Nënkryetari i PD, Patozi: Ndryshime në Qeveri pas Presidentit

Astrit Patozi
Intervista/ Flet kreu i Grupit të maxhorancës: Ndryshimet do të ishin pozitive, do ti jepnin një ritëm tjetër kabinetit.
Flet nënkryetari dhe kreu i Grupit të PD.
Nuk e shoh Nanon si President të ardhshëm, Rama nuk e ka sinqerisht propozimin e tij
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje gjatë një interviste në emisionin Debat të gazetarit Alfred Peza në Vizion Plus, se ndryshimet në qeveri, pas zgjedhjes së Presidentit të ri, janë të nevojshme për ti dhënë një ritëm të ri kabinetit qeveritar. Patozi përjashtoi dhe kandidaturën e vetëshpallur të Fatos Nanos si President i Republikës.
Një natë më parë, zoti Fatos Nano është i pari që ka shpallur kandidaturën dhe është vetë-ofruar si kandidaturë për kreun e ri të shtetit. Jam i saktë me këtë përcaktim?
Jeni deri diku, për shkak se unë nuk e quaj risi apo një ngjarje të pazakonte ofertën e zotit Nano, pasi është një film i parë njëherë, të paktën para 5 vitesh, në vitin 2007. Dhe nuk shoh të ketë ndonjë gjë të re dhe ndonjë befasi për publikun. Nuk mendoj që dalja publike e zotit Nano pa ekuivokë ka hapur garën për President. Unë mendoj që jemi ende shpejt. Unë mendoj që do të jetë një garë normale që do të vijojë në shtratin e vet kushtetues dhe do të ketë një përfundim dinjitoz. Pra, nuk mendoj që dalja e zotit Nano i ka hedhur benzinë zjarrit dhe ka hapur garën, apo ka rritur emocionet e garës. Unë mendoj që do jetë një rrjedhë normale dhe unë mendoj që ne do të kemi produkt sa kushtetues, edhe dinjitoz.
Gjithsesi, zoti Nano ka votuar më 8 maj për zotin Lulzim Basha, njëkohësisht, tha që mandati i tij është i fituar në mënyrë demokratike dhe nuk është rrëmbyer mandati i Edi Ramës. Çka tregon që është më pranë qëndrimeve tuaja politike…
Unë nuk besoj që kjo deklaratë e zotit Nano, që nuk ka qenë kaq eksplicite saç ju po e shprehni, të jetë bërë për të mikluar maxhorancën, që zoti Nano të jetë produkt i kandidimit nga maxhoranca. Unë besoj që zoti Nano është shumë i qartë që nuk mund ta presë nga PD-ja kandidimin, por nga ana tjetër, Nanos i duhet një mbështetje hipotetike nga partia e tij, nga partia të cilën ai e ka themeluar vetë. Për shkak të qëndrimeve ambigue të zotit Rama, për të mos thënë për historinë e tyre, e cila ka pasur zigzaget e veta dhe oshilacionet e veta. Historinë personale që ka Fatos Nano me Edi Ramën, dhe unë mendoj që zoti Nano duhet ti ketë parasysh dy gjera para se të nisë atë parafushatën presidenciale, po themi, e cila tek e fundit mund të jetë një fushatë që mund të zhvillohet në kafene apo studio televizive, dhe askund tjetër. Sepse nuk është një fushatë që do të testojë opinionin publik, apo do të kërkojë mbështetjen e zgjedhësve shqiptarë. Zoti Nano duhet të ketë dy merake, nëse e ka seriozisht zoti Rama që Nano mund të jetë një nga kandidatët e propozuar nga PS-ja, sepse unë besoj se nuk e ka sinqerisht.
Pse besoni që nuk është e sinqerte? Dhe a është ky një diversion?
Unë besoj kështu, sepse zoti Rama nuk e ka mbyllur përfundimisht derën e zotit Nano si një kandidat potencial për postin e Presidentit të Republikës, për një arsye pragmatiste sipas meje.
Zoti Fatos Nano është një kandidat i mirë pë
Zoti Nano tha që unë aspiroj të behëm President mbi palët dhe konsensual. A është Nano në identikitin që i duhet Shqipërisë dhe këtij procesi?
Konsensual? Nuk mund të jetë për sa kohë ai nuk mund të kandidohet nga maxhoranca. Duke qenë i ekspozuar si lideri historik i së majtës, ai nuk mund të jetë i propozuar nga e djathta, dhe kjo e bën vulnerabël mbështetjen e tij të gjerë parlamentare.
Fatos Nano është takuar me Ilir Metën, aleatin tuaj në qeverisje, pikërisht në start të asaj që ai e quan gara elektorale. Sigurisht detaje nuk dihen, por ai ka njoftuar një takim me zotin Berisha, me gjithë kryetarët e partive të tjera që kanë qoftë dhe një deputet të vetëm në Parlament. Si e shikoni këtë pjesë dhe a do të jetë Berisha dhe partia juaj pjesë e takimeve?
Unë nuk mund të flas në emër të zotit Berisha, por mund të them që zoti Nano, është në të drejtën e tij të testojë të gjithë faktorët parlamentarë, nëse kanë mundësi ti japin mbështetje ose jo që ai të garojë për President i Republikës. Thashë që zoti Nano nuk ka një problem, por dy të tilla. E para, duhet të sigurojë 20 firmat, që nuk është mision i pamundur, por i vështirë për rrethanat e zotit Nano. E dyta, duhet të sigurojë që këto 20 firma ta çojnë te 71 votat në Parlamentit, që më duket një mision gati i pamundur.
Pra, nuk e shikoni si një kandidat potencial?
Nuk e shikoj si një President të ardhshëm.
Pse nuk ia pranoni opozitës dhe këtë mënyrë për të votuar me zarfe Presidentin?
Nuk e pranojmë, sepse për ne është kundër frymës së Kushtetutës dhe doktrinës për të cilën unë fola, dhe kundër tendencës demokratike globale. Nuk po shkojmë te hermetizmi i institucioneve, por te transparenca. Kur themi që po bëjmë tenderim elektronik, kur bëjmë koncesione elektronike, si mund të bëjmë si po bëkemi votën në Parlament duke e hermetizuar, duke e bërë sa më të fshehtë. Unë jam përfaqësues i lartë, dhe dua që popullit, qytetarit të thjeshtë ti garantohet fshehtësia e votës, sepse ai mund të ketë pasoja nga pushteti për shkak të zgjedhjes së tij. Por, jo unë. Qofsha në opozitë, qofsha në qeveri, unë jam shumë i prerë në zgjedhjen që bëj dhe nuk kam frikë nga askush.
Pra, nuk do të kemi votim me zarf këtë radhë për Presidentin?
Mund të kemi. Ne jemi të hapur për të gjitha llojet e opsioneve, sepse nuk kemi komplekse. Kur më tha Gramoz Ruçi e duam me dy emra dhe me fletë votimi, isha plotësisht dakord. Pastaj, kur thanë e duam pa firma, me vula, jo të gjithë bashkë etj. Se çfarë ndodh, do i firmosim të gjitha bashkë fletët dhe nuk votojnë të gjithë deputetët, vjen njëri dhe hedh tri vota në kuti pastaj. Çfarë ndodh? Po kjo tjetra me zarfe tani. I vendosim çdo zarfi numrin e kandidatëve dhe shkon një njeri atje dhe merr jo një fletë, por shtatë dhe i fut në zarf. Shtatë fletë Alfred Peza kandidat për President dhe i fut aty dhe lë shtatë të tjerë pa votuar. Këto janë vështirësi teknike dhe ne si maxhorancë nuk merremi me këto. Për ne ka rëndësi që procesi të jetë korrekt dhe brenda Rregullores dhe të garantohet fshehtësia e votës me të dyja mënyrat. Edhe me elektronikë, edhe me kuti. E duan me kuti, me kuti do e bëjmë, e duan me zarf, me zarf. Si ta duan. Por maska jo. Kazino nuk mund të jetë Parlamenti.
Pyetja e fundit, ambasadori amerikan ka deklaruar se qeverisja e lodhur, kuptohet deri në zgjedhjen e Presidentit apo edhe për shkaqe politike dhe për shkak të stabilitetit të maxhorancave, nuk pritet të ketë ndryshime në qeveri apo freski për një start tjetër. Ju në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të PD-së, mendoni që pas zgjedhjes së presidentit ka nevojë për ndryshime ne qeveri në mënyrë që para zgjedhjes së 2013-s maxhroanca të ketë një tjetër ritëm?
Dua të sqaroj që ashtuquajtura deklaratë e ambasadorit të SHBA-ve është keqinterpretuar apo është nxjerrë jashtë kontekstit për ta përdorur kundër performancës, po them të qeverisë. Nuk ka qenë tekstualisht kështu, por ka qenë diçka e ngjashme, dhe aq më tepër që zoti Arvizu ka cituar zëra dhe nuk ka shprehur bindjen e tij për këtë çështje. Unë nuk konsideroj që kemi qeverisje të lodhur, por përkundrazi, kemi një qeverisje që ecën me një ritëm normal të kurbës së saj, drejt mandatit katërvjeçar. Tani, a do ketë ndryshime në qeveri? Kjo ësht