Lidh një grua e tenton ta përdhunojë, arrestohet adoleshenti
TEPELENË/ S.Ismaili është vënë në pranga pasi tentoi të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 42-vjeçare
TEPELENË- Tenton të përdhunojë të sëmurën mendore, por përfundon në pranga. Protagonist i kësaj ngjarjeje të rëndë është një adoleshent, që është përpjekur të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një femër shumë më të madhe në moshë e që për më tepër vuan nga depresioni dhe probleme nervore.
Tentativa
Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë është regjistruar në fshatin Arrëz e Madhe të komunës Luftinjë në rrethin e Tepelenës.
Tri ditë më pare, 18 -vjeçari S. Ismaili, banues në këtë fshat, ka marrë nga banesa e saj 42- vjeçaren me inicialet K.S, një person që vuan nga problemet mendore, duke përfituar nga mungesa e të afërmve të saj. Ndërsa nuk ka hasur në rezistencën e saj, e ka çuar në një banesë të braktisur aty afër.
Më tej adoleshenti i ka lidhur duart dhe ka tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me të, por fatmirësisht pa e realizuar qëllimin e tij, pasi mungesa e 42- vjeçares, e cila nuk dilte thuajse asnjëherë nga banesa ka rënë në sy të familjarëve të saj, të cilët kanë nisur ta kërkojnë.
Thirrjet e vazhdueshme të familjarëve e kanë frikësuar adoleshentin, i cili është larguar me vrap nga banesa e braktisur, duke e lënë të sëmurën mendore me duar të lidhura. Kur kanë gjetur 42- vjeçaren në atë gjendje, e cila zakonisht qëndronte e vetmuar në njërën nga dhomat e banesës së prindërve dhe nuk dilte prej andej, pasi kishte kaluar në depresion që pas divorcit, familjarët janë drejtuar për në komisariatin e policisë së Tepelenës, ku kanë bërë edhe denoncimin përkatës në lidhje me këtë ngjarje.
Arrestimi
"Pas marrjes së kallëzimit, specialistët e Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Tepelenë janë vënë në kërkim të autorit dhe pas disa orësh kanë bërë të mundur kapjen e tij, i cili ishte fshehur në një banesë.
Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë kryer veprimet e para hetimore si dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale "marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t'u mbrojtur, mbetur në tentativë", kanë bërë të ditur burime zyrtare të policisë në lidhje me këtë ngjarje.
Gjatë dy muajve të fundit, ky është rasti i dytë i tentativave të përdhunimit në rrethin e Tepelenës. Në të dy rastet agresorët janë ndaluar. Gjithsesi duke qenë se viktima është një person me të meta mendore dhe agresori një adoleshent, e bën këtë rast të pazakontë.