BSH: Nuk do ndryshojmë normën e interesit të Lekut
Tiranë-Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme ka vendosur të mbajë të pandryshuar, në nivelin 6,25 për qind, normën e interesit të Lekut. Kështu të gjithë ata që kanë para në banka në monedhën shqiptare to që kanë marrë kredi nuk do të të kenë asnjë luhatje ekonomike. “Vendimi per të mos ndryshuar vlerën e Lekut mbështetet në situatën e stabilizuar makroekonomike, në përputhjen e faktorëve të kërkesës dhe ofertës dhe në parashikimet për presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme”, bëhet e ditur në njoftim për shtyp të BSH-së.
Ndërkaq bëhet e ditur se “në muajin shtator 2008, inflacioni vjetor shënoi 2.7 për qind, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e tretë të këtij viti zbriti në 3 për qind. Vlera e inflacionit për muajin shtator u ndikua kryesisht nga rënia e çmimit të mallrave dhe shërbimeve të kategorive “ushqime të papërpunuara” dhe “mallra të administruara”.
Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë qenë të luhatshme, me një prirje rritëse që u theksua në periudhën e llogaritjes së detyrimit të rezervës. Kjo luhatshmëri nuk është përcjellë në tregun primar ku yield-et kanë qëndruar lehtas nën vlerat e një muaji më parë. Interesat për depozita në lekë dhe në euro kanë vijuar të rriten pas prezantimit të ofertave tërheqëse verore. Njëkohësisht, normat mesatare për kredinë në lekë dhe atë në valutë kanë pësuar rritje.