E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët e rajonit takohen në Zagreb

Në takim morën pjesë presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë dhe Malit të Zi. Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu mori urimet më të mira nga Presidenti shqiptar Bamir Topi dhe Presidenti kroat në largim Stipe Mesiç, me rastin e dyvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Presidentët Topi dhe Mesiç kanë shprehur bindjen se ky çast historik ka ndryshuar përfundimisht realitetet politike në rajonin e Ballkanit, duke e ndarë atë përfundimisht nga mentalitetet dhe hijet e së shkuarës së trazuar, dhe e ka futur rajonin në një rrugëtim pa kthim drejt së ardhmes së sigurte euroatlantike.

Gjithashtu Topi dhe Mesiç kanë vënë në dukje rolin e klasës politike kosovare, por edhe të popullit të Kosovës për të konsideruar dhe bashkëvepruar në kohë, me maturi dhe me pjekuri në situata të rëndësishme për zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror të shtetit më të ri në botë, si dhe vunë në dukje se diplomacia e vendeve respektive është e angazhuar në mbështetje të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë shtete anembanë rruzullit.

Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu ka shprehur mirënjohjen e thellë për popullin shqiptar dhe për atë kroat në momentet më të vështira për Kosovën. Biseda në takimin e katër presidentëve, që ndodhen në Zagreb me rastin e inaugurimit nesër të Presidentit të ri kroat, Ivo Josipoviç, u përqendrua në rritjen e nivelit të dialogut politik, thellimit të bashkëpunimit rajonal ekonomik dhe përfshirjen e Kosovës në takime dhe tryeza shumëpalëshe rajonale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›