E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dhënat personale, komisioneri shqiptar me të drejtë vote në Europë



Komisioneri shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale do të ketë të drejtë vote në Konferencën e Autoriteteve Europiane për Mbrojtjen e Privatësisë dhe të Dhënave Personale. Në datat 29-30 prill në Pragë u mbajt Konferenca e radhës e autoriteteve europiane për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale (Konferenca e Pranverës). Në këtë konferencë rreth 32 vende të ndryshme u përfaqësuan me delegacione respektive, përkatësisht vendet e Bashkimit Europian, si dhe vende jo anëtare të BE-së, të ftuar në cilësinë e vëzhguesit, sikurse edhe autoriteti shqiptar. Tema e përgjithshme e konferencës ishte: “Pesho mbi të kaluarën, duke menduar të ardhmen”. Konferenca u organizua dhe u mbajt në katër sesione. Në sesionin e parë u diskutuan çështjet në lidhje me monitorimin kudo në hapësirë dhe kohë të internetit. Në sesionin e dytë u diskutua gjerësisht mbi përdorimin e internetit nga fëmijët dhe rënien në grackë të rrjeteve që nuk i përkasin grup moshave të tyre. Në sesionin e tretë u diskutuan çështjet mbi mbrojtjen e të dhënave personale të cilat ndodhen në “udhëkryq” dhe masat që autoritetet mbikëqyrëse duhet të ndërmarrin për zgjidhjen e problematikave te hasura. Gjithashtu, në këtë sesion u trajtuan edhe raste dhe u diskutuan temat mbi të dhënat personale të bëra publike, si një balancë ndërmjet të drejtës për informim dhe të drejtës për privatësi. Në përfundim të sesionit të fundit u zhvillua me dyer të mbyllura mbledhja e Komitetit të Akreditimit. Me një vendim të përbashkët unanim ky Komitet vendosi akreditimin e komisionerit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale, si anëtar me të drejtë vote në këtë konferencë.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›