E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët ukrainas, nën akuzë për trafik armësh

Ndërsa qeveria ukrainase po përpiqet të ringjallë ekonominë e prekur nga kriza financiare botërore, opozita pro ruse e vendit po ngre akuza mjaft të dëmshme për shitje të paligjshme armësh, për llogari të Gjeorgjisë gjatë konfliktit të shkurtër që ky vend pati me Rusinë. Ndërkaq, liderët rusë, të zemëruar prej prirjeve pro-perëndimore të Presidentit Ukrainas dhe mbrojtjes publike që ky shtet i ofroi Gjeorgjisë, janë përfshirë në lojën e akuzave, duke ngritur edhe ata zërin mbi trafikun e paligjshëm.

Mund të mos jetë shumë e rëndësishme që opozita nuk ka ofruar prova të qëndrueshme për të mbështetur akuzat, që, sipas saj, me t‘u paraqitur, do të jenë ta pakundërshtueshme. Thjesht fakti që janë ngritur akuza ka tërhequr vëmendjen e shtypit botëror dhe kanë cenuar rëndë autoritetin e qeverisë në një çast të paqëndrueshëm politik, pa përmendur marrëdhëniet e tendosura me Rusinë fqinje.

Sipas akuzave në fjalë, qeveria e Presidentit Viktor Jushçenko, e cila mbështeti Gjeorgjinë gjatë krizës në muajin gusht, ka furnizuar fshehtazi me armë këtë shtet gjatë dhe pas shpërthimit të konfliktit, duke u shitur gjeorgjianëve tanke dhe armë kundërajrore me çmim shumë të ulët. Një komision parlamentar i krijuar nga partitë opozitare ukrainase po heton vërtetësinë e këtyre akuzave, në të cilat përfshihen edhe zërat se Presidenti u ka dhënë gjeorgjianëve armë tepër të vlefshme për sigurinë e vetë shtetit.

Presidenti Jushçenko i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke e cilësuar hetimin si as më shumë e as më pak se një spektakël politik. Ai ka vërejtur se Ukraina gëzon të drejtën t‘i shesë armë çdo vendi, përfshi Gjeorgjinë, e cila nuk gjendet nën sanksione ndërkombëtare.

Ligjbërësit opozitarë thonë që çështja nuk është nëse Ukraina ka apo jo të drejtë të shesë armë. Ata mbështesin tezën se qeveria ukrainase i ka kaluar në fshehtësi ato armë, duke iu shmangur rregullave për të mos nxitur zemërimin rus. Gjithashtu nënvizojnë se fitimet nga operacioni i shitjes nuk kanë shkuar në Thesarin e shtetit, por në xhepat e njerëzve të rrethit të afërt të Jushçenkos, edhe pse ushtria ukrainase përballet vetë me mungesa të forta fondesh.

"Jemi në prag të një skandali të madh financiar, që mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme politike", tha Vitali Konovaljuk, deputet që kryeson komisionin hetimor. Deputeti është anëtar i forcës kryesore opozitare të Ukrainës, Partia e Rajoneve, e cila kërkon marrëdhënie më të ngushta me Kremlinin.

Akuzat vijnë në një çast shumë të vështirë ekonomik dhe me një situatë të paqëndrueshme politike për Ukrainën, përgjatë një beteje të ashpër politike mes Presidentit Jushçenko dhe rivales së tij pro-perëndimore, Kryeministres Julia Timoshenko. Parlamenti shpesh është paralizuar dhe popullariteti i vetë Jushçenkos ka rënë ndjeshëm.

Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë rusë i kanë hedhur benzinë zjarrit. Kryeministri rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar furnizimin e Gjeorgjisë me armë si "krim kundër popujve të Rusisë dhe Ukrainës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›