Prokuroria: “Pasuritë që do t’i sekuestrohen Delijorgjit”
Prokurorët dërguan dje në Gjykatën e Tiranës kërkesën për sekuestrimin e pasurisë të biznesmenit Mihal Delijorgji. Burime pranë kësaj gjykate pohuan për gazetën “Albania” se në kërkesë janë përfshirë të gjitha pasuritë që rezultojnë në emrin e biznesmenit. Të njëjtat burime shpjegojnë se prokurorët kanë kërkuar sekuestrimin e 900 mijë eurove llogari bankare, 18 mijë metrave katrorë truall, përfshi edhe ndërtimet mbi të në Shkozet në afërsi të Durrësit, 11 mijë metra katorë sipërfaqe të tjera dhe pallate banimi në zonën e ish-Uzinës Enver në Tiranë. Kërkesa është depozituar dje dhe pritet që gjatë ditëve në vazhdim gjyqtari Asim Vokshi të shprehet në lidhje me pasuritë e biznesmenit. Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg të tre drejtuesit e kompanisë që merreshin me çmontimin e municioneve luftarake në Fabrikën e Gërdecit në Vorë, ku ndodhi shpërthimi më datë 15 mars 2008. Mihal Delijorgji, 42 vjeç, administrator i firmës "Alba Demil", Dritan Minxholi, 30 vjeç, drejtor Ekzekutiv i kësaj kompanie dhe Ylli Pinari, 55 vjeç, me detyrë drejtor i ndërmarrjes "MEICO", të cilët akuzohen për veprën penale, "shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Tre drejtuesit u shoqëruan të hënën në polici dhe u ndaluan një ditë më pas. Prokuroria dhe prokurorët e përfshirë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit po vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e kësaj çështjeje, duke marrë të gjitha të dhënat e mundshme e administruar prova që ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Prokurorët e grupit hetimor për ngjarjen e Gërdecit sekuestruan edhe një sërë aktesh që lidhen me procedurat e ndjekura në Ministrinë e Mbrojtjes për çështjen në fjalë. Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit po verifikon edhe pasuritë e shtetasit Mihal Delijorgji, administratorit të firmës "Alba Demil". Po merren informacione nga bankat dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Prokuroria e Durrësit bllokoi më datë 18 mars veprimtarinë dhe dokumentacionin e firmës “Përparimi” në Shkozet, të Durrësit, pronë e Mihal Delijorgjit.
L.Rryçi
22 Mars 2008