Lideri kontrovers i futbollit

Komentet kontroverse të Sepp Blatterit rreth racizmit në futboll janë incidenti më i ri që ka turpëruar presidentin e FIFA-s në dekadën e fundit. Zvicerani ka një histori të gjatë të shkaktimit të polemikave për deklaratat e tij publike në çështje të ndryshme.
Blatter, tani në mandatin e tij të katërt në detyrë, është zotuar të pastrojë imazhin e FIFA-s, por trashëgimia e tij përgjithmonë do të njolloset nga shpërthimet e tij publike. CNN ka nxjerrë disa prej deklaratave të tij më të famshme, kontroverse, në drejtimin e deritashëm të tij të Federatës Botërore të Futbollit.
Më 2004, Blatter hidhëroi futbollistet me idenë e tij se si futbolli i femrave mund të bëhet më joshës. “Ato munden, për shembull, të vishen më shkurt. Femrat mund të luajnë në gardërobë të ngjashme me atë të volejbollit”, kishte thënë zvicerani.
Më 2010, kur kapiteni i Anglisë, John Terry, i cili është i martuar, u zbulua se kishte fjetur me partneren e ish bashkëlojtarit të tij nga Chelsea, Wayne Bridge, Blatter u përgjigj: “Nëse kjo do të kishte ndodhur të themi në shtetet latine, atëherë mendoj se do të duartrokitej”.
Më 2008, Blatter ishte kritikuar pasi mbrojti dëshirën e yllit të atëhershëm të Manchester Unitedit, Cristiano Ronaldo për transferim në Real Madrid. Ai tha: “Mendoj se në futboll ekziston një skllavëri moderne në transferimin e futbollistëve ose blerjen e tyre nga një skuadër te tjetra dhe dërgimin e tyre diku”.
Blatter ndërroi mendjen për përdorimin e teknologjisë në vijën e portës dhe i kërkoi falje Federatës Angleze të Futbollit, pas një vendimi të padrejtë gjatë Kampionatit botëror 2010.
Edhe pse xhirimet treguan se pas goditjes së mesfushorit të Anglisë, Frank Lampard, topi kishte kaluar vijën e portës së Gjermanisë, goli nuk ishte pranuar. Blatter më herët kishte refuzuar të merrte masa kundër Thierry Henry, i cili me lojën e tij me dorë i mohoi Republikës së Irlandës kualifikimin në Kampionatin botëror 2010.
Edhe sulmuesi francez kishte pranuar se zgjidhja më e mirë do të kishte qenë përsëritja e ndeshjes së barazhit. Në dhjetor 2010, Blatter ishte kritikuar ashpër pasi sugjeroi se tifozët homoseksualë të futbollit duhet të “përmbahen nga aktivitetet seksuale”, nëse duan të përcjellin Kampionatin botëror 2022 në Katar, ku homoseksualiteti është ilegal.
Blatter më pas kërkoi falje dhe tha se nuk kishte për qëllim të ofendonte ose diskriminonte askënd. Blatter u përplas me bashk-anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, kur sugjeroi se Kampionati botëror 2022 mund të zhvillohet në janar për t’iu shmangur temperaturave të larta në Katar.
75 vjeçari tha se ndërrimi do të “mbronte futbollistët si dhe spektatorët”. Katari fuqishëm refuzoi sugjerimin e Blatterit. Në dhjetor 2010, Blatter insistoi se FIFA “nuk është e korruptuar”, edhe pse dy anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të saj – Amos Adamu dhe Reynalt Temarii – ishin të dyshuar për marrjen e ryshfetit në kompensim për votën e tyre për nikoqirë të botërorëve 2018 dhe 2022.
Ai e quajti Anglinë “humbës të këqij” pas disfatës nga Rusia. Blatter qëndroi pa kundërkandidat për ri-zgjedhje në korrik, pasi ish aleati i tij Mohamed bin Hammam u tërhoq nga gara disa ditë para balotazhit për shkak të akuzave se kishte ofruar para për vota.
Katariani, zyrtar i lartë i FIFA-s, është dënuar përjetë nga futbolli. Blatter ishte në qendër të hetimeve kriminale pas fitimit të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s më 2002. Ai akuzohej për keqpërdorim të fondeve nga 11 ish anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të organit drejtues të futbollit, përfshirë rivalin e tij nga zgjedhjet e vitit 1998, Lennart Johansson. Megjithatë, prokurorët e hodhën poshtë rastin për mungesë të dëshmive.