Licenca e dytë për interkonjeksion skadoi, qeveria e rimiraton
Investimet
Një kompani italiane humbet afatin ligjor për fillimin e punimeve
Kompania italiane “Biopower Green Energy”, sh.p.k., e cila një vit më parë mori licencën nga qeveria shqiptare për të ndërtuar një impiant energjetik me vlerë mbi 1 miliard euro në zonën e Lezhës, humbi afatin kontraktual njëvjeçar për fillimin e punimeve në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kallmet/Lezhë-Zapponeta/Manfredonia, Itali, por mori nga qeveria menjëherë një afat tjetër njëvjeçar.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën anulimin e kontratës së parë dhe nënshkrimin e një kontrate të re me këtë kompani. Vetëm një muaj më parë, e njëjta procedurë u ndoq edhe për të rinovuar licencën e skaduar të kompanisë italiane “Enel”. Kjo e fundit pati premtuar disa miliardë euro investime për termocentral me qymyr në Porto Romano, si edhe për një linjë interkonjeksioni energjetik 400 kilovolt Shqipëri-Itali.
Linjat e interkonjeksionit supozohet se do të dërgojnë në Itali energjinë e prodhuar në Shqipëri nga sipërmarrësit e huaj. Sipas kontratës së koncesionit, rreth 20 për qind e kapaciteteve të linjës që do të ndërtohet me fonde private, do të mund të përdoret pa pagesë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, një kompani shqiptare nën pronësi publike. Qeveria ka lëshuar gjashtë licenca të tilla, por deri tani asnjëra prej tyre nuk ka filluar punimet.
#