E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja: Si duhet të jetë një polic

Propozohen tri dokumente mbi politikën për dhuratat, për abuzimin me alkoolin dhe për shoqëri të papërshtatshme

Policia do të ndryshojë rregulloren e disiplinës për tri çështje kryesore që lidhen me abuzimin që mund të bëjnë punonjësit e policisë. Sipas të dhënave zyrtare, për këtë janë hartuar tre dokumente, që kanë të bëjnë me politikën për dhuratat, për abuzimin me alkoolin e substancat e palejuara dhe për shoqëri të papërshtatshme. Deri tani, mendohet se këto çështje nuk janë trajtuar si duhet në rregulloren e disiplinës e për këtë arsye është ngritur një grup pune, që do të propozojë ndryshimin e saj.

Politika për dhuratat

Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se një grup pune po punon për ndryshimin e rregullores së disiplinës për punonjësit e policisë. Sipas tyre, grupi i punës ka në përbërje përfaqësues të policisë, të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të PAMECA-s. Ata po hartojnë tri dokumente kryesore për çështjet e lartpërmendura, ku qendra e vëmendjes është te politika për dhuratat që pranojnë punonjësit e policisë, pasi kjo mund të sjellë në shpërdorim detyre dhe në akte korrupsioni. Duke qenë se këto vepra penale është vështirë të dokumentohen, në ndihmë do vihet edhe ky dokument, që do të jetë pjesë e rregullores së disiplinës. Aktualisht, në rregulloren e disiplinës së policisë ka vetëm një pikë, ku flitet për dhuratat. Pikërisht në pikën 22 të nenit 5 të kësaj rregulloreje përcaktohet se ndalohet kërkimi apo pranimi i shpërblimit në të holla ose në mënyra të tjera, të dhuruar si rezultat i çfarëdo shërbimi policor ose për shkak të tij. Më tej, po në të njëjtin nen, ku janë përcaktuar ndalime të përgjithshme për punonjësit e policisë, shpjegohet se kur dhënia e dhuratës nuk ka lidhje me shërbimin policor, pranimi i saj mund të bëhet vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi për konfliktin e interesave. Ndërkaq, me dokumentin për politikat për dhuratat do të përcaktohet më qartë se kur lejohet pranimi i tyre dhe në çfarë vlere mund të jenë ato. Madje, moszbatimi i kësaj pike, që deri dje është cilësuar si shkelje e lehtë disiplinore, do të kthehet në shkelje të rëndë disiplinore, për të cilën parashikohet deri në përjashtim të punonjësit nga policia.

Shoqëria e papërshtatshme

Një tjetër çështje që është propozuar për ndryshim në rregullore, është edhe ajo e politikës për shoqëri të papërshtatshme të punonjësit të policisë. Për këtë është menduar të parashikohen masa më të ashpra, pasi jo pak herë, është vënë re që punonjës policie janë miq dhe shoqërohen me persona me precedentë penalë, duke mos përjashtuar edhe me shtetas tejet të rrezikshëm dhe në kërkim policor. Në lidhje me këtë, në rregulloren e disiplinës është përcaktuar vetëm një pikë në nenin 5. Pikërisht në pikën 17, deklarohet se punonjësit të policisë i ndalohet shoqërimi apo qëndrimi me persona, për të cilët duhet të ketë dijeni për shkak të funksionit, se janë persona me precedentë kriminalë dhe të qëndrojë në vendet, ku dihet se qëndrojnë persona të tillë, me përjashtim të rasteve kur është caktuar në detyrë. Gjithashtu, përjashtim bëjnë rastet kur këta persona janë lidhje familjare apo lidhje të ngushta shoqërore të vendosura më parë. Në rastin e lidhjeve të ngushta shoqërore, punonjësi duhet të evitojë sa më tepër të jetë e mundur kontaktet me këta persona. Madje, atij i ndalohet që edhe për këta persona të financojë për garanci pasurore ose të ndërhyjë për zbutjen e masës ndaj tyre. Kjo çështje pritet të detajohet më shumë në dokumentin e dytë për shoqërinë e papërshtatshme, që ashtu si i pari do të përfshihet në rregulloren e disiplinës. Për këtë arsye, këto dokumente do kalojnë për diskutim edhe te specialistë të tjerë të policisë dhe në bashkëpunim me SHKB-në, do të kërkohet miratimi i rregullores së re të disiplinës në polici.

Alkooli dhe droga

Dokumenti i tretë ka të bëjë pikërisht me përdorimin e alkoolit dhe substancave të tjera nga ana e punonjësit të policisë. Ky dokument është ndarë në disa pjesë dhe pritet që të kalojë bashkë me dy dokumentet e lartpërmendura. Siç dihet në rregullore janë përcaktuar një sërë pikash për përdorimin e alkoolit nga ana e punonjësit të policisë, por për substancat e tjera nuk është cilësuar qartë. Madje, edhe për alkoolin nuk flitet për një masë të caktuar mirë. Kështu, në rregullore deklarohet se punonjësi e ka të ndaluar përdorimin e alkoolit kur është në detyrë ose kur është me uniformë, përveç rasteve për kryerjen e detyrave të veçanta. Ndërsa për substancat e paligjshme dhe lëndët narkotike, e ka të ndaluar në mënyrë kategorike dhe hyn te shkeljet e rënda disiplinore. Në një tjetër pikë deklarohet se edhe paraqitja në detyrë në gjendje të dehur ose nën efektet e substancave stimuluese është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të rekomanduara nga mjeku. Pikërisht në pikën 24 të nenit 6 të rregullores së disiplinës deklarohet se punonjësi nuk duhet të përdorë pije alkoolike gjatë punës apo në rastet kur është me uniformë, me përjashtim të aktiviteteve zyrtare. Pas përdorimit të pijeve alkoolike, punonjësi i policisë nuk duhet të kryejë detyra operacionale. Ndërsa në pikën 9 të nenit 7, citohet se jashtë detyrës, punonjësit i ndalohet të konsumojë pije alkoolike në masën që cenon imazhin e punonjësit në ambientet publike. Të gjitha këto do të cilësohen si shkelje të rënda disiplinore dhe do kërkohet që edhe SHKB-ja t’i hetojë, pasi deri më sot janë trajtuar vetëm nga sektori i ankesave dhe disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›