E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënsekretari Amerikan i Shtetit inkurajon Topin për tryezën politike

ZAGREB-Presidenti i Republikës Bamir Topi takoi zhvilloi një takim sot në Zagreb me Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju ku u bisedua rreth zhvillimeve aktuale në Shqipëri.

Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se në këtë takim kreu i shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen.
Temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës.
Në këtë pikë, Nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike.

Në vijim të bisedës, Presidenti Topi e njohu z. Lju me arritjet e vendit në politikën e jashtme, angazhimin serioz e me përgjegjësi në NATO, si dhe vazhdimësinë e procesit eurointegrues të vendit në kuadër të bashkëpunimit me BE-në.

Nëpërmjet Nënsekretarit amerikan të Shtetit, z. Lju, Presidenti Bamir Topi mori përshëndetje të ngrohta dhe miqësore nga Presidenti Barak Obama dhe Sekretarja e Shtetit amerikan, Hilari Klinton. Lju bëri të ditur se Obama dhe Klinton vlerësojnë partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›