E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbytet në fuqinë e ujit vajza 3-vjeçare



MALLAKASTËR – Një vajzë 3-vjeçare ka humbur jetën dje paradite ndërsa ishte duke luajtur në oborrin e shtëpisë së saj. Ngjarja ndodhi në fshatin Lavdan të rrethit Mallakastër, vetëm pak kilometra larg qytetit të Ballshit. Matilda Mera, tre vjeçe, ishte duke luajtur në oborrin përpara shtëpisë kur në një çast që gjendej e vetme, jashtë vëmendjes së prindërve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, i ka rënë lodra në një fuçi me ujë. E vogla ka bërë përpjekje për të kapur në ujë lodrën që të vazhdonte lojën, por ndërsa përpiqej ta arrinte me duar, ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në fuçi. Kur kanë shkuar në vendngjarje, prindërit kanë gjetur të pajetë vajzën e tyre.

Aksident automobilistik, humb jetën 50-vjeçari

DURRËS - Një 50 vjeçar humbi jetën dje, pasi u përplas nga një automjet teksa po udhëtonte me një motorçikletë në rrugën Durrës-Porto Romano. Burime zyrtare nga polici bënë të ditur se " Enver Basha, 50 vjec, mesditën e së enjtes, rreth orës 13;00, teksa po udhëtonte me një motorçikletë tip "Piaggio", në lagjen periferike të Spitallës", është përplasur nga një makinë, dhe pas disa minutash ka gjetur vdekjen. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që 30 minuta më vonë në Porto Romano është gjetur një makinë me targë TR 4161 I, e cila ishte braktisur dhe kishte marrë një goditje në pjesën e përparme të saj. Mësohet se policia po punon për të identifikuar drejtuesin e mjetit.

Arrestohet zjarrvënësi i pyjeve të Krastës

KRUJË – Pas disa orësh hetimi, policia ka arritur të identifikojë dhe prangosë autorin e zjarrvënies së masivit pyjor të Krastës, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë më parë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Besim Tali, lindur dhe banues në Fushë Krujë. Prangosja e 57-vjeçarit u bë për arsye se dy ditë më parë, rreth orës 12.25, në vendin e quajtur “Kodra e Krastës”, dyshohet se i ka vënë zjarrin pishave, duke dëmtuar një sipërfaqe prej rreth 3.5 hektarë, me vlerë të përafërt prej 1.300.000 lekë. Shtetasi Besim Tali akuzohet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. Dosja i ka kaluar për hetime prokurorisë së Krujës.

Ndalohet 48 vjeçarja, ishte dënuar për kultivim Cannabisi

VLORË - Policia e Vlorës ndaloi një 48 vjeçare, e cila ishte dënuar me dy vjet burg për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Rezarta Leli, tha se "Inxhi Xhaferraj u ndalua gjatë një aksioni të uniformave blu në banesën e saj në fshatin Velçë, 50 km larg qytetit, në kuadrin e operacionit "Kujtesa për ligjin", në zbatim të vendimit të gjykatës së shkallës së parë të muajit dhjetor të vitit 2004, që e kishte dënuar atë me 2 vjet burg. Prangosja e Xhaferrajt, e çon në 25 numrin e personave të arrestuar gjatë këtij viti nga Policia e Vlorës, në kuadrin e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Vdes aksidentalisht nga helmi i moshuari

ELBASAN – Një person është helmuar, duke gjetur vdekjen, jo përmes një akti vetëhelmues, por krejt aksidentalisht. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se një 72 vjeçar humbi jetën në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë në Spitalin Rajonal, pasi është vetëhelmuar aksidentalisht me fostoksinë. Burime të policisë lokale thanë se "Q. XH, 72 vjeç, humbi jetën mbrëmjen e dy ditëve më parë, pasi kishte pirë dy kokrra fostoksinë, të cilat i kishte gjetur në rrugë, shumë pranë banesës së tij". Sipas policisë, vdekja e të moshuarit konsiderohet aksidentale, ndërsa ka nisur hetimi për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›