E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja ime me Stinen

Autori i Lajmit: red.
Ronela Hajati është padyshim një “Star”. Këngëtarja e re, me sportivitet tregon talentin e saj, eksperiencat ne kompeticione dhe kengen e re konkuruese në Top-Fest. Përpos kësaj, Ronela sqaron edhe thashethemet që kanë dalë kohët e fundit për të, lidhjen me këngëtarin Stine dhe projektet më të fundit që ka.

Si është lidhur Ronela me muzikën?
Ideja është që muzikën e kam nisur edhe si pasion, por më shumë jam rritur me muzikë. Interpretimi im i parë në një skenë ka qenë në moshën 4 vjeçare. Në atë moshë nuk mund të flasësh për pasione. Në fillim jam nxitur drejt muzikës, kam marrë leksione pianoje, kërcimi, kantoje, që në festivalet e fëmijëve dhe më pas duke u rritur me muzikën shtohet normalisht dashuria për muzikën dhe unë vazhdova të jem pjesë e shumë kompeticioneve, duke nisur që nga konkursi “Kërkohet një yll”, duke vazhduar me “Poleposition”, “Ethet e së premtes”, “Star Akademi”, “Kënga Magjike”, kudo dhe tani në Top-Fest. Nëse do t i specifikoja me detaje do më duhej një vit kështu që thjesht po i përmend.

Na trego më hollësisht për këto evenimente, si jeni prezantuar dhe si jeni vlerësuar aty?
E mira është se unë në asnjë nga këto kompeticione nuk kam dalë pa marrë një vlerësim. Ky fakt më ka nxitur të shkoj edhe më tej, duke menduar se për diçka vlej. Në “Polepozition” kam arritur deri në finale, tek “Star Akademi”, veçse kam dale ne finale kam marrë edhe çmimin “Performanca më e mirë” edhe tek “Kënga Magjike” kam dalë në finale dhe kam marrë çmimin “Best Tendence”, ndërkohë që në Top-Fest është ende përzgjedhja dhe transmetimi i këngëve për në finale. Tani kam kaluar fazat e para dhe jam në gjysëm finale dhe jam kandiduar për çmimin “Best R&B” kështu që shpresoj. Kënga deri tani ka ecur mirë, mua më pëlqen është transmetuar ka edhe një muaj kohë për tu përgatitur, të shpresojmë.

Si e ka pritur publiku këngën?
Të them të drejtën unë kisha gati 2 vjet që unë nuk merrja pjesë në festival apo të dilja me një këngë timen dhe rikthimin tim ia besova Top-Festit duke qenë se është një festival që të jep mundësi dhe në një impakt të parë është pritur mirë. Kam bërë edhe një performancë të mirë sepse mendoj se është e rëndësishme për këngën. Kënga është shumë ritmike, është kënduar me shumë seriozitet dhe punë dhe mendoj se ka dalë bukur.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë këngë?
Kënga ka një tekst dhe një ritëm muzikor që i shkon shumë për shtat, domethënë kanë gjetur njëra tjetrën. Ajo quhet “Shumë nice”, unë e kam përsëritur disa herë, është një titull që fiksohet lehtë dhe i përshtatet shumë situatave, shumë nice, shumë këndshëm. Teksti është shumë lozonjar shumë i bukur, një histori dashurie “tërhiqe mos e këput”, si këto historitë e të rinjve. Bashkëpunëtori në këngë është Stine, ai ka bërë këngën, tekstin unë i kam ndenjur tek koka dhe i kam këshilluar ndonjë ide timen lidhur me ritmin apo me ndonjë gjë tjetër. Stine është menaxheri im dhe besoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë për disa kohë.

Për tekstin keni ndihmuar edhe ju?
Jo. Unë kam hedhur ndonjë ide për vijën muzikore dhe teksti është aranzhuar komplet nga Stine.

Ka ndoshta të bëj ky tekst me ndonjë histori të përbashkët mes teje dhe Stines?
Kjo është një histori që iu ndodh shumë çifteve në fillim të lidhjes së tyre, dëshira që kanë për të parë njëri tjetrin, është shumë nice e gjitha.

Ronela, jeni duke punuar për një këngë të re. Na tregoni pak për këtë...
Duke qenë se unë punoj edhe unë tek studioja e Stines unë dëgjoj shumë Demo, shumë këngë të papërfunduara sepse ai ka një talent pa fund, ka një krijimtari të paparë dhe ideja është se kënga do të jetë një vazhdim i këngës “Shumë nice”, do të jetë përsëri R&B, besoj sepse kjo është rryma që unë përfaqësoj. Mendoj se do të shoqërohet edhe me një videoklip, por në verë që të jetë vërtetë Hit.

Pse keni zgjedhur të këndoni R&B?
R&B është muzika që unë jam rritur që e vogël. E kam fjalën për R&B të mirëfilltë jo të përzier me turbo-folk apo tjetër. R&B tamam, e huaj, tepër kontemporane. Unë jam rritur me mite si Majkëll Xhekson, me Timberland, jastin Timberlace. Që e vogël jam frymëzuar nga stili, sepse ka një stil shumë të bukur R&B në të kënduar. Vdes ta paraqes kudo këtë stil, jam gjithë kohës me kapele, dorashka, kollare....Përveç kësaj, R&B është ajo rrymë që mua më shkon më shumë. Edhe komerc.

R&B është një rrym që shet?
R&B është një rrymë që tregon vërtetë vlerat e një këngëtari. Por edhe komerçi, sepse në sensin e mirë është këngë që shitet, pëlqehet sepse ka ritëm ka edhe Blus sepse është tamam R&B, ritëm dhe Blus.

Ronela do ju shohim së shpejti në promovimin e ndonjë albumi?
Së shpejti jo. Për të bërë një album, si fillim duhet kohë. Nuk më pëlqen nxjerrja e albumeve të befasishme. Më pëlqen që gjërat t i bëj gradualisht. Nëse unë do bëj ndonjëherë një album do jetë vërtetë shumë profesional dhe do të ketë këngët e mia më të mira.

Si është Ronela jashtë muzikës?
Ronela jashtë muzikës është si djalë, shumë e lumtur, shumë e shoqërueshme, kam një shoqëri që them se jam shumë me fat që i kam ata sepse janë njerëz tek të cilët besoj shumë dhe më mbështesin jashtë mase. Ja kështu është Ronela jashtë muzikës. Ronela jashtë muzikës në skenë është muzikë pa skenë.

Jeni e dashuruar?
Ëëëëëëëëëëë.........dhe vazhdon një ëëëëëëë e madhe. Ku di unë se çfarë të të them. Nëse do të të them jo do të thonë gjithë njerëzit, ia fute kot moj vajzë, të të them po është deklaratë shumë e fortë sepse vjen pastaj pyetja tjetër “me kë?”. Kështu që unë po lë një suspansë në ajër.

Tani që jeni e dashuruar ne e kuptuam dhe vjen pyetja, kush është? A është në muzikë?
Shiko se unë më mirë nuk po flas fare, sepse edhe ajo më duhet. Pak thashetheme kanë hapur, por të të them edhe të tjera, dhe Ronela pastaj mbyllet në shtëpi edhe nuk del për 5 muajt e ardhshëm.

I keni frikë thashethemet?
Jo frikë nuk i kam por i kam pak bezdi, veçanërisht kur nuk janë të vërteta. Sepse ndërhyjnë në jetën e tjetrit pa patur leje, kjo nuk më pëlqen. Nëse unë do të deklaroj diçka vetë dakord por nëse një x person hyn në jetën time pa dashur që të nxjerrë fjalë që mund të mos kenë asnjë bazë të vjen inat.

Marrëdhënia juaj me Stinen. Kanë folur shumë për ju dhe ai më ka konfirmuar që jeni thjesht kolegë, por realisht cila është lidhja juaj?
Ne jemi kolegë, jemi miq shumë të mirë. Meqënëse kështu ka thënë Nesti kështu do të them edhe unë tani. Ai mua më menaxhon, unë jam shumë me fat që kam afër një njeri si Nesti. Megjithëse është nevrik edhe do që t i rrish në kokë kur bën punën, por kur mbaron pastaj, ai është i mrekullueshëm. Edhe kështu jemi shok të mirë.

Aktualisht çfarë jeni duke punuar Ronela?
Unë studioj në Fakultetin Juridik shtetëror, jam në vitin e dytë. Për momentin po merrem me shkollën, krahas Top-Festit. Përveç kësaj këndoj edhe “live” çdo të premte edhe të shtunë. Unë këndoj në një karaoke. Fakti që unë këndoj “live” më ndihmon shumë dhe mund të them se unë këndoj më shumë “live” se sa në studio. Kur shkoj në studio bllokohem, ndërsa kur jam “live” tregoj gjithmonë Ronelën. Në fakt kjo ka ardhur si rrjedhojë e këtyre kompeticioneve që unë kam marrë pjesë dhe këndonim vetëm “live”, prandaj nuk e kam problem.

Si e keni ndërtuar marëdhënien me skenën me publikun? Çfarë ndjesije të japin?
Meqënëse unë që e vogël jam mësuar me skenën nuk e kam fare atë nervozitetin apo emocionet përpara se të dal, madje kur isha në Top-Fest e vetmja gjë që më bënte nervoze ishte se me zor prisja që të bilja në skenë. Pritja më bënte nervoze. Në fakt unë kur jam e sigurt për diçka se do të dal mirë atëherë pres me padurim që të dal në skenë t ua tregoj edhe të tjerëve. Kur nuk jam e sigurt nuk dal fare. Më pëlqen shumë skena.

Ronela ti këndon “live” dhe je shumë afër me publikun, ke mundësinë që t i prekësh dhe të të prekin. Si ndiheni për këtë?
Në fakt ndodh diçka, që publiku sheh jashtë kornizave të Ronelës në televizion. Unë e shoh edhe vetë që dukem në televizor shumë e egër, shumë e paprekshme. Në fakt unë jam shumë e thjeshtë, shumë e shoqërueshme. Këtë e kam vënë re kur njerëzit në “live” kanë ardhur dhe më kanë thënë sa ndryshe që je. Madje sot më ka thënë dikush që në televizor dukesh si “shtrigë” (qesh). Në fakt jam komplet ndryshe. Është thjesht mënyra e qëndrimit që më bën të dukem ashtu, nuk më pëlqen as mua por nuk kam çfarë të bëj.

Sa rëndësi ka pamja dhe look-u për ju?
Pamja është shumë e rëndësishme sepse sa do talent të kesh të dalësh katastrofë në skenë apo në një x emision është shumë e pakëndshme. Pamja dhe talenti duhet të jenë në raporte 60% me 40 %, duhen 60 për zërin dhe 40 për pamjen. Mendoj që i duhet dhënë rëndësi, nuk jam asnjëherë për llok-un e ekzagjeruar, por më pëlqen llok-u i veçantë, stili. Duhet të kesh një veshje që të dukesh bukur dhe jo e ekzagjeruar por edhe të veçantë që të mbahesh mend.
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›