Rrëmben ish- të fejuarën, e përdhunon në motel
Policia e kryeqytetit arrestoi me disa akuza adoleshentin 21- vjeçar nga i cili vajza ishte ndarë një muaj më parë
Tiranë- Rrëmben ish- të fejuarën 16- vjeçare me forcë në makinë dhe e dërgon në një motel, ku dyshohet se ka e ka përdhunuar, duke e kërcënuar për jetën e duke ushtruar dhunë ndaj saj.
Policia arreston me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë, heqjen e padrejtë të lirisë dhe vrasjen me dashje të mbetur në tentativë, Ermal Gjonin, 21 vjeç nga Puka banues në lagjen "Ali Demi", në kryeqytet.
Me këtë të fundit, e dëmtuara mësohet se ishte ndarë rreth një muaj më parë, pas këmbënguljes së prindërve të vajzës, pasi sipas burimeve të policisë që i referohet deklarimit të vajzës, i arrestuari ushtronte dhunë ndaj të fejuarës së tij.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur pranë shkollës së mesme "Myslym Keta", në Shkozë, kur Gjoni dhe ish- e fejuara e tij, identiteti e të cilës nuk jepet nga policia, janë takuar përpara shkollës ku vajza ishte nxënëse e vitit të tretë.
Gjoni i ka kërkuar vajzës të bisedojë fillimisht vetëm pak çaste. Kur ajo është afruar pasi kanë shkëmbyer dy fjalë, Gjoni i ka kërkuar të shkonte me të në veturën që ia kishte marrë një shoku. Kur vajza 16- vjeçare ka refuzuar të ngjitet në veturë, ish- i fejuari i saj e ka goditur me pëllëmbë ndërsa e ka shtyrë atë drejt veturës.
Më pas mjeti është drejtuar nga rruga e Shkozës dhe është ndalur tek një motel, ku vajza është detyruar me forcë të ngjitet në një nga dhomat e motelit. Sipas rrëfimit të vajzës për oficerët e zyrë së hetimit të krimeve seksuale, ajo ishte detyruar me dhunë të kryente marrëdhënie me ish- të fejuarin me të cilin ishte ndarë për shkak se ai ushtronte dhunë ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme.
"Me qëllim që unë të mos kërkoja ndihmë, Ermali më vuri një jastëk në fytyrë ndërsa më përdhunonte"- mësohet të ketë deklaruar vajza në polici. Pas marrjes së deklarimit të saj, adoleshentja 16- vjeçare i është nënshtruar një ekzaminimi mjeko- ligjor që sipas hetuesve ka vërtetuar dyshimet e tyre të bazuara edhe në shenjat e dukshme të saj në fytyrë dhe në trup.
Mjekët kanë konfirmuar dhunën e ushtruar ndaj saj. Pas këtij veprimi, policia i ka kërkuar prokurorisë një urdhër arresti të firmosur prej tyre ndërsa është arrestuar ish- i fejuari i adoleshentes, Ermal Gjoni, me disa akuza, si ajo e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, heqjes së paligjshme të lirisë, "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë" dhe të "dëmtimeve të tjera me dashje".
Gjatë arrestimit Gjoni nuk ka pranuar të ketë përdhunuar nxënësen, por policia ia ka komunikuar atij arrestimin me akuzat e mësipërme.