Negociatat PS-LSI, ja propozimet për zgjedhjet
TIRANË- Përcaktimi nga ana e kryeministrit Berisha i qershorit, si muaji më i mundshëm kur dhe mund të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ka vënë në lëvizje opozitën për të “shkrirë akujt” në marrëdhëniet mes tyre dhe për të realizuar më pas një formë efikase bashkëpunimi për të maksimizuar rezultatin elektoral. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dy forcat e mëdha të spektrit të majtë, kanë lënë pas të shkuarën e mosmarrëveshjeve dhe kanë nisur dje përpjekjet, në një takim të parë midis tyre për të përafruar qëndrimet për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe perspektivën për garën e ardhshme elektorale, pavarësisht se nuk kanë arritur pothuajse asnjë rezultat në këtë drejtim.
Takimi
Valentina Leskaj dhe Fatmir Xhafaj nga PS dhe Pëllumb Xhufi dhe Spartak Braho nga LSI janë takuar dje në ambientet e kryesisë së Kuvendit ku dhe i kanë paraqitur njeri-tjetrit paketat e tyre të propozimeve për mënyrën sesi duhet realizohet reforma zgjedhore, duke u përqendruar kryesisht në disa çështje kryesore të saj, që kanë të bëjnë me koalicionin, kompozimin dhe varësinë e KQZ-së, komisionet dhe grupet e numërimit apo administrimit të procesit zgjedhor. Jo vetëm çështjet tepër delikate që u shtruan për diskutim, por edhe sjelljet konfliktuale që kanë shoqëruar marrëdhëniet midis këtyre dy partive gjatë kohëve të fundit, kanë bërë që takimi të shoqërohej nga një ndjenjë mosbesimi mes palëve, çka ka bërë që diskutimet herë-herë të kalonin dhe në debate të forta. Siç mësohet nga burime pranë këtij takimi, të dyja palët kanë qenë shumë larg në pozicionet e tyre duke vendosur një sërë kushtesh deri diku të pamundura për tu pranuar nga secila prej tyre.
Propozimet
Partia Socialiste ashtu siç bëri të ditur edhe kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj pas takimit, ka propozuar që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet lejimi i krijimit të koalicioneve të përbëra, i cili parashikon që secila forcë brenda një spektri politikë kandidon në çdo qark me listat e veta të kandidatëve, ndërsa votat llogariten në bazë koalicioni. “Kemi diskutuar sigurisht për çështje politike që kanë të bëjnë me koalicionin, duke hedhur dhe opsionin që ne kemi përsa i përket koalicionit të përbërë”, - tha Leskaj pas takimit. Një tjetër propozim i socialistëve në këtë tryezë ka qenë dhe ai që ka të bëjë me kompozimin e komisioneve dhe grupeve të numërimit të votave, për të cilat PS kërkon që ato të kufizohen në numër, por edhe të përbëhen jo më nga përfaqësues politik por teknikë, kryesisht juristë. Kështu më konkretisht PS ka propozuar që KQZ të bëhet një institucion që vepron në kohë zgjedhjesh dhe numri i anëtarëve të saj të kufizohet në 5 ose 7 anëtar. Gjithashtu mësohet se përfaqësuesit socialistë kanë propozuar që komisionet vendore të zgjedhjeve dhe grupet e numërimit përveçse të jenë me numër më të pakët anëtarësh duhet të mos jenë me përbërje politike. Sipas këtij propozimi, parashikohet që këto komisione të jenë të përbërë vetëm me juristë apo njerëz të tjerë të profesioneve të spikatura. Por nuk ka qenë vetëm PS ajo që ka paraqitur propozime konkrete, pasi edhe LSI megjithëse nuk ka pranuar dje që të japë një vlerësim për propozimet e socialistëve duket se nuk është dakord me shumicën e tyre, pasi pothuajse për të gjitha këto propozime ka paraqitur variantet e veta alternative. “Biseduam për disa çështje konkrete që kanë të bëjnë me kodin e ri zgjedhor që ne mendojmë se do të mund ky kod të rregullonte diçka nga ajo që u prish me ndryshimet kushtetuese, sidomos për ato nene që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore”, - tha Xhufi. LSI në paketën e saj të propozimeve ka renditur 7 qëndrime apo kushte mbi të cilat mund të realizohet reforma zgjedhore. Më konkretisht LSI në propozimet e veta më kryesore parashikon pjesëmarrje në procesin e numërimit të votave të çdo subjekti konkurrues,KQZ-ja të përbëhet nga përfaqësues të çdo subjekti konkurrues, apo edhe aplikim të sistemit kombëtar të korrektuar. Ndërkohë e vetmja çështje për të cilën të dyja palët kanë rënë dakord gjatë takimit të djeshëm ka qenë zëvendësimi i numërimit manual të votave me numërimin elektronik. Të dyja palët pasi janë njohur me qëndrimet e njëra-tjetrës dhe janë tërhequr për ti studiuar dhe për të paraqitur ditët në vijim një material shkresor me vlerësimet për secilën nga propozimet.
Propozimet e PS-së
Përcaktimi në kod dhe dalja e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me koalicion të përbërë
Krijimi i një KQZ-je “part-time”, vetëm gjatë proceseve zgjedhore.
Reduktimi i numrit të anëtarëve të KQZ-së në 5 ose 7 anëtar.
Krijimi i Komisioneve vendore zgjedhore dhe grupeve të numërimit me përbërje apolitike
Numërimi votave në mënyrë elektronike
Propozimet e LSI-së
Pjesëmarrja në procesin e numërimit të votave të çdo subjekti konkurrues
KQZ-ja të përbëhet nga përfaqësues të çdo subjekti konkurrues
Aplikimi i sistemit kombëtar të korrektuar do të eliminonte pjesërisht efektin “Dushk”
Partitë që kalojnë pragun elektoral kombëtar të kenë mundësinë që të përfaqësohen në parlament
Procesi i numërimit të votave të zëvendësohet nga numërimi manual me numërimin elektronik
Hartimi i listave të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime
----------------------------------------------Flasin pas takimit Valentina Leskaj dhe Pëllumb Xhufi
Propozimi, Leskaj: Në zgjedhje me koalicion të përbërë
TIRANË- Socialistët propozojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partitë politike të mund të garojnë të organizuara në koalicione zgjedhore sipas spektrit përkatës. Partia Socialiste ka konkretizuar qëndrimin e saj në lidhje me këtë çështje dhe i ka kërkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim që të mbështesë propozimin për të sanksionuar në kodin zgjedhor hapësirën ligjore për krijimin e koalicioneve të përbëra zgjedhore. Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje kryetarja e grupit socialist Valentina Leskaj menjëherë pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësuesit e LSI-së. Sipas Leskajt, PS mbetet e prirur që të kërkojë edhe në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore përcaktimin në kod të mundësisë për krijimin e koalicionit të përbërë. “Jemi për ndryshime dhe bërjen e një kodi elektoral i cili demokratizon sistemin. Kemi diskutuar sigurisht për çështje politike që kanë të bëjnë me koalicionin, duke hedhur dhe opsionin që ne kemi sa i përket koalicionit të përbërë”, - tha Leskaj. Në rastin e koalicioneve të përbëra çdo parti ruan listën e saj të kandidatëve. Sipas socialistëve në një sistem zgjedhor proporcional dhe në kushtet e vendit tonë, do të përshtatej më mirë një koalicion i përbërë ku votuesit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë në momentin e votimit. Në këtë rast, llogaritjet e vendeve në Kuvend, kryhen në dy faza: fillimisht, llogariten vendet e fituara nga koalicioni mbi bazën e votave të fituara nga i gjithë koalicioni dhe më tej vendet e fituara nga koalicioni i shpërndahen çdo partie në përbërje të tij, sipas votave të fituara nga secila parti. Ndërsa nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi tha se,gjatë takimit u diskutua për disa çështje konkrete që kanë të bëjnë me kodin e ri zgjedhor.”Dhe që ne mendojmë se do të mund ky kod të rregullonte diçka nga ajo që u prish me ndryshimet kushtetuese, sidomos për ato nene që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Folëm për gjendjen aspak të mirë shumë shqetësuese, madje do të thosha shumë alarmuese në të cilën ndodhet procesi zgjedhor për paaftësinë e qeverisë për të realizuar angazhimet dhe detyrimet që kanë sidomos sa i përket krijimit të regjistrit elektronik dhe të kartave të identitetit”, - tha Xhufi.