E Diel, 1 Nëntor 2026

Lideri i opozites ultimatum Berishes Afat deri te enjten

Reagimi Pas vendimit të mazhorancës, Rama është hedhur në ofensivë

Refuzimi i radhës i ofertës së Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve ka riaktualizuar tonet e forta në skenën politike. Kreu socialist, Edi Rama, ka dalë dje në një konferencë të posaçme për shtyp, menjëherë pasi Komisioni i Ligjeve rrëzoi propozimin e PS-së për transparencën e 28 qershorit 2009. Duke marrë shkas nga qëndrimi i shumicës, i përsëritur disa herë, Rama ka paralajmëruar se mbyllja e çështjes së hetimit të zgjedhjeve është premisë e qartë për të ripërsëritur atë se çfarë ndodhi në 28 qershor. “Sot në komision u refuzua gjithçka, madje edhe shumica dhe drejtimi i komisionit nga opozita, pa diskutim edhe hetimi i materialeve zgjedhore, por edhe vënia në dispozicion e kutive të këtyre materialeve për një transparencë që me të njëjtën Kushtetutë, në të njëjtën sallë një mandat më parë ishte e mundshme dhe sot nuk qenka e mundshme... Sot Saliu ka provuar se i ka vjedhur zgjedhjet dhe se do që t’i vjedhë ato përsëri”, tha Rama. Ai ka përsëritur kështu atë shqetësim që opozita e ka bërë pjesë të aksionit të vet kryesor politik, e që ende nuk po gjen rrugën e zgjidhjes. Zgjedhjet si proces janë aktualizuar sërish për të përvijuar veten si një problem që pritet të thellojë krizën politike në vend. Deklarimet e tanishme të PS-së dhe kreut të saj, janë përcaktuese për zgjedhjet e 8 majit, që nga një sfidë e zbatimit të ligjit zgjedhor, po kthehen në një perspektivë ku ballafaqimi i forcave do të provojë kufijtë e vet. Një apel për rishikim nga Edi Rama në këtë rast ka lënë të kuptohet se opozita nuk ka se çfarë të lëshojë më, të paktën nisur nga qëndrimi i deritanishëm. “Ka ende disa ditë kohë dhe të enjten Kuvendi diskuton këtë çështje bashkë me mocionin për debat, të kërkuar prej nesh, për t’i dhënë një mundësi të re Shqipërisë në rrugën e integrimit, duke adresuar “mot a mot” të gjitha ato çështje që në opinionin e KE trajtohen si probleme që kanë penguar hapjen e dyerve të BE për Shqipërinë”, është shprehur ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›