QSUT, aty ku trurit i mungon një letër ezheje
Mjekët pohojnë se po përballen me mangësitë me elemente në barna dhe materiale. Po vendosim diagnoza me hamendësime
Kriza
Letër ezheje nuk ka.... Ndoshta ky njoftim do të dukej qesharak edhe në një spital rajonal e jo në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitali më i madh në vend. Bëhet fjalë për një tip letre që përdoret për printimin për të bërë ekzaminimin e sëmundjeve që kanë të bëjnë me trurin, ekzaminim ky që duhet t’u ofrohet pacientëve në çdo spital. Në fakt kjo mangësi elementare nuk është e vetmja në këtë spital që është fundosur në një krizë, duke sjellë një situatë shumë alarmante. Për këtë ankohen mjekët dhe pacientët të cilët theksojnë se prej kohësh në spital mungojnë medikamentet dhe nuk bëhen analizat më të domosdoshme. Ndërkohë, vetëm pak muaj më parë drejtoria e QSUT-së me anë të shkresave dërguar Ministrisë së Shëndetësisë e kanë bërë këtë dikaster me dije se spitali është drejt krizës.
Mangësitë
Në derën kryesore të Pediatrisë lexohet me të madhe: Njoftim. Letër (Ezheje) nuk ka. Bëhet fjalë për një letër që printon aktivitetin e trurit, Mjekët pohojnë se ky ekzaminim shërben për të diagnostikuar problemet që manifeston i sëmuri pikërisht me trurin. “Është e patolerueshme të ketë mangësi deri të këtij niveli. Një ekzaminim i tillë duhet të realizohet edhe në një spital rajonal e jo më në QSUT, pasi ajo ndihmon mjekun për vendosjen e diagnozës, por është edhe dokument ligjor me të cilin mund të pajiset pacienti”,- pohojnë mjekët. Duket që drejtoria e QSUT-së tashmë ka vendosur t’i bëjë të ditura mangësitë, duke vendosur njoftime nëpër dyert e spitalit, për i bërë më dije pacientët se në këtë spital nuk mund të gjejnë as shërbimin më elementar. Ndërkohë mjekët pohojnë se ky skandal pasohet nga mangësi të tjera për analiza dhe barna tepër të domosdoshme për pacientët dhe që janë akte spitalore, që do të thotë se këto duhet t’i disponojë spitali dhe jo farmacitë private. “Është skandaloze që pacientët detyrohen të dalin dhe të bëjnë analizat më elementare në klinika private. Dhe ajo që është më tragjike është fakti se shumë lloje analizash pacientët nuk mund t’i realizojnë as tek privati, pasi ato nuk ofrohen”,- pohon njëra nga mjeket e Pediatrisë, duke shtuar se i pengon shumë ata në vendosjen e saktë të diagnozave. “Për shkak të këtyre mangësive po punojmë me hamendësime për vendosjen e diagnozave. Fatkeqësisht mangësitë po bien sidomos në kurriz të pacientëve pasi janë ata që i paguajnë shtrenjtë këto mungesa”, -pohojnë mjekët duke shtuar se mangësitë e spitalit i kanë bërë prezent shumë herë në drejtorinë e QSUT-së, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Shkresa
Për të realizuar me sukses misionin e tij QSUT, përveç përkushtimit dhe ndjenjës së përgjegjësisë profesionale të personelit mjekësor kërkon edhe furnizimin e plotë të medikamenteve dhe materialeve mjekësore. Kështu fillon shkesa e QSUT-së drejtuar dikasterit të Shëndetësisë pak muaj më parë duke u shpjeguar se kjo shkresë në fakt është përsëritje e shkresave të tjera dërguar pikërisht për mangësitë e spitalit. “Duam t’iu vëmë në dijeni për situatën në të cilën ndodhemi dhe nevojën e ndërhyrjes tuaj për të zgjidhur problemin”, bëhet e ditur në shkresën e drejtorisë së QSUT-së duke u shtuar se për çdo ditë spitali përballet me një numër mjaft të madh pacientësh të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore jo vetëm për të siguruar diagnozën e sëmundjes, por edhe të mjekimit të tyre me medikamente dhe materiale mjekësore.
Pacientët: Në spital vetëm shtrati, barnat dhe analizat te privati
Këtu në spital kemi gjetur vetëm shtratin dhe kujdesin e mjekëve, ndërsa të tjerat i gjemë të gjitha jashtë dyerve të spitalit. Kështu u shpreh një nga pacientët e shtruar në shërbimin e kardiologjisë, duke theksuar se është skandaloz fakti që spitali më i madh i vendit vuan mangësi të tilla. Në këtë mënyrë mangësitë e theksuara në spital ka detyruar pacientët që t’u drejtohen klinikave private për të bërë analizat dhe blerë materialet mjekësore. Këtë e pohojnë vetë pacientët të cilët theksojnë se kjo po u kushton shumë për xhepat e tyre pasi privatët i ofrojnë me çmime të larta. “Nuk kemi rrugë tjetër te privatët po shkojmë pasi mjekët na thonë se analizat nuk bëhen. Kjo është e tmerrshme, të mos bëhen edhe ekzaminimet më elementare”,- pohon Brikana Spahiu, njëra nga të afërmet e pacienteve të shtruara në Pediatri. Të njëjtin shqetësim pohojnë edhe pacientët e tjerë të cilët theksojnë se duhet të merren masa emergjente për përmirësimin e situatës.
---------------------------------------------Drejtori i QSUT-së, Pepa pohon se shkarkimin e tij e ka firmosur Berisha me kërkesë të ministres Godo. Është e drejtë
Pepa: Po iki se më shkarkoi Kryeministri
Drejtori i spitalit më të madhe në vend “Nënë Tereza”, Mati Pepa, ditën e hënë largohet nga drejtimi i këtij spitali për t’i lanë detyrën dikujt tjetër. Tashmë largimin e tij e ka firmosur vetë kryeministri Sali Berisha me kërkesa të ministres së Shëndetësisë, Anila Godo. Pas shumë kërkesave që i kanë bërë ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka dhe tashmë Anila Godo duket që kryeministri nuk e ka hedhur poshtë kërkesën e kësaj të fundit që Pepa të lërë detyrën. “Sigurisht që kryeministri e ka firmosur shkarkimin tim. Ndoshta është një veprim mëse normal pasi sa herë që ndërrohen ministrat vjen edhe ndryshimi i stafit duke filluar që tek drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” që është një post mjaft i rëndësishëm”,- pohon Pepa për gazetën, duke shtuar se ka dhënë maksimumin për drejtimin e këtij institucioni. Ndërkohë ai disa ditë më parë e ka kritikuar Godon për zëvendësimet që po bën. “Zëvendësimet që po u bën Anila Godo menaxhereve me mjekë, janë hap mbrapa në reformimin e shëndetësisë. Spitalet kanë nevojë për administrim dhe këtë punë mund ta realizojnë vetëm menaxherët e mirëfilltë”,- ka theksuar Pepa. Ndërsa ministria e Shëndetësisë i është kundërpërgjigjur se kreu i QSUT-së duhet të dalë nga radhë e shëndetësisë. “Do të ketë lëvizje në QSUT në mënyrë të padiskutueshme. Ky spital është e vetmja qendër terciare që do të thotë se është edhe qendër studimore, që do të thotë se spitali bashkëpunon me universitetin. Për këto arsye kemi menduar se figura e parë e këtij spitali të ketë personalitete me gradë shkencore, mjek dhe pedagog në universitet”,- ka pohuar Anila Godo. e.bardhi
-----------------------------------------------Godo-OBSH-së: Na mbështesin të realizojmë reformat
Ministrja Godo, zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, partner i rëndësishëm bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë takim ajo ka gjetur rastin t’u kërkojë mbështetje dhe bashkëpunim për realizimin e reformave të ndërmarra nga ky institucion. “Shëndetësia është sektori më i ndjeshëm, ndaj duhet përkushtim maksimal dhe vëmendje për eliminimin e problemeve në kohën e duhur dhe për këtë duhet që jo vetëm qeveria shqiptare, por edhe ndërkombëtarët të tregojnë vëmendjen maksimale” - u shpreh znj. Godo. Ndërkohë përfaqësuesit e OBSH e njohën atë me projektet dhe planet në fushat e bashkëpunimit, duke ofruar mbështetje maksimale si në realizimin e reformave, ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve imediate në këtë sektor.