh i kënaqur për informacionet e ofruara, duke premtuar se një vizitë e zv/kryeministrit Pacolli në Eritre, do të ishte shumë pozitive në rrugën e lidhjes së miqësisë ndërmjet dy vendeve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›