E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Uh! Europë ti kurva e motit…”

Autori i Lajmit: Istref Haxhillari
Vargjet e famshme të Gjergj Fishtës te Homeriada shqiptare “Lahuta e Malcisë ”, thellësisht patriotike, që çuditërisht në mënyrë paradoksale i gatitën mjeshtrit epik harresën tmerrësisht të gjatë, tingëlluan pa prerë në gojën dhe shpirtin e Irfan Çelës gjatë gjithë jetës së tij të gjatë afro një shekullore. Fishta ishte dhe mbeti idhulli letrar dhe patriotik, që mokrari i mençur iu fal pa ndërprerje edhe kur poeti i madh i kombit u anatemua si antishqiptar dhe profashist. Përkthyesi i talentuar nga gjermanishtja i biografisë së Mustafa Qemal Ataturkut të autorit bohem Dagobert Von Mikusch, më kompetenti ndër historishkruesit e burrit të shtetit turk, një nga kapedanët më në zë të historisë moderne të planetit, Irfan Çela është pa dyshim ndër mokrarët më të ditur të kohës. Kush ishte ky burrë i imët dhe i thjeshtë përtej të zakonshmes, që punoi e krijoi pa zhurmë e bujë për treçerek shekulli, që nuk kërkoi asnjë shpërblesë dhe asnjë ofiq, por i vlerësuar skajërisht nga njerëzit e kulturuar që e njohën dhe i qëndruan afër për vite të tëra? U lind në Velçan të Mokrës më 5 maj 1913, u shkollua në Pogradec në zanafillën e shkollës shqipe të fillimshekullit zhurmëmadh kur u bë historia e Shqipërisë dhe mbaroi shkollën teknike amerikane të Tiranës. Nga viti 1937 deri më 1975 punoi në sektorin e pyjeve dhe shkeli pëllëmbë për pëllëmbë tërë territorin e vendit në dy regjime politike skajërisht të kundërta prerë në mes nga lufta botërore.
Tri qenë dashuritë e mëdha të këtij njeriu të jashtëzakonshëm: “ Gruaja e tij katolike Agina, pyjet e vendit dhe hulumtimi kulturor ”.
Kur dashuroi shkodranen e bukur i pati të gjithë kundër; mentalitetin fetar të kohës, që në Velçanin e tij e shikonin si sakrilegj të madh dhe tërë botën kuranike që nuk lejonte martesat ndërfetare. Me besnikërinë e fjalës së dhënë dhe atë dellin e vendit të tij, që kurrë nuk e lënë punën përgjysmë, me vështirësi të stërgjata u paraqit në oborrin mbretëror të Zogut. Ministrit të oborrit që e priti me bezdisje këtë djalë të patakequr, që nuk ta mbushte syrin, po këmbëngulës dhe të mençur, i tha se kërkonte lejë nga Naltmadhnia të martohej me Aginën, vajzën katolike. Ky desh ta përcillte lehtë po Irfani ia ktheu:
- Lartmadhnia e tij “Zogu I” u martua me princeshën Geraldinë që është katolike dhe madje jo shqiptare, ndërsa unë dua të lidh jetën me katoliken e vendit tim. Ministri u tërhoq nga këmbëngulja e djaloshit dhe u detyrua t i bënte me dije mbretit kërkesën e tij. Zogu jo vetëm e priti dhe i dha lejen, por nxori një dekret të asaj kohe që lejonte martesat ndërfetare. Kështu e mori mokrari katoliken e bukur shkodrane, me të cilën kaloi një jetë. Gjatë luftës doli malit si shumë të tjerë se nuk duronte pushtimin e huaj. Sado e çuditshme duket atë e çoi në luftë Gjergj Fishta me atë vargun e famshëm, “Uh! Europë ti kurva e motit ”. Sipas shkrimit të mikut të tij, profesorit të nderuar Nikolin Paloka, Irfani qe apasionuar pas Fishtës qysh në bankat e shkollës teknike të Tiranës së bashku me miqtë e tij kosovarë, Qazim Prishtina, Sadik Stavaleci dhe Ramadan Çitaku. Më pas duke jetuar dhe punuar në Shkodër për vite të tëra kur Gjergj Fishta ishte ende gjallë, ai u bë fishtian në tërë kuptimin e këtij termi, aq sa tërhoqi vëmendjen e tij në vitet e fundit të jetës. Irfani e kujton me krenari takimin me poetin e madh, idhullin e tij. “Një ditë të paharruar të dhjetorit 1937 trokiti. E hapa dhe në kuadratin e saj u përshfaq Gjergj Fishta, që unë e adhuroja qysh në vitet shkollës teknike, kur së bashku me shokët e mi recitonim vargjet magjepsëse të papërsëritshme “Uh! Europë ti kuva e motit” nga broshura e vocërr “Tek ura e Rrzhanicës”, që qarkullonte dorë më dorë, si relikte e rrallë. Sa u befasova aq edhe u lumturova nga kjo vizitë e papritur, por e këndshme. Ai ma kapi dorën e druajtur dhe u ul në një karrige pranë tavolinës ku unë kisha vënë stivë librat e mi. Në krye të stivës kapardisej
“Lahuta”, hapur te kënga e Ded Gjo Lulit. Patër Gjergji e dinte se isha jugor, po nuk më pyeti për gjëra të zakonta. Duke vështruar “Lahutën”, i pezmatuar më tha:
- Bejta po na i thojnë q asaj “Lahute ” që ti e paske kaq për zëmër.
Mora kurajë, recitova gjer në fund “Lahutën” dhe shtova:
- Cukali e Taraboshi mund të sheshohen një ditë, po këto vargje populli do t i këndojë brez pas brezi sa të ekzistojë jeta.
Padër Gjergji m u përgjigj i pezmatuar:
- Evropa nuk ka me ma fal kurrë këtë ofezë të randë bash pse asht botue në një libër që do të këndohet brez pas brezi dhe jo në faqe gazetash. ”
Vitet që erdhën më pas vërtetuan katërcipërisht profecinë e tij.
Konti Çiano shkruan në kujtimet e tij se Kleri katolik shqiptar, duke patur parasysh më së pari Fishtën, e kundërshtoi dorëzimin e kurorës së Skënderbeut Viktor Emanuelit të tretë, duke e konsideruar atë përulje dhe turp kombëtar. Prej ku fillon përndjekja e përçudnuar e burrit të madh të kombit pikërisht nga bashkëkombasit e tij të diktuara nga nj ajo “Kurva plakë”.
Sërbët e Jugosllavisë së pas luftës botërore, më së pari kërkuan të zhbëhej Gjergj Fishta dhe vepra e tij. Për pesëdhjetë vjet u mbulua nga pluhuri i harresës kryevepra letrare e shqipes dhe si të mos mjaftonte kjo, u zhdukën kockat e Fishtës me akuzën e çuditshme proitalian e profashist, bash të kundërtën e asaj për të cilën ai predikoi dhe luftoi gjer në fund të jetës së tij.
Po Gjergj Fishta nuk u harrua se jetoi në një shtrat njerëzor me tharm të pavdekshëm e të paasimilueshme nga koha dhe harrimi siç qe shpirti i Irfan Çelës dhe mijëra sivëllezërve të tij, që me xhelozi e ruajtën kujtimin e burrit të madh nëpër kohën e ujëshme. Mokrari i ditur e përcolli nëpër vite mesazhin e Fishtës, e propagandoi ku mundi e si mundi, duke habitur shtetarët e kohës deri te Hysni Kapo, që kuptonin të habitur se klerikët e veriut, burgosur e vrarë me tepri qenë patriotë që u vetësakrifikuan për vatan.
Me jetën dhe veprën e tij shumëplanëshe Irfan Çela mbetet figurë e nderuar e kombit shqiptar, po veçan vendlindjes së tij Mokrës, që kreu më së miri detyrën e vet atdhetare. Mbetet që Shqipëria dhe Mokra t i kthejnë borxhin dhe ta vënë atë në piedestalin e munguar që e meriton prej shumë kohe.
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›