“Lider”, në kërkim të një kryeministri
26/12/2008 Tashmë është bërë e modës realizimi i spektakleve të etiketuara si “reality-show”. Në gamën e këtyre programeve një tjetër format i këtij lloji u shtohet televizioneve shqiptare. “Lider” është sipërmarrja më e re e televizionit “Klan” për këtë sezon, që sipas organizatorëve është i një modeli krejt tjetër nga ato që kemi parë deri më sot. “Një ofiçinë” që do të prodhojë liderin, politikanin e së nesërmes, që politika shqiptare nuk e ka parë ende. Madje, ata theksojnë se fituesi në këtë reality-show do të ketë ato vlera dhe zotësi që është shumë e mundshme që brenda njëzet vjetve të kapë postin e presidentit, të kryeministrit, të kryetarit apo kryetares së Parlamentit. “Sigurisht, ai nuk do të jetë mbinjeriu i Niçes, nuk do të jetë princi i Makiavelit, nuk do të jetë Sokrati i paraqitur nga Platoni, as Drakula, që u pinte gjakun bashkëkombësve të vet, as Kaligula, që përdhunonte si zot i politikës dhe i shtetit femrat e bukura të shtetit të vet, ndofta do të jetë demagog, ndofta mashtrues i masave, nuk e di, por një tip lideri do të jetë. Pra, bashkë me publikun dhe grupin realizues, me qytetarët ne do të jemi një si tip Frankeshtajni, që nxjerr në jetë një krijesë të re. Ai do të krijojë veten e vet para publikut. Sepse një politikan dhe një lider i zoti nuk është ai që e njeh familja e tij, nuk është ai që është, por është miti që ai ka ditur t’u injektojë turmave, publikut për veten e tij”, - vëren prof. dr. Artan Fuga në pozicionin e konsulentit të përmbajtjes në këtë program. Audicionet e filluara prej disa ditësh do të vijojnë me përzgjedhjen e 50 të rinjve nga një juri ekspertësh, të cilët në një fazë të mëvonshme do të kenë mundësinë të prezantojnë vetveten në 4 seri emisionesh, që do të transmetohen gjatë muajit janarit. 16 prej tyre, që do të shfaqin tiparet më të spikatura për formatin e këtij “reality”, do të përzgjidhen me votim popullor dhe me konsulencën e përhershme të jurisë. Ata do të hyjnë në një shtëpi, por duke mos u izoluar për asnjë çast nga kultura dhe zhvillimet e jashtme dhe gjithçka do të transmetohet 24 orë non stop.