Libri i Pëllumbit : Pse dështoi projekti "Nano"
TIRANË- "Demokracia dhe zëri i moralit" titullohet libri më i ri që ish kryetari i Kuvendit dhe nga një nga figurat më të njohura të PS-së, Sërvet Pëllumbi i paraqet lexuesit shqiptar, pas dy librave që ka shkruar më parë. Gazeta "Shekulli" boton sot disa nga pjesët e këtij libri, (konkretisht pjesë nga kapitulli "Zgjedhja e Presidentit" dhe "Politikanë të Tranzicionit")për të cilin Pëllumbi thotë se, "është i treti në vijim të përpjekjeve të mia për përpunimin e një mendimi politik kritik të mbështetur mbi analizën konkrete historike të dukurive politike të periudhës së sotme të konsolidimit të demokracisë shqiptare". Në pjesën e parë, "Tranzicioni politik", përpunohet ideja e një ndarjeje të tranzicionit politik pas komunist, që sipas mendimit të profesor Pëllumbittashmë ka përfunduar, nga faza e konsolidimit të demokracisë, që ka të tjerë parametra dhe kërkon ende kohë për t'u instaluar. Në pjesën e dytë, "Zgjedhja e presidentit", dhe në të tretën, "Politikanë të Tranzicionit", siç thotë vetë autori i librit, analizohen disa nga modelet e sjelljes politike, që dëshmojnë se politikanët tanë janë ende larg të menduarit kritik që dominon në demokracitë perëndimore. Ndërsa në pjesën e katërt, "Politika dhe partitë politike", Pëllumbi trajton demokracinë dhe politikën në lidhjen dhe bashkëveprimin e tyre reciprok dhe mbi këtë bazë argumentohet se deformimet e pluralizmit politik, ndikojnë drejtpërsëdrejti në nivelin e demokracisë.
***
Probleme brenda sistemit partiak
Pluralizmi partiak, krahas të mirave hapjes së politikës për opinionin e gjerë, lirisë së fjalës, lirisë së organizimeve etj solli edhe një lloj kaosi, si dhe mundësi të shumta për ta tepruar me lirinë e fituar, për t'u bërë, siç thotë populli, "si këmbët e dhisë". Pra, për të mos bërë dallim në shkallën e përfaqësimit dhe legjitimitetit, të përvojës dhe profesionalizmit, apo për të mos përfillur "peshën" e votës së elektoratit mbi bazën e së cilës bëhet ndarja e partive në të mëdha e në të vogla. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për raportet me kategoritë e politikanëve, për të cilët bënte fjalë sociologu i mirënjohur M. Weber. Sipas tij, kur është fjala për të zgjedhur midis politikaneve, duhet të pozicionohesh qartë nëse dëshiron të zgjedhësh nga radhët e atyre që janë në gjendje të japin ide, përvoja dhe alternativa, apo nga ata që duan favore dhe status të veçantë për vetë dhe për ata (atë) që do të bëjnë (bëjë) zgjedhjen e tij. Ne kushtet e mungesës së rregullave të lojës dhe të një morali të shëndoshë, siç tregon përvoja jone e deritanishme, këto raporte, pa dyshim, bëhen problematike. Vërtet, palët në një koalicion duhet të kenë marrëdhënie partneriteti dhe barazie në shanse, veçse kjo nuk do të thotë barazi në çdo gjë dhe as rregullim të diferencave me mënyra imponuese komunikimi, pas të cilave mund të fshihen taktika djallëzore apo hile të rëndomta. Përvoja e deritanishme nuk na jep as modele inkurajuese dhe as argumente për të pohuar se gjërat janë vënë në shtratin normal të " kulturës se aleancave dhe kompromiseve, që mbajnë parasysh, në radhë të parë, interesat e vendit dhe të konsolidimit të demokracisë dhe jo thjesht riciklimin e disa liderëve të përhershëm, që shpesh i shohim në rolin e pa lakmuar të xhambazit politik. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi aleanca politike dhe koalicione qeverisëse majtas dhe djathtas të dy partive të mëdha me partitë e vogla, të cilat nuk gjejnë dot karar me vogëlsinë e tyre. Për pasoje, njohim tashme "Dushk të vogël" dhe "Dushk të madh", por jo garë të mirëfilltë. Realisht, ky është "produkt" i dy partive të mëdha, i interesave të tyre të deformuara në luftën për pushtet. Duket sikur në vizionin politik të liderëve partiake është ulur këmbëkryq Makiaveli, sepse për ta politika është vetëm lojë, ndërsa gara e alternativave është hile, është si një lloj dumpingu që e përdorin trajnerë dhe lojtarë për të fituar një gare të pamerituar, duke ua hedhur rivaleve te tyre. Por mbi të gjitha zgjedhësve. Mjafton që "loja" të fitohet, që kundërshtari, partneri në koalicion, pse jo edhe elektorati, të mashtrohen, të bëhen lolo. "Taktika" të tilla, këta lloj liderësh nuk ngurojnë t'i përdorin edhe në marrëdhëniet me bashkëpunëtorët dhe aleatët e tyre. Madje kjo jo rrallë bëhet objekt vetëmburrjeje liderësh, ndërsa admiruesit e tyre u japin statusin e të zgjuarit, të shkathtësisë prej lideri. Pse jo, për ta përdoret lirisht edhe termi "mafioz", por në një kuptim pozitiv! Nga një këndvështrim i tillë po trajtohet në media edhe zgjidhja e rebusit të presidentit nga ana e Berishës. Tashme e dimë se ç'mjete u përdorën dhe ç'gurë u vunë në lëvizje për të fituar "lojën e shahut" me 20 korrik 2007.
Neritan Ceka -që u përfshi në "garë" me metoda makiaveliste, të përdorura kësaj here nga liderët e partive të vogla të së djathtës, të dirigjuara nga kryeministri, por "me sa duket edhe vetë Neritani, me dashje, ra viktimë e "lojës së shahut" të luajtur me mjeshtëri nga Berisha- shkruan me dëshpërim në revistën MAPO (nr. 42, 4 gusht) këto fjalë-akuze: "Më mundën milionat!Mbrëmjen e votimit (20 korrik), deputetë të shumicës më kanë thënë, dhe jo vetëm mua, se loja është mbyllur, se ishin hedhur 2 milionë euro për votat e munguara për presidentin... Votat i shiten përkrahësit e F. Nanos, me urdhër të vetë atij dhe përfunduan me shumicë në xhepin e F. Nanos. Deputetë të PS-se e tregonin hapur mënyrën se si kishin votuar"
Lojëra të tilla politike, që nuk janë të rralla në politiken shqiptare, në pamje të parë duken si demokraci e kulluar pluraliste apo si një praktikë e zakonshme "gjithëpërfshirëse", prandaj dhe harrohen shpjet, për të vazhduar më tej në të njëjtën mënyrë me një politikë që vazhdon të jetë në fqinjësitë keqe me moralin. Veçse që nga lashtësia na vjen urtësia: "Fqinji i ndershëm do të jetë aq i dobishëm sa do të jetë i dëmshëm i keqi" (Hesiod: Teogonia). Kjo vlen edhe për të vlerësuar marrëdhëniet ndërpartiake brenda sistemit të pluralizmit politik. Por çfarë ndodh me të vërtetë në rastin tonë? Cila është pasoja më e afërt e një politike pa moral dhe e mënyrës së deritanishme të funksionimit të pluralizmit partiak? Mungesa e kohezionit në secilin krah të politikes, "larje-lyerjet" për njeri- tjetrin në publik dhe përçmimi në rrethe të ngushta, parimësia e zëvendësuar nga pazaret dhe interesat meskine janë më e pakta që mund të thuhet. Por më e keqja është se politikanëve tanë gjithnjë e më pak u interesojnë interesat e zgjedhësve të tyre, prandaj politikat dhe reformat e domosdoshme për vendin dhe integrimin në Europë "mbyten" në detin e premtimeve për marrëveshje e deri për konsensus. Në praktike, forcat politike duan dështimin e njëra- tjetrës. Partitë e vogla, edhe kur hiqen si aleate të partive të mëdha, kërkojnë tkurrjen dhe dështimin e tyre, përderisa interesi i tyre fokusohet te postet dhe privilegjet që u ofrohen në këmbim të votave të tyre në Kuvend. Kjo i "specializon" ato për tipin e marrëdhënieve "me jep, të jap", shoqëruar me pakënaqësi të përhershme "prej të vogli", me kritika "parimore", me shantazhe e presione, madje deri dhe me ultimatume. Ndërsa partitë e mëdha rrallë sillen si partnere me partitë që quhen të vogla, nisur nga numri i votave në një proces zgjedhor. Për pasojë, partitë e vogla, që nuk dihet se ç'grupe të elektoratit përfaqësojnë, mbeten duke u grindur, sukseset i brohorasin si arritje të tyret, ndërsa dështimet ua faturojnë partive të mëdha. Veçse, pa dashur të dalin "jashtë çadrës"! Nëse nuk iu realizohen ambiciet e tyre të fryra, ato nuk e kanë për gjë të hidhen nga njëra çadër në tjetrën, pra të bëjnë "aleanca fluide" me palën kundërshtare. Pa përjashtuar as "me të pa besueshmen", shitblerjen e votave si në një pazar të zhurmshëm, gjë që ka një ndikim inflacionist për votat e elektoratit. Thënë shkurt, pluralizmi shqiptar ka një problem serioz të partive te vogla dhe të mungesës së partneritetit si në të majtën, ashtu edhe në të djathtën e politikës. Partitë e vogla, deri me sot nuk kanë treguar se kanë ndonjë identitet politik karakteristik apo se ekzistojnë për të sjellë diçka të re, një vizion, frymë a moral më të shëndoshë për pluralizmin politik shqiptar. Ato kryesisht janë zvarritur pas dy partive të mëdha. Për këto arsye "kryengritja" e tyre ndaj përmbajtjes së reformës zgjedhore në proçes duhet parë si hap regresiv, që flet qartë se ato kërkojnë të ruajnë privilegjet e tyre të pamerituara. Ja disa shembuj konkrete të viteve të fundit. Partia Agrare, deri ne përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005 ishte e "majtë", në aleancë me forcat e majta dhe në koalicionin qeverisës me Partinë Socialiste. Dhe duke "gjuajtur" votat majtas, nuk u step aspak që pas zgjedhjeve të kalonte djathtas, të bëhej pjese e koalicionit qeverisës të Partisë Demokratike, që ishte "ngushtë" për disa vota në Kuvend. Kështu afërsisht veproi edhe PBDNJ-ja apo dhe disa politikanë që ishin larguar prej vitesh nga PD-ja dhe kishin "ngrënë bukën" e të majtëve gjatë kohës që ata ishin ne pushtet. Ndërkaq ka ndodhur që edhe deputetë socialistë, "si për t'u tallur"(!) apo "për atdhetarizëm", kanëvotuar (me saktë kanë shitur votën) për të nxjerre nga halli shumicën e sotme qeverisëse. Rasti më i fundit ishte zgjedhja e presidentit me 20 korrik 2007. Nuk po flas për kalimet e deputeteve nga njeri grupnë tjetrin, duke e paraqitur këtë here si "shpërthim lirie të deputeteve trima" dhe herë thjesht si një "qejfmbejtje" të rëndomtë. Kostoja e gjithë kësaj, së pari, është qeverisja e dobët apo "qeverisja lavjerrës", së dyti, vazhdimi i lojës së partive të mëdha me partitë e vogla, sipas parimit "afro-largo", pra sipas interesave partiake të çastit, çka krijon tensione politike të përhershme me tipare të një krize, dhe, së tretirritja e pakënaqësisë se elektoratit ndaj partive, që shoqërohet nga njeri proces zgjedhor në tjetrin me rritje të votës abstenuese.
***
PROJEKTI "NANO"
Vetëkandidimi për president
Që në prill, shumë kohë para se të fillonte "fushata presidenciale", në një emision televiziv m'u kërkua që të shprehesha për vetëkandidimin e Nanos për president, por e kalova këtë duke thënë se "jam marrë gjatë me Nanon duke dhënë mendimet e mia ndryshe për të si politikan dhe si drejtues i Partisë Socialiste, pa e fyer e denigruar asnjëherë, ndërsa tani e në të ardhmen nuk me duket racionale të merrem me të". Por pati zhvillime të tilla që po më detyrojnë ta shoh me interes një analizë të shkurtër "të të thënave dhe të të bërave" të Fatos Nanos gjatë fushatës së tij presidenciale.
Eshtë e vërtetë se Fatosi e mori më shumë seriozitet çështjen e zgjedhjes së tij president i Republikës. Veçse, theksimi tej mase dhe vend e pa vend i saj për të sfiduar çdo konkurrent tjetër, e nxori si të pavërtetë, si një "lojtar" që kërkon të fitojë një bast, të mbajë një premtim, të çojë derinë fund një akt hakmarrjeje, të kënaqë një ego vetjake. Ata qe e njohin mirë (unë e radhis veten ndër ta) u befasuan, mbase jo pak, kur panë një Nano këmbëngulës, shume aktiv në media dhe në takime me mbështetësit e tij të rralluar, mjeshtër të blofeve dhe të pazareve politike, ironik e dhënës të mesazheve kryesisht nëpërmjet batutave aq të parapëlqyera për mediat. Thënë shkurt, u duk sikur e kishte kapërcyer mungesën e vullnetit për t'u përqendruar në diçka serioze dhe për një kohë relativisht të gjatë, sepse dihet që Fatosit i pëlqen më tepër përdorimi i "produktit" të gatshëm dhe lënia e "gjeneralëve" të tij në fatin e tyre pas "betejës". Megjithatë, le t'i lëmë "biografitë" dhe t'u qasemi çështjeve të përmbajtjes, për të sqaruar se për çfarë ai u tregua i zgjuar dhe për çfarë i pavërtetë e humbës. I zgjuar, por i pavërtetë, u tregua kur më në fund, pas dy vjetësh mungese, hyri në zyrën e kryetarit të PS- se, mori pjesë "si i barabartë" në mbledhjet e grupit parlamentar dhe kur bashkë me grupin nuk mori pjesë ne seancat e votimit jokushtetues të Kuvendit për kandidaturën e tij dhe të B. Topit. Ndërsa në taktikat e tjera "presidenciale" nuk u tregua as i vërtetë dhe as i zgjuar.
Një tjetër projekt delirant
Të marrim çështjen e "projektit" apo të "platformës" së Nanos për president, me të cilën ai synonte të paraqitej si "peshë e rëndë në politikën shqiptare", "si pika e ujit që e bën lulishten të lulëzojë". Dalja me një platforme, kur sipas Kushtetutës presidenti zgjidhet nga Kuvendi, nuk përbën ndonjë risi, sepse realisht nuk ka as kuptim, as vlere. Aq më tepër që presidenti në një Republikë Parlamentare nuk përbën ndonjë pushtet më vete (në raport me tre pushtetet) dhe vepron duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze Kushtetutës, në të cilën përcaktohen në mënyrë të detajuar të gjitha kompetencat e tij. Në kundërshtim me këtë logjikë kushtetuese, Nanoja paraqiti një projekt apo program politik delirant (me humbje të sensit të realitetit), në të cilin parashikonte deri dhe trefishimin e GDP-se brenda vitit 2015! Me konkretisht, "projekti" në boshtin e vet kishte "zotime" të tilla:1. Do ta shndërroj institucionin e presidentit të Republikës së Shqipërisë në një institucion të interesave kombëtare. 2. Garantoj ta kthej presidencën në një qendër të rëndësishme nga burojnë garancitë e ekuilibrave të munguar politike. 3. Në një institucion që garanton funksionimin me një ritëm edhe më të lartë të demokracisë dhe institucioneve të saj. 4. Garantoj se ky kandidim asnjëherë nuk do të përdoret, në mënyrë direkte ose indirekte, për të shkaktuar një konflikt të ri politik në morinë e konflikteve sfilitëse që na rrethojnë dhe që e kanë lodhur e vështirësuar jetën e shqiptarëve. 5. Garantoj se kandidimi im nuk bëhet kundër askujt (gazeta Panorama, 19 qershor 2007).Nuk mendoj se ka ndonjë vlerë analiza e një projekti të tillë. E mjaftueshme, besoj, është njohja me vlerësimet që vetë Nanoja i bën projektit te vet. Ai e shpalli atë si "të paparë", "të pakonkurrueshëm", "frymëzues për ushtrinë e pagës, që qëndron, . përballë ushtrisë së konfliktit", "projekt që i jep fundkrizës", "të tjerët, meqë nuk bëjnë dot një projekt, po e marrin copa-copa projektin tim", "unë nuk tërhiqem, se nuk e lë jetim projektin tim" etj, etj. Në vorbullën e delireve të tilla është tepër e vështirë, në mos e pa mundur, që të gjesh qoftë dhe copëza të vogla të një kulture me të vërtetë demokratike. Ky shqetësim merr dimensione edhe më të habitshme po t'u referohemi kërcënimeve që kanë shoqëruar "projektin" e z. Nano. Ne emisionin e ALSAT-it, me 26 qershor 2007, ai do të deklaronte me dëshpërim, se qenka bërë pishman që nuk u arratis nga burgu për t'u bërë kaçak si katragjyshi (!), pra qenka sakrifikuar për të tjerët "duke u bërë flamur, simbol, qëndresë, projekt për opozitën dhe për PS-ne". Kuptohet, pa thënë as edhe një fjalë për ata mijëra socialiste që, me të drejtë apo pa të drejtë, për mire apo për keq, u përpoqën ta bënin të tillë gjate viteve të burgut të Berishës. Ndërsa në emisionin Opinion në TV Klan, me 12 korrik 2007, pra para votimit të 14 korrikut në Kuvend, në të cilin mori vetëm tri vota, ai braktisi gjuhen diplomatike te emisioneve të mëparshme dhe foli me një gjuhe thashethemesh dhe sulmesh të adresuara për liderët e opozitës, të cilët nuk e paskan me fatin për të qenë ndër "gjeneralët e rinj" të politikes së Nanos! Por pa harruar mesazhet e një natyre tjetër për Berishën, "liderin dinamik të krizave", në marrëveshjet me të cilin Nanoja gjithnjë ka dale i humbur. Përfshi edhe rastin më të fundit. Po e lë për një çast mënjanë modestinë për të thënë se paskam pasur të drejtë kur, që në tetor të 2006-ës, në një interviste, kam bërë një parashikim të sakte. "Një mundësie kandidimi të Nanos për president, -kam thënë që në kohën kur Nanoja shpalosi ëndrrën e vet presidenciale, -i bëjnë një shërbim të keq, madje shume të keq, dy politikanë: S. Berisha dhe vetë F. Nano. I pari, mbase për nostalgji, mbase për interes të çuarjes së mandatit të PD-së deri në fund, apo thjesht për diversion që të përçajëopozitën, u ngut shumë me deklarimet e veta për ta nxjerre nga "strofka" Nanon, të cilin vazhdon ta quajë "pensionist". ("E nxora në pension", mburret ai). F. Nano, pas një viti shkëputjeje të plotë politike, akuzoi PS-në për "rënie në lojën e Berishës", ndërsa liderët e opozitës se bashkuar i quajti "berishka". As me shumë e as më, pak dëshmoi për një fjalor të vjetruar të tipit tipit të KPD-së, 2001 -tregoi se nuk është në gjendje t'i ofrojë PS-se ndonjë gjë të re as ide, as motivim, as politika bashkëkohore." "Çështja, si për Berishën dhe për Nanon, - vazhdon arsyetimi im, -nga një alternative konkrete, e mundshme ose jo, u shndërrua në një çështjemadhore të karakterit moral. Berisha, duke deklaruarse "voton Nanon", i dha një goditje dërrmuese dhe jo vetëm morale, kredos se vet të luftës kundër korrupsionit. Nanoja, duke pranuar në heshtje se nuk do të kishte kundërshtim nëse do të zgjidhej president qofte edhe me votat e Berishës, i heq një vijë të trashë kontributit të vet 15-vjeçar në PS dhe pret çdo lidhje me të" (Albania, 13 tetor 2006).
Ne aleancë me Berishën
Rrjedhën e ngjarjeve tashme e dimë. Jemi në dijeni të takimeve të bujshme Berisha-Nano, të sulmeve përçarëse të ish kryetarit ndaj kryetarit të sotëm të PS-së, të mbiquajtur pre tij "I paudhi"! Jemi njohur gjithashtu edhe me deklarimin më të fundit të Berishës ("Kur të vdes unë mund të bëhet Nanoja president!"). Ndërsa një tjetër fund politik të Nanos e pamë në emisionin Opinion sidomos pas ditës së "përmbysjes se madhe", votimit të 14 korrikut 2007. Një Nano plotësisht i zhgënjyer, dha kushtrimin për luftë. "Ushtria e paqes e drejtuar nga gjeneralët e mi të paqes, -tha ai, -nëse do të gjejë pengesa në rrugën e vet, do të ndeshet, do të luftoje!" Pra, u vu në lëvizje logjika "pas meje le të bëhet kiameti"! Ndërsa në mbledhjen e grupit të deputeteve të PS-së, Fatosi bën kërcënimin tjetër të radhës. Në shtator ai do të niska një lëvizje të re "për t'ia marre partinë Ramës". Pozitive është, gjithsesi, se kësaj here, me përjashtim mbase vetëm të Edi Ramës, i pamësuar sa duhet me lojërat politike të Nanos, shumica nuk i mori seriozisht kërcënimet e tij, sepse edhe sikur ta nisë ndonjë "lëvizje", si zakonisht, nuk ka për ta çuar dot deri në fund. Prandaj dhe po e mbyll këtë analizë të shkurtër me optimizëm, sepse tashmë jam i bindur se ka përfunduar koha e politikaneve të "përjetshëm", të cilëve edhe meritat, edhe zgjuarsia, në kushte të caktuara, u kthehen në të kundërtën e vet. Gjithsesi,
Nanoja e kishte në dorë ta evitonte një zhvillim të tillë, por nuk e bëri as kur nuk merrte dot 20 firma për të ligjëruar vetëkandidimin për president dhe as atëherë kur e pa se, sot e tutje, për të mund të flitet veçse si për një "ish-lider të PS-së".
***
VETËPËRJASHTIMI
Një urim për presidentin e ri dhe për opozitën
Pata rastin ta uroja sinqerisht presidentin e ri, zotin Bamir Topi, gjatë ceremonisë së betimit dhe pritjes zyrtare në Pallatin e Brigadave me 24 korrik 2007. Edhe publikisht nuk ngurroj ta uroj dhe t'i them: "Punë të mbarë dhe suksese në detyrën e lartë, që njëherësh përbën dhe një mision me vlera kombëtare". Duke e njohur personalisht si një politikan të formuar dhe të përgjegjshëm, jam i prire të besoj se do të dijë të jetë president i të gjithë shqiptarëve. Them se ai mund ta vuajë për një kohë mënyrën e zgjedhjes se tij, por më thelle dhe me gjatë ka për ta ndjerë opozita, e cila procesin e zgjedhjes se presidentit e trajtoi me mendjelehtësi dhe me mungesë të theksuar kohezioni. Prandaj dhe doli e humbur. Kjo e bëri atë një çëshje "pikante" për analiza politike dhe për të nxjerrë mësime për të ardhmen.
Edhe votimi do moral
Askush nga analistet që u morën aq gjatë meçështjen e zgjedhjes se Presidentit të Republikës, nuk mundi të parashikonte atë që ndodhi me 20 korrik 2007 në Kuvendin e Shqipërisë. Në shënimin politik të 1 korrikut, kam shkruar se nuk përjashtohet mundësia që presidenti të zgjidhet përmes një trafiku votash, por asnjëherë nuk mund të mendoja se një trafik të tille do ta bënin gjashtë deputetët socialistë, të nxitur dhe të drejtuar nga F. Nanoja. Nga krahu opozitar, nga masa e njerëzve të thjeshtë, por dhe nga shumica dërrmuese e analistëve politike, veprimi i paprecedent i deputetëve socialistë është vlerësuar si i pamoralshëm, si korrupsion politik, si trafikim votash dhe produkt pazaresh të pista meburim pushtetin. Kafeneja përballë godinës së sallës së seancave parlamentare, siçthonë tani, u bë "selia" ku u gatua një akt i pashembullt turpi e degradimi politik, ku hynin e dilnin "lajmësit" e Nanos, që takoheshin me të plotfuqishmit e Berishës. Në orën 19.00, "të gjashtët", këta "atdhetarë", të cilëve u digjej shpirti për ta shpëtuar Shqipërinë nga zgjedhjet e parakohshme, nën habinë e përgjithshme të gazetarëve të shumtë që prisnin diçka të veçantë, hynë njëri pas tjetrit në sallën plenare. Deputetët e shumicës u sulën t'i përshëndesnin dhe t'i falenderonin. Ngazëllim i madh! Berisha, me poza triumfatori, shpejtoi për në shkallët e jashtme për t'u dhënë sihariqin mediave: "E zgjidha! Sot do të kemi presidentin!" , Deputetët opozitare, që kapërcyen kufirin e fundit të çdo lloj morali qytetar, e poshtëruan veten deri në atë shkallë sa iu desh të tregonin fletët e votimit, që ta bindnin "blerësin" se ishin "mall" i mirë! Rezultati i votimit tashme u shndërrua në një formalitet. Të pranishëm në seancë ishin 90 deputete, prej të cilëve 85 votuan për B. Topin dhe vetëm 5 për N. Ceken. Brohoritje të zgjatura. Në sinkron filloi shpërthimi i fishekzjarreve tek selia e PD-së dhe jashtë godinës së Kuvendit. Dukej sikur tradhtia e gjashtë deputetëve opozitare ndaj zgjedhësve te tyre po kthehej në një lloj vlere morale. "Zgjodhëm president të mire, evituam zgjedhjet dhe destabilitetin e vendit, kryem një akt atdhetarie..." Te tilla ishin deklarimet e disa prej "rebeleve" që po e ndienin se sa thelle i kishte futur në llum F. Nanoja, i cili i priste, mbase jo rastësisht, në një restorant kinez për t'i gostitur me gjelle jo të zakonshme!Ky ishte, në thelb, absurditeti i votimit të 20 korrikut 2007 në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita që, si rregull, quhet e tillë ngaqë ka si objektiv politik marrjen e pushtetit në rrugë demokratike papritur heq dore, dorëzon pushtetin duke treguar mungesë të theksuar serioziteti dhe paaftësi për të luajtur rolin e opozitës. Ndërsa politika shqiptarezhytet në një vorbull të re konfliktualiteti. Ç'tëdrejtë mund të ketë një opozitë e tillë t'i kërkojë votën elektoratit në zgjedhjet e radhës? Natyrshëm, shtrohet pyetja tjetër: A e meritojnë të ndëshkohen protagonistët e veprimeve të tilla, apo kjo i duhet lënë vetëm "kryetarit" të tyre?