E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, 47 familje ish-të përndjekurish nën shi

SHIRAT/ Në godinën që dikur ishte një konvikt nuk është investuar asnjëherë, ndërsa shiu futet brenda


FIER - Shirat e këtyre ditëve kanë rrezikuar shembjen e një ndërtese trekatëshe në lagjen "Kastriot" të qytetit të Fierit. Është një godinë e njohur si ish-konvikti i shkollës industriale. Pas demokracisë kjo godinë është përshtatur për banim familjar.


Me një vendim të këshillit bashkiak të asaj kohe këtu janë strehuar familje të dënuara nga regjimi i së kaluarës.


Janë 47 familje që janë akomoduar këtu me premtimin se ato do të privatizoheshin dhe të parët ata do të ishin në listë. Kaluan vite dhe askush nga banorët nuk ka investuar pasi prisnin që të dilte një vendim i qeverisë që kjo godinë të privatizohej. Një gjë të tillë e ka shprehur edhe vetë Oketa kur ishte zëvendëskryeministër.


Ai ka vizituar këtë godinë dhe u ka premtuar banorëve se shumë shpejt ajo do të bëhej e tyre. "Janë bërë procedurat. Kanë shkuar deri në bashki, - shprehen banorët, - por deri më sot askush nuk na ka dhënë përgjigje". Godina sot është pothuajse e shkatërruar.


Të 47 familjet jetojnë në ankth. Në një dhomë banojnë 2 ose më shumë kurora, ndërsa banjat janë të përbashkëta dhe burim sëmundjesh. Shirat e fundit të këtyre ditëve kanë bërë që të dalë në pah edhe shkatërrimi i godinës, ndërkohë banorët janë edhe të frikësuar.


Duke filluar nga tarraca, e cila nga amortizimi i saj shumëvjeçar ka bërë që gjithë ujërat të futen brenda dhomave duke rrezikuar shembje të tavanit. Shumë prej familjeve, si: Yzedin Salillari, Roland Qafoku, Bilbil Beqiraj, Romeo Salillari, Iljaz Salillari thonë se tremben pasi suvaja e tavanit është rrëzuar. Ndërsa kati i parë është i mbushur me ujë, i cili rrjedh nga muret, si dhe nga dritaret që nuk ekzistojnë si të tilla. Uji futet në dhoma duke krijuar probleme te vetë banorët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›