Puna keq

Andre Villas-Boas pranoi përgjegjësinë e tij për rikthimin e “përqendrimit dhe motivimit” te futbollistët e tij, pasi Chelsea u mposht nga goli i Bayer Leverkusenit në minutat shtesë, duke lënë në dyshim kualifikimin e saj për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti londinez duhet të fitojë ose të mbajë portën e pamposhtur kundër Valencias në Stamford Bridge më 6 dhjetor për të garantuar kalimin, sipas gjitha gjasave nga pozita e dytë në Grupin E prapa Leverkusenit. Forma e dobët në periudhën e fundit nuk ndihmon aspak. Chelsea ka humbur tri nga katër ndeshjet e fundit në Premierligë dhe gjendet 12 pikë prapa liderit, Manchester City.
“Vetëbesimi është i ulët, por futbollistët presin që menaxheri t’i inspirojë ata”, tha Villas-Boas. “Kjo është detyra ime, të motivoj dhe inspiroj këta futbollistë. Talenti i tyre është i madh, puna është e mirë, por përgjegjësia është e imja. Më duhet t’i motivoj ata të fitojnë kundër Wolvesit (të shtunën) e më pas përballë Liverpoolit në Carling Cup (të martën). Ne kemi dy ndeshje në shtëpi dhe na nevojitet përqendrimi dhe motivimi i duhur”, shtoi ai.
Villas-Boas pranoi se skuadra e tij është duke kaluar një periudhë të vështirë. “Jemi në seri të rezultateve negative. Ekipi dëshiron të dalë sa më shpejt prej saj dhe e vetmja gjë që ndihmon në bërjen e kësaj është të punojmë edhe më shumë. Ky është një moment kritik për ekipin tonë dhe duhet të kemi përkrahjen e tifozëve. Ishim të mirë dhe solid këtu, por në dy raste nga ndërprerjet mbrojtja jonë u thye. Për momentin detajet e vogla janë duke vendosur fatin tonë. Duhet të gjejmë një rrugëdalje”, u shpreh portugezi.
Villas-Boas u emërua menaxher i Chelseas në fillim të këtij sezoni, duke zëvendësuar italianin Carlo Ancelotti, i cili u largua pas dy viteve në Stamford Bridge. Por, seria e rezultateve negative ka zgjuar spekulime se Villas-Boas rrezikon të shkarkohet nga detyra. Ai, megjithatë, beson në kualifikim për fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.
“Tani hyjmë në ndeshjen e fundit kundër Valencias, vendimtare për kualifikimin tonë. Ata janë ekip në rritje dhe na nevojitet që Stamford Bridge të jetë me ne për të gjetur intensitetin e duhur. Kualifikimi është në duart tona dhe ne duhet të bëjmë punën tonë. Kjo është përgjegjësia jonë dhe nuk do t’i zhgënjejmë tifozët tanë”, përfundoi ai.