Periferia me shkollë të re të rikonstruktuar
Bashkia e Tiranës u ka mundësuar nxënësve të shkollës 9 -vjeçare “Androkli Kostallari”, që me fillimin e vitit të ri shkollor të zhvillojnë aktivitetin mësimor-edukativ në kushte optimale, të akomoduar pranë një godine 4-katëshe me një kapacitet prej 1700 nxënësish. Kryetari i Bashkisë Edi Rama, i pranishëm gjatë përfundimit të punimeve, u shpreh për mediat se: “Kjo është një tjetër shkollë e re në Tiranë që ringrihet tërësisht nga fillimi dhe që i jep mundësi një komuniteti të gjerë të përbërë prej familjesh të vjetra dhe të ardhura në këtë periferi të Tiranës, t’u japë fëmijëve kushtet më të mira të mundshme, me të gjithë aksesorët, me standarde europiane për klasa, palestra e kështu me rradhë dhe me sallë shfaqjesh që është në fakt unike”. Shkolla “Androkli Kostallari” ndodhet në Rrugën “Ali Demi”, në skajin veri-lindor të qytetit të Tiranës (Njësia Bashkiake Nr.1). Rikonstruksioni i plotë i këtij objekti është pjesë e projektit “Ndërtimi dhe rehabilitimi i shkollave në qytetin e Tiranës” dhe është kryer sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, ndërkohë që objektit iu bashkëlidh edhe një shtesë e konsiderueshme mjedisesh të reja, duke sistemuar kështu numrin e fëmijëve në klasa, kthimin e studimit me një turn si dhe duke siguruar kushte më lehtësuese në procesin e zhvillimit mësimor, jo vetëm për nxënësit e shkollës, por dhe për stafin mësimdhënës.Shkolla “Androkli Kostallari” ka marrë tashmë pamje tërësisht të re dhe funksionale. Numri i klasave që shkolla përmbante ishte vetëm 13 si dhe 3 laboratorë, ndërsa tani shkollës i është shtuar një kapacitet i ri ndërtimi, infrastrukturë e re dhe një mobilim terësisht i ri për klasa, kabinete, mjedise sportive etj. Shkolla e re ka një numër prej 39 klasash në total, ku 6 prej tyre do të shfytëzohen si laboratorë duke siguruar kështu standardin 32 nxënës për klasë nga 40 - 45 nxënës për klasë që kishte më parë.
E veçanta e kësaj shkolle i referohet një salle polifunksionale me sipërfaqe 200 m2 që do t’u shërbejë nxënësve për të kryer aktivitete nga më të larmishmet si teatrin e shkollës, lexime librash të reja, ekspozita etj. Palestra e shkollës ka sipërfaqe 450 m2, si dhe mjedise ndihmëse, ndërsa në mjediset e jashtme, gjelbërimika një sipërfaqe prej 400 m2.