E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mostra" i Librazhdit rrëfen krimet e tij

Ngjarja e ndodhur në fillim të shkurtit përmbylli kapitullin e vrasjeve makabre të këtij shtetasi. Ai tha para gjykatës, se gruan e kishte vrarë pasi e tradhtonte.

“Ish-gruan, Mimozën, e vrava, pasi ajo më tregoi gjatë rrahjes se më tradhtonte me Xhevat Gjatën. Nuk e mbaj mend se çfarë viti ishte, pasi ka shumë kohë. Mbaj mend se ishte festa e Bajramit të Vogël. Kur u ktheva nga Greqia gjeta në dhomën e gjumit një palë këpucë. Rreth orës 22:30 bëra debat me gruan dhe pastaj kur ramë në gjumë filluam të grindeshim më shumë. Fillova ta qëlloj me grushte dhe shkelma pa mëshirë. Nga dhimbjet ajo më tregoi, duke më thënë se shkonte me Xhevat Gjatën. Fillova sërish ta rrah, derisa i ra të fikët. Fëmijët qanin në korridor. Por unë u bërtita, duke i thënë që të shkojnë të flenë gjumë. Dhe ata të frikësuar shkuan në shtrat. Rreth orës 2-3 të mëngjesit e mbështolla me batanije dhe e dërgova te vendi i quajtur Lugu i Miskut. Aty kam hapur një gropë 1.70 metra të thellë dhe e futa në varr.

E mbulova me dheun përreth, pasi toka ishte e pluguar e do të mbillej misër. Pastaj shkova në shtëpi dhe pasi u lava e u pastrova, u nisa për në xhaminë e fshatit. Aty jam falur deri në orën 7 të mëngjesit. Pastaj u ktheva në shtëpi dhe u dhashë bukë fëmijëve. U thashë që mami është larguar nga shtëpia dhe ka ikur në drejtim të paditur. Fëmijët e besuan atë që u thashë. Pas dy ditësh shkova në polici dhe kreva denoncim për zhdukjen e gruas. Të gjithëve kështu u thashë. Madje, për ta bërë të besueshme zhdukjen e gruas, një vit e kërkova edhe tek emisioni “Njerëz të humbur”. Askush, as policia dhe hetuesit nuk mundën të zbulonin gjë. Toka ku e varrosa është e rrezikshme dhe ka pësuar disa herë rrëshqitje”, shpjegoi Miska krimin e parë të tij, por që nuk do të ishte i fundit.

Një vit më vonë, Haki Miska ka masakruar ish-njerkun e tij, Gani Brugu. “Ganiu ishte njerku im, i martuar me nënën time, Dije Brugu. Një ditë i gjeta të dy duke punuar në parcelën time. U afrova dhe i thashë që kjo është toka ime. Por ai më tha se kam pjesën e gruas. U grindëm dhe unë nisa ta qëlloj me grushte dhe shkelma. E rraha keq, duke e lënë pa ndjenja. Prezente ka qenë edhe nëna ime, Dija. Pastaj e morën dhe e çuan në spital. Pas katër ditësh vdiq në Tiranë. Në marrëveshje me nënën time dëshmuam në polici sikur ai ra nga kumbulla dhe koka i ra në gur. Të njëjtën dëshmi dha edhe vëllai i tij, pasi ashtu i thamë ne”.
Gjithashtu, Miska ka shpjeguar në gjykatën edhe krimin e tij më të fundit, atë të vrasjes së të ëmës, ku sipas tij shkak kryesor ka qenë një grindje me të pasi ka hedhur shumë kripë në gjellë.

“Më 4 shkurt isha në pyll për të bërë dru. Erdha i lodhur dhe i thashë nuses së djalit që të më shtronte bukën. Atë çast aty ishin Beharja dhe Rexhina. Nëna me vajzën ishin në kasollen e bagëtive dhe erdhi duke më sharë e më hodhi një grusht me kripë në gjellë. Unë i hodha pjatën fytyrës. Vendosa të iki të pi një kafe në lokalin e fshatit. Por kur po dilja, ajo më qëlloi me një dru në kokë. Atëherë i nxehur mora sëpatën dhe e qëllova disa herë, derisa vdiq. Në atë kohë vajza ndërhyri për ta shpëtuar. Por i nxehur qëllova edhe atë. Pasi e vrava, mora sëpatën, të cilën e hodha 10 metra larg shtëpisë. Kur arrita te varrezat nga pas pashë dy djemtë e mi, Ismetin dhe Gentianin, që më ndiqnin duke më thënë: “Ku do të shkosh”.

Unë mora rrugën drejt malit të Pervallit dhe ata s’më ndoqën më. Pas pak më mori policia në telefon, duke më pyetur se ku isha. E mbylla celularin duke mos iu treguar. Pastaj e hapa sërish dhe mora në celular kushërirën time, Lefterie Alla. Ajo më tha se nuk kishte më punë me mua, se celularin mund ta përgjonte policia dhe se fshati ishte i rrethuar. Pasi u fsheha 3-4 orë në mal, u afrova sërish afër shtëpisë, duke qëndruar i fshehur në një kasolle. Aty mora rroba dhe ushqime dhe ika. U fsheha në një stan në mal, derisa më kapi policia”, tregoi Haki Miska.

Megjithatë, ai nuk ka pranuar që të jetë autor i vrasjes së mësuesit të fshatit, Qamil Lluka. Miska është ka kërkuar nga gjykata që të marrë dënim me vdekje, pasi ishte i ndërgjegjshëm për krimet që kishte bërë. “Dua të vdes, pasi kam bërë disa vrasje dhe jam i përgjegjshëm për të gjitha krimet e mia. Unë e meritoj vdekjen, ndaj i kërkoj gjykatës që të më vrasë. Nuk dua avokat, unë deklaroj se kam vrarë disa njerëz dhe skam pse të mbrohem”, tha 50-vjeçari nga fshati Pervath i Librazhdit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›