E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja 2, kompania qipriote me numër kontakti në Bosnjë

Zbulohet afera e firmës fantazmë “EVDIN Ltd”. Firma, marrëdhënie kontraktuale me ministrinë
Faktet e publikuara tri ditë më parë nga ish-ministri i Mbrojtjes hodhën më shumë dritë mbi aferën e kësaj ministrie, e cila ka përdorur si ndërmjetëse të kompanisë amerikane “AEY” pikërisht “EVDIN Ltd”, që nga investigimet rezulton një firmë fantazmë. Nuk është e vështirë të sigurosh të dhënat për këtë kompani pasi u sigurua dokumenti nga Ministria e Mbrojtjes. Që nga faqja zyrtare e “EVDIN Ltd” në internet shihen qartë parregullsitë e para. Pikërisht në këtë faqe, e cila është akoma në ndërtim e sipër, pra aspak serioze për një firmë që kontraktohet nga një qeveri, dalin kontradiktat e para. Sipër, majtas, është adresa e saj në Larnaca, qytet i Qipros, ndërsa djathtas janë numrat e telefonit të zyrës. Që këtu nis kontradikta e parë: Qiproja e ka prefiksin 357, ndërsa 387 është prefiksi i Bosnjës. Nga prefiksi 32 që lexohet për numrin e faksit, rezulton se zyra e “EDVIN Ltd” ndodhte realisht në Zenik, një kanton i Bosnjës Jugore.
Trafiku
Pikërisht nga Bosnja, sipas denoncimeve të burimeve të ndryshme ndërkombëtare, janë nisur gjatë vitit të kaluar trafik armësh drejt grupeve terroriste. Ky trafik, sipas të njëjtave burime, ishte menaxhuar nga Heinrich Thomet, që ka ardhur në Shqipëri si përfaqësues i firmës “Evdin”. Po si është futur kompania “EVDIN” në mes të kompanisë amerikane “AEY” dhe kompanisë shtetërore “MEICO”? Sipas dokumenteve që ka shpërndarë Ministria e Mbrojtjes, rezulton që kjo firmë është vendosur si ndërmjetëse nga kompania amerikane. Ndërsa sipas akuzave të biznesmenit Kosta Trebicka, kjo firmë i është imponuar amerikanëve pikërisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe drejtori i “MEICO”-s, Ylli Pinari. Sipas tij, kjo vërtetohet dhe nga regjistrimi i bisedës me presidentin e kompanisë amerikane, Diveroli, të bëra nga Trebicka. Në biseda Diveroli pohon se ka pasur presion për të spostuar Trebickën në favor të Mihal Delijorgjit, por mbi të gjitha dhe për të vënë si ndërmjetës firmën “EVDIN” të drejtuar nga Henri.
Telefonata
Prania e firmës fantazmë “EVDIN” e rriti çmimin e fishekëve të furnizuar nga MEICO nga 22 dollarë/arka që ka arkëtuar “MEICO” në 40 dollarë/arka që ka paguar firma amerikane që në sasitë e para të fishekëve të furnizuar në vitin 2007, ndërsa menjëherë përllogaritet një diferencë prej 1.8 milionë dollarësh, shifër kjo e fituar nga kjo firmë fantazmë që nuk ka asnjë zyrë. Në këto kushte normalisht lind pyetja: kush e ka marrë realisht këtë shumë marramendëse? Kompania “EVDIN Ltd” u prezantua në Shqipëri te MEICO nga Heinrich Thomet, i cili është një personazh shumë i njohur në tregtinë e armëve, i përmendur për afera të dyshimta edhe në raporte të organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Ai është përfaqësues i firmës zvicerane të tregtimit të armëve Brugger&Thomet, si dhe i firmës AG-BG International. Raporti i Amnesty International mbi trafikun e armëve e përmend emrin e tij nëpërmjet Izraelit, së bashku me ish-atasheun ushtarak të këtij vendi në Zvicër, i cili është nën hetim në Izrael, për trafik nga Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia. Parlamenti zviceran ka zhvilluar një seancë hetimore në lidhje me këtë çështje.
Marrë nga “balkanweb.com”
Telefonata në numrin e kompanisë “EVDIN Ltd”
Gjithashtu edhe numri i telefonit celular, i shënuar në faqen zyrtare në internet të firmës “EVDIN Ltd”, është i një personi privat që nuk ka lidhje aspak me këtë firmë. Një prej gazetarëve të Televizionit NEËS 24 ka telefonuar në numrin e zyrës së “EVDIN Ltd”: 00 38762942452, e publikuar në faqen e tyre në internet dhe ka bërë këtë bisedë.

GAZETARI: Alo... alo... alo! Më dëgjoni? Alo!
NUMRI NË BOSNJË: Po, tani po..., po më thoni...
GAZETARI: Mirëdita. Po flas...
NUMRI NË BOSNJË: Nuk ju dëgjoj mirë. Mund ta përsërisni... Po tani ju dëgjoj mirë.
GAZETARI: Po flas me firmën EVDIN?
NUMRI NË BOSNJË: Jo, keni gabuar...
GAZETARI: Gjeta këtë numër në faqen në internet të firmës EVDIN...
NUMRI I BOSNJËS: ... jo, ky është numri im privat dhe nuk e di ku e keni gjetur...
GAZETARI: Unë e gjeta në faqen në internet të ndërmarrjes EVDIN.
NUMRI I BOSNJËS: ... jo, jo, natyrisht është një gabim... Keni gabuar numër.
GAZETARI: Mirë, faleminderit.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›