Libri i Transparencës, 6 ditë kohë për tu ankuar
Nis sot publikimi i pikëve të llogaritura në mënyrë zyrtare nga APRIAL. Pikët të afishuara në shkollat përkatëse
Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, maturantët-kandidatë, kohë deri më 1 shtator për të shprehur pakënaqësitë
Nga sot e në ditët në vazhdim, maturantët mund të njihen zyrtarisht me pikët e fituara në përfundim të Maturës Shtetërore dhe shkollës së mesme. Ministria e Arsimit dhe Shkencave ka përfunduar ditën e djeshme shpërndarjen e Librit të Transparencës në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zonale, duke mundësuar afishimin e pikëve të llogaritura në mënyrë zyrtare në shkolla. Me shumë gjasa maturantët do të njihen me pikët ditën e sotme ose në fillim të javës në vazhdim, kjo edhe për shkak se e premtja përkon me ditën e fundit të javës. Gjithsesi njoftimi i mbërritur nga MASH, bën të ditur se duke filluar nga dita e sotme çdo DAR/ZA duhet të afishojë të dhënat e Librit të Transparencës në çdo shkollë, duke mos cilësuar në formë të prerë ditën e sotme, si kohën e shpalljes së pikëve. I botuar për herë të parë vitin e kaluar, Libri i Transparencës, ka formën e një regjistri kombëtar dhe përmban të renditur sipas rrethit dhe shkollës, të gjithë kandidatët për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë. Në këtë libër janë paraqitur katër notat e përshkallëzuara të 4 provimeve të Maturës Shtetërore, mesatarja e shkollës së mesme dhe rezultatet e llogaritura me koeficientët përkatës, të çdo kandidati, për secilën nga 10 preferencat.
Mund të ndodhë që pikët e një kandidati të rezultojnë të jenë të llogaritura gabim. Nëse konstatohet një gabim i tillë, kandidati duhet të marrë kontakt të menjëhershëm me drejtorinë e shkollës ku ka përfunduar studimet. Gabim, saktëson MASH, do të cilësohet jo vetëm llogaritja gabim e pikëve, por edhe pasaktësitë që maturantët-kandidatë për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, do të vërejnë në shkrimin e gjeneraliteteve si: emri, mbiemri, atësia e kandidatit etj. Për të eliminuar parregullsitë e konstatuara, kandidatët e pakënaqur, sikurse e saktësuam më sipër, duhet të plotësojnë Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive të cilin mund ta tërheqin në shkollën përkatëse. Pas dorëzimit të Formularit në shkollën përkatëse, është kjo e fundit e cila përcjell ankesën në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zonale. Çdo DAR/ZA do të pranojë këta Formularë të plotësuar sipas udhëzimit përkatës deri më datën 1 shtator 2008. Nga ky moment për të marrë përgjigje zyrtare për ankesën e paraqitur, maturantët-kandidatë duhet të presin 6 ditë. Vendimin përfundimtar nëse pikët janë mbledhur në mënyrë të drejtë ose jo do ta japë Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Pasi të bëhen të gjitha verifikimet dhe të përcillen pasaktësitë e mundshme, MASH do të nxjerrë, në përputhje me udhëzimet përkatëse, renditjet e maturantëve për në shkollat e larta.
Të drejtën për të marrë pjesë në përzgjedhjen e studentëve në universitete do ta kenë të gjithë maturantët, që rezultuan kalues në provimet e Maturës Shtetërore, paçka notave të dobëta që kanë marrë në provime. Dy muaj më parë Këshilli i Ministrave miratoi kuotat e pranimit për vitin akademik 2008-2009. Qeveria vendosi të pranojë për vitin në vazhdim 22 mijë studentë të rinj, po aq sa edhe numri i maturantëve, që arritën të kalojnë provën e provimeve të Maturës Shtetërore. Maturantët që përfunduan me sukses provimet e Maturës Shtetërore 2008, do të nisin procedurat e regjistrimit në universitete në muajin shtator, sipas parimit Meritë-Preferencë (MeP). Të gjithë maturantëve uështë shpërndarë gjatë provimit me zgjedhje një fletëpalosje. Regjistrimi i studentëve do të kryhet, si një vit më parë, në dy faza kryesore: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të të gjithë kandidatëve në programet e studimit (degët) përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të IAL-ve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë. Ata kandidatë, që në listën për regjistrimin përfundimtar do të jenë fitues në një program studimi tjetër nga ai i regjistrimit paraprak, duhet detyrimisht të çregjistrohen dhe të regjistrohen në programin e studimit ku kanë dalë fitues sipas listës përfundimtare. Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar, humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Në të dyja rastet, njoftimin se në cilën preferencë apo program studimi ka dalë fitues, maturanti e merr në shkollën e tij të mesme.