Shkolla historike në gjendje të mjeruar
Vlorë- Këtë vit feston 100-vjetorin, por fakti që ka qenë shkolla e parë e Vlorës nuk e ka ndihmuar shumë të hyjë në listën e investimeve. Sot ajo njihet me emrin shkolla “28 Nëntori”, por në Vlorë gjithashtu njihet dhe me emrin e vjetër të saj, Shkolla Nr. 1 e Muradijes. Në ndërtesën 100 vjeçare, të cilës i ruhet identiteti, ka amortizime të dukshme. Lyer me të bardhë, dy kate dhe ambjente me hapësirë relativisht të kufizuar. Në të mësimi vijon si një traditë e nisur prej vitit 1908, ndërsa janë 250 nxënës pjesë e këtij viti mësimor të ciklit 9-vjeçar.
Drejtoresha e shkollës, Drita Shehu, pohon se është i nevojshëm rikonstruksioni total. Shkolla është e vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje. Në suvatim, por edhe dysheme, ku ka shumë pjesë të dëmtuara. Të amortizuara tërësisht janë dritaret e shkollës të cilat bëjnë që ambjenti për nxënësit të mos jetë aspak komod për mësim gjatë dimrit.
Jo të gjithë e dinë se në këtë shkollë, dikur njëri prej ambjenteve ka qenë kabineti i ministrit të Arsimit, klasë e cila është sot muze. Në të gjendet fotoja e Luigj Gurakuqit si dhe dëshmi të tjera të kohës. Detajet historike i bëjnë sot edhe më të vegjlit e shkollës, të ndihen krenarë që mësojnë, aty ku u gërmëzua për herë të parë shqipja në Vlorë.