E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festival në qytetin pa kinema

Ferdinand Xhaferri 

Sot në qytetin bregdetar të Durrësit do të hapë siparin Festivali Ndërkombëtar i Filmit. Kjo ngjarje është më e cuditshme nga ç’mund të mendohet ...Kjo, sepse Durrësi, një qytet që në sezonin veror ka më shumë se gjysmë milioni banorë, nuk ka as edhe një kinema. Kinemaja e fundit doli në pension diku nga viti 2003, për t’ia lënë hapësirat e saj funksionimit të një tjetër bingoje. Duke mos pasur një kinema, gjatë këtyre viteve, kemi parë se çdo muaj jemi shtuar me një bilardo, me një disko apo me një bar. Vetëm kinema nuk ka dhe kjo për arsyen e thjeshtë se qytetarët (më shumë rinia) nuk e ndjejnë mungesën e saj. Po kështu, edhe drejtuesit lokalë duket se mendojnë se kinemaja nuk shërben për ndonjë farë pune.
Që në fillim duhet të them se çështja nuk shtrohet nëse Bashkia apo edhe institucione të tjera kanë bërë mirë apo jo që kanë mbështetur Festivalin Ndërkombëtar të Filmit. Padyshim që kanë bërë shumë mirë. Papa John Paul II duke përcjellë mesazhin e tij në Ditën Botërore të Komunikimit, në vitin 1995, do të thonte se: “Kinemaja është një komunikues i mirë i kulturës dhe i vlerave”. Dhe për promovim kulture dhe vlerash shoqëria jonë ka jo pak nevojë. Por, ngasja që më dha festivali i filmit për të shkruar këtë shkrim ka të bëjë me një problem shumë më të madh. Atë të orientimit dhe preferencave që ka shoqëria jonë dhe më konkretisht adoleshentët, apo siç njihen edhe globalisht teenage. Kur kinemaja funksiononte në Durrës, dhe duhet thënë se ishte një kinema goxha e mirë, nuk shiheshin më shumë se 5 apo 6 shikues, edhe pse filmat ishin të saposhfaqur edhe në kinemanë evropiane. Çmimi i biletës ishte më se i arsyeshëm, por ndërsa bilardot dhe baret rrinin plot, kinemaja rrinte bosh. Pra, mungesa e frekuentimit të kinemasë nuk ishte punë varfërie, por ishte thjesht çështje shije. Kjo do të thotë se kinemaja konsiderohet e dalë mode në krahasim me preferencat e rinisë së sotme. Dhe ky është edhe problemi më i madh. Mungesa e një kinemaje në qytetin e dytë në vend është tregues i një shqetësimi të përgjithshëm për nivelin kulturor, nivelin e edukatës dhe mënyrën e komunikimit të një brezi të ri. E thënë më shkoqur, mungesa e një kinemaje është edhe shprehje e asaj rinie që nuk di të diskutojë për një film apo për një libër, por vetëm për modelet e celularëve dhe emrat e pub-eve në qytet. Mungesa e një kinemaje është edhe shprehje e një rinie që nuk di se ku ndodhet biblioteka, por di shumë mirë dhe diskuton plot pasion për emrat dhe bëmat e të fortëve të qytetit. Pra, nuk është e rastësishme që qyteti nuk ka një kinema. Kinemaja ka dalë e panevojshme, sikundër ka dalë i panevojshëm investimi i prindërve për të edukuar fëmijët e tyre, duke menduar se kjo punë fillon dhe mbaron tek paratë që japin te shkollat private. Kinemaja ka dalë e panevojshme sikundër ka dalë i panevojshëm detyrimi i arsimtarëve që, përveç kurseve private, duhet t’u thonë nxënësve se shkolla nuk është një vend ku bëhet paradë minifundesh, apo ku qarkullojnë në telefonat celularë video të rinjsh që ekspozojnë nudo. Kjo nuk do të thotë se nuk ka të rinj që shkëlqejnë me rezultatet e tyre dhe që po shkollohen me bursa të fituara në universitetet më me emër në botë. Kjo thjesht do të thotë se ata janë shumë pak dhe fatkeqësisht po bëhen gjithnjë e më pak. Sikundër duket janë shumë gjëra që mungojnë dhe shumë instrumente që duhen lëvizur dhe lëvizur fort për të orientuar për së mbari shoqërinë tonë. Por, të paktën le të shpresojmë se Festivali Ndërkombëtar i Filmit do të stimulojë oreksin e qytetarit durrsak për të hapur një kinema.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›