E Shtunë, 31 Tetor 2026

Licencat e taksive, Bashkia e Tiranës hap konkurrimin për 338 subjekte



Jonida Tashi

Bashkia e Tiranës ka hapur dje zyrtarisht procesin e konkurrimit për dhënien e 338 licencave për shërbimin taksi. Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia e kryeqytetit, 334 licenca do të jenë për taksitë 4+1 dhe vetëm 4 për taksitë 8+1. Dita e djeshme ka qenë edhe data e parë e dorëzimit të aplikimit, ndërkohë që në këtë proces mund të marrin pjesë të gjitha subjektet fizike apo juridike të interesuara për ushtrimin e këtij shërbimi.
Konkurrimi
Procesi i konkurrimit do të kryhet, sikurse është përcaktuar në rregulloren e miratuar nga ana e Këshillit Bashkiak nëpërmjet sistemit të pikëve që do të grumbullohen, mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga të interesuarit. Rregullorja përcakton se ky dokumentacion duhet të dorëzohet nga subjektet e interesuara pranë Zyrës së Informimit Qytetar në Bashkinë e Tiranës, deri më 15 maj 2010. Bashkia e Tiranës bën të ditur se të gjitha aplikimet e kryera pas datës 15 maj nuk do të merren në shqyrtim. Pasi të jetë dorëzuar dokumentacioni i nevojshëm, ai do të shqyrtohet nga komisioni i ngritur në Bashki dhe shpallja e rezultateve do bëhet brenda 60 ditëve. Për sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së fituesve dhe prioriteteve në shqyrtimin e dokumentacioneve, të parët në shqyrtim do të jenë subjektet fizike (shtresa në nevojë), të dytët do të jenë subjektet juridike, dhe të tretët subjektet e tjerë fizikë. Dokumentacioni duhet të paraqitet i plotë. Në të kundërt, aplikimi nuk mund të kryhet, përveç rasteve kur mangësia në dokumentacionin e paraqitur nuk është për faj të subjektit.
Përzgjedhja
Mënyra e përzgjedhjes së fituesve do të bëhet në bazë të disa etapave që specialistët do të ndjekin hap pas hapi. Të parët që do të merren në shqyrtim do të jenë subjektet fizike (shtresa në nevojë) dhe do të vlerësohen sipas pikëve të fituara dhe në rast pikësh të barabarta sipas numrit hyrës të protokollit. Të dytët në shqyrtim do të jenë subjektet juridike, sipas pikëve të fituara dhe në rast pikësh të barabarta sipas numrit hyrës të protokollit. Të tretët në shqyrtim do të jenë subjektet e tjera fizike, të cilat do të përzgjidhen sipas pikëve të fituara ose pa pikë dhe në rast pikësh të barabarta sipas numrit hyrës të protokollit. Në Tiranë operojnë mjete taksi 4+1, nga të cilat janë licencuar 500 të tilla, ndërsa pjesa tjetër mund të konsiderohet veprimtari pirate. Taksi të tipit 8+1 (fugon), janë të licencuara vetëm 50 të tilla, që mund të qarkullojnë brenda kritereve të përcaktuara me ligj.
Pakënaqësitë
Taksitë pirate janë problemi kryesor që taksistët e licencuar po hasin çdo ditë në punën e tyre të ligjshme. Autoritetet vendore kërkojnë që të marrë fund amullia e taksive dhe pakënaqësitë e shoferëve të taksive për shkak të konkurrencës së pandershme. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka nisur sensibilizimin e qytetarëve për të ndalur piraterinë e taksive nëpërmjet informimit të qytetarëve. Ky aksion informues do të realizohet me anë të shpërndarjes së fletëpalosjeve, të cilat shpjegojnë me hollësi shenjat dhe veçoritë e automjeteve të licencuara nga Bashkia. Specialistët kanë përcaktuar të gjitha karakteristikat e taksive të të dyja tipave, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin për udhëtim taksitë e licencuara. Nga rregullat e përcaktuara do të përfitojnë shoferët e taksive, si dhe pushteti vendor që vjel taksa nga ky shërbim. Bashkia paraqet nëpërmjet fletëpalosjeve tiparet karakteristike të taksive. Për automjetet e licencuara 4+1 shenjat dalluese janë: targat e verdha, logoja e Bashkisë e stampuar, taksimetri, mbishkrimi “taksi” ose “taksi”, çmime të afishuara si në pjesën e jashtme ashtu edhe nga brenda, ngjyra e verdhë dhe licenca e lëshuar nga Bashkia. Për identifikimin e mjeteve 8+1, shenjat janë të njëjta, përveç ngjyrës së mjetit e cila është e bardhë me një shirit blu dhe një të kuq.

Taksimetri në shërbimin taksi
Taksimetri nënkupton tabelën e çmimeve të udhëtimit, duke pasur parasysh orën e udhëtimit, kilometrat e kryera, udhëtimi gjatë ditës dhe natës, udhëtimet jashtë rretheve etj. Të gjitha të dhënat janë vendosur në pjesën e dukshme të makinës, në kroskotin e automjetit. Në këtë pjesë është shkruar qartë emri i taksistit, numri i celularit, numri i taksisë, targa, çmimi me qindarka, që klienti duhet të paguajë për udhëtimin e kryer. Taksimetri është një pajisje elektronike e vendosur në kroskotin e taksisë, e cila bën të mundur kombinimin e llogaritjes së distancës së përshkruar, me tarifën e vendosur për çdo kilometër udhë të kryer. Në këtë mënyrë, klientët nuk do të bëjnë pazare për udhëtimin, por do të paguajnë në bazë të tarifave të afishuara në taksi dhe ngelet në dëshirën e tyre nëse do të pranojnë të udhëtojnë me ato tarifa ose jo.

Mënyra e përzgjedhjes së fituesve
Prioritetet në shqyrtimin e dokumentacioneve (si do të renditet shqyrtimi) do të jenë si më poshtë:
1. Të parët në shqyrtim do të jenë subjektet fizike (shtresa në nevojë), sipas pikëve të fituara dhe në rast pikësh të barabarta sipas nr. hyrës të protokollit.
2. Të dytët në shqyrtim do të jenë subjektet juridike, sipas pikëve të fituara dhe në rast pikësh të barabarta sipas nr. hyrës të protokollit.
3. Të tretët në shqyrtim do të jenë subjektet e tjerë fizik sipas pikëve të fituara ose pa pikë dhe në rast pikësh të barabarta sipas nr. hyrës të protokollit.

Sistemi i pikëve për subjektet fizike dhe ato juridike
Shtresa në nevojë
Për aplikantët që kanë invalidë anëtarë të familjes (gjitha kategoritë e invaliditetit) 5 pikë
Për aplikantët që janë të pastrehë (të regjistruar pranë BT) 4 pikë
Për aplikantët që kanë jetim anëtarë të familjes (deri në moshën 18 dhe 24 vjeç nëse vazhdojnë studimet) 3 pikë
Numri i automjeteve
Për kërkesë për licencim të mbi 30 automjeteve 8 pikë
Për kërkesë për licencim të mbi 20 automjeteve 6 pikë
Për kërkesë për licencim të mbi 10 automjeteve 4 pikë
Për kërkesë për licencim deri në 10 automjete 2 pikë
Në rast se do të jenë vetë drejtues të automjetit taksi
5 pikë
Vjetërsia e mjetit
Sasia e pikëve të vitit të prodhimit të automjeteve, do të llogaritet sipas mesatares së vitit të prodhimit të të gjitha automjeteve të paraqitura për licencim.
Një vit nga viti i aplikimit 10 pikë
Dy vite nga viti i aplikimit 9 pikë
Tre vite nga viti i aplikimit 8 pikë
Katër vite nga viti i aplikimit 7 pikë
Pesë vite nga viti i aplikimit 6 pikë
Gjashtë vite nga viti i aplikimit 5 pikë
Shtatë vite nga viti i aplikimit 4 pikë
Tetë vite nga viti i aplikimit 3 pikë
Për mjetet me më shumë se tetë vjet 0 pikë
Mjetet me benzinë
Aplikimi me makinë me benzinë 10 pikë
Llogaritet përqindja e mjeteve të paraqitura me lëndë djegëse benzinë, në raport me mjetet e tjera, ku për çdo 1-25%-sh të këtyre automjeteve fiton 5 pikë
Aplikimi me makinë me benzinë 10 pikë

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›