E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre të vdekur nga aksidentet

Tiranë/Kavajë

Tre persona të vdekur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhura gjatë pasdites së të hënës në akset rrugore të kryeqytetit dhe të Kavajës. Policia ka arrestuar 4 drejtues të mjeteve të përfshira në aksidente, që dyshohet të jenë shkaktarë të tyre.


Ngjarja e parë ka ndodhur në qendër të Tiranës, pranë presidencës, kur një mjet "Ford", me targa TR 2038 R i drejtuar nga Gjoana Mata, ka goditur këmbësoren 22- vjeçare Ida Hydaver Kofsha, e cila po kalonte nga njëri krah i trotuarit në tjetrin. Sipas policisë, mjeti lëvizte me drejtim nga sheshi "Nënë Tereza", për në qendër. E dëmtuara, sipas burimeve të policisë, ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë menjëherë.


Pas veprimeve hetimore, policia ka arrestuar Gjoana Matën, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit. Aksidenti i dytë i ndodhur në rrugën e Kavajës, kur mjeti i markës "Chevrolet", me targa TR 7151 I, i drejtuar nga Sulejman Muça 56 vjeç, duke qarkulluar në drejtimin Tiranë- Kombinat, është përplasur me mjetin Alfa Romeo, me targa TR 2339 R, i drejtuar nga Erjon Mamushi, 23 vjeç.


Nga përplasja e tyre ka mbetur i vdekur në vend sipas policisë, Gjovalin Hila, 73 vjeç, i cili ishte këmbësor që po ecte aty. Policia ka arrestuar të dy drejtuesit e mjeteve, ndërsa nga hetimi pritet të sqarohet edhe shkaktari i aksidentit. Ndërkaq policia e Kavajës, ka arrestuar Abdyl Haxhollin, 53 vjeç, nga Elbasani.


Ky person, sipas policisë, lëvizte me mjetin e tij, kamion "Iveko", me targa EL 3821 B, është goditur nga mjeti "Mercedez- Benz" me targa LU 9305 D i drejtuar nga Ilir Myzeqari. Nga përplasja ka mbetur i vdekur në vend Sabit Kaja, 20 vjeç, ndërsa Myzeqari është dërguar në spital.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›