Erozioni, 140 mijë hektarë tokë në rrezik
Erozioni i tokës është një çështje me të cilën po përballet edhe Shqipëria, e cila klasifikohet si një nga vendet mesdhetare me nivelin më të lartë të erozionit nga 21.4 në 34.7 ton /ha për vit. Ky fakt është bërë i ditur nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, sipas të cilit humbja e tokës është rezultat i degradimit të bimësisë apo nga punë hidro-teknike që kryhen. Ministri i Mjedisit ka deklaruar se aktualisht në vendin tonë ka rreth 140 000 ha tokë të riskuara nga erozioni. Këto deklarata ministri Mediu i ka bërë dje gjatë Konferencës Botërore të Koalicionit Ndërkombëtar për Tokën që po zhvillohet në Tirane nga 24 deri më 27 maj me përfaqësues nga e gjithë bota. Sigurimi i aksesit ndaj tokës për të varfrit në kohët e konkurrencës intensive për burimet natyrore është tema rreth së cilës po diskutohet në konferencën për tokën. Koalicioni Ndërkombëtar për Tokën, që është pjesë e IFAD-it, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor, përbëhet nga 81 organizata anëtare në mbi 40 vende, duke përfshirë agjencitë e OKB-së, organizma të tjerë ndërkombëtarë, shoqata të fermerëve dhe instituteve kërkimore. Shqipëria u zgjodh si vendi Konferencës Botërore në shenjë njohjeje të sfidave dhe mundësive të ofruara nga konteksti lokal për sa i përket aksesit ndaj tokës. Në këtë konferenca ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili prezantoi projektet e rëndësishme kombëtare të ndërmarra nga qeveria shqiptare, nëpërmjet të cilave synohet një shfrytëzim më racional i pasurive, i pyjeve, kullotave, i tokës në tërësi. Konferenca synon të promovojë krijimin e një rrjeti global dhe shkëmbimin e ideve ndërmjet aktorëve të ndryshëm në sektorin e tokës; të ngrejë profilin e çështjeve e aksesit ndaj tokës dhe pronës në nivel global dhe të mbështesë proceset e politikave të tokës në Shqipëri, duke angazhuar politikëbërësit dhe shoqërinë civile në shkëmbimin e eksperiencës së përftuar me një sërë aktorësh ndërkombëtarë. Dialogu mbi politikat e tokës dhe qeverisjen dhe lidhjen e tyre me çështje si siguria e ushqimit, pamjaftueshmëria e burimeve natyrore, ndryshimi i klimës e shumë të tjera janë vetëm disa nga temat e konferencës. Pjesëmarrësit në program do të vizitojnë komunitetet pyjore të Shqipërisë, për të mësuar më shumë nga banorët lokalë, ndërkohë që një sërë panelesh do ofrojnë hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërkombëtare. Konferenca do të mbyllet me Asamblenë e Anëtarëve, organi më i lartë qeverisës i Koalicionit.