E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prof. Mantho Nakuçi, shkencëtari që i dha vendit metoda moderne mjekimi

Autori i Lajmit: red.
In-Memorium

Një fjalë e urtë thotë se vlerësimi më objektiv i një personaliteti, bëhet jashtë kufijve të vendit ku jeton dhe punon. Dhe për vlerësimin e prof. Mantho Nakuçit si mjek shkencëtar dhe dermatolog do ta nisim me vlerësimet që profesorë të huaj kanë bërë për të: Prof M. Trashlieva nga Bullgaria ka shkruar për nder të përvjetorit të 70-të tij: “Ne (Unë dhe kolegët e mi nga dega veriperëndimore e shoqatës bullgare të dermatologëve dhe nga klinika e dermatovenereologjisë në Pleven) ju urojmë për përvjetorin tuaj... Me entuziazmin tuaj, ambicien dhe organizimin e aktiviteteve ju keni kontribuar shumë në zhvillimin e dermatologjisë dhe venereologjisë shqiptare dhe në betejën kundër leprës. Ju jeni një shembull i shkëlqyer, një personalitet i vërtetë me një kualifikim profesional të padiskutueshëm. Ju na mësoni se si duhet të mbrojmë të drejtat tona dhe interesat e të sëmurëve, se si duhet të luftojmë për përmirësimin e vetes dhe profesionit.”
Në vitin 1993, Prof John Hatziz nga Universiteti i Janinës shkruan: “Leksioni juaj i shkëlqyer rreth leprës në Shqipëri si dhe videofilmi që u prezantua rreth leprës ishin shumë impresionuese, na dha një shembull të një niveli të lartë të punës, si edhe ishin një tregues i humanizmin tuaj.” Dhe më vonë në 2002 ai shprehet se Mantho është “një person akademik i vërtetë në vendin tuaj, por gjithashtu edhe një ambasador i Universitetit të Tiranës dhe përgjithësisht i Shqipërisë jashtë saj. Kur shoh ose mendoj për Manthon tre dimensione nuk i mjaftojnë. Ai është në të vërtetë një njeri multidimensional në një shkallë shumë të lartë. Ai është doktor dhe dermatolog, pedagog dhe shkencëtar, humanist dhe filozof, epidemiolog dhe leprolog, autor i shumë librave dhe filmave shkencorë, mik dhe gjysh gjithashtu”. Dhe më tej: ”Është një nder i madh për mua që Mantho Nakuçi është një nga shokët e mi më të mirë dhe të ngushtë”.
Në vitin 1991, mjeku dermatolog amerikan, Kristofor Fojt, i cili vizitonte Shqipërinë shprehet: “Shqipëria është me fat që ka një dermatolog si Mantho Nakuçi”.
Prof. Kleine Natrop nga Gjermania (1981) në vlerësimin e Atlasit të Sëmundjeve të Lëkurës të botur prej Prof Mantho Nakuçit, midis të tjerave shkruan: “Për më tepër, dua t ju uroj për veprën madhore, praktike dhe shkencore. Për mua është një gëzim i madh që nëpërmjet marrjes së këtij libri të bukur të marr njëkohësisht njoftime mbi veprimtarinë tuaj plot aktivitet”.
Prof. Agostino Crosti nga Milano (1980) “ Dua t ju falënderoj shumë për Atlasin me fotografi që më keni dërguar. Pasuria e rasteve të ilustruara dokumenton shumë mirë pasurinë dhe variantet e sëmundjeve që keni pasur rastin të kuroni në klinikën tuaj, tregon interesimin që keni pasur për të zgjedhur e riprodhuar sëmundjet dhe variantet e tyre. Disa fotografi janë me të vërtetë ekzemplarë.”
Prof. Johan Ëallin (1981) nga Suedia: “Jam shumë i gëzuar dhe i befasuar për librin tuaj interesant dhe impresionues. Ilustrimet janë shumë të mira. Fatkeqësisht nuk e kuptoj gjuhën tuaj, por besoj se edhe teksti është po aq cilësor sa edhe fotografitë.”
Prof. R. Degos nga Franca (1981) “Unë po e vë nga ana Juaj, këtë vepër në Muzeun e Spitalit të Shën Luigjit, ku do të mund të konsultohet nga një numër i madh dermatologësh francezë dhe të huaj që vizitojnë këtë tempull të dermatologjisë franceze”.
Prof. Michel Lechat (2002) në International Jounal of Leprosy, kur flet për Aktivitetin shkencor të mbajtur në Tiranë më 8 shkurt 2002 shkruan për prof. Mantho Nakuçin “ ...cili i ka kushtuar jetën luftës kundër leprës”. Në referimin e tij shkruan : “Shqipëria është një nga ato vende ku studimi i arkivave të leprës mund të sjellë përfundime të rëndësishme”.
Në vitin 2008 profesor Kurban nga Bostoni shkruan për botimin e ri të Atlasit të Dermatologjisë: “ Ai përfshin një gamë të gjerë sëmundjesh dhe fotografitë janë të një cilësie të lartë. Është një ndihmë shumë e madh për studentët dhe mjekët”.
Por nuk kanë munguar edhe vlerësimet nga profesorët shqiptarë: Prof. Hektor Peçi ndër të tjera thotë: “Profesor Mantho Nakuçi si specialist i talentuar, i pa lodhur dhe vetëmohues në punën e tij, mori iniciativën dhe ia doli mbanë luftës kundër leprës në Shqipëri. “ Kurse Prof. Arqile Teta Shkruan: “Mantho ka bërë kaq shumë, sa për disa jetë. Ai i ka dhënë popullit dhe atdheut të vet vepra me emër, duke i lënë familjes trashëgimi intelektuale të një kalibri të pazakontë dhe ka shtjelluar horizonte të reja për brezat që vijnë”. Prof. Bedri Dedja: “Mantho Nakuçi në këndvështrimin tim si psikolog është një monument psikologjik, një personalitet i papërsëritshëm, tejet i papërsëritshëm. Ka një mimikë ekspresive që rrezaton një botë emocionale tepër optimiste, gaz, dashuri, humor, besim, ndjellamirësi”. Prof Namik Shehu: “ Këtë figurë të shquar të Mjekësisë Shqiptare dua ta konsideroj dhe ta quaj me plot gojën “Babain” e dermatologjisë moderne shqiptare”. Prof Simë Dobreci nga Prishtina midis të tjerave i shkruan Profesor Manthos në vitin 2002: “Unë krenohem me Ju, me punën e çmueshme që i jep krah përparimit të dermatologjisë shqiptare”. Profesor Thoma Kristo: “Ky atlas është një enciklopedi e vërtetë në shkencat mjekësore”.
E mbyllim këtë shkrim me vlerësimin që i bën një zonjë italiane e burgosur nga regjimi komunist Prof. Mantho Nakuçit jo vetën si mjek por si njeri human. Ajo shkruan: “ Mantho Nakuçi ishte dhe mbetet për mua një figurë me vlerë si njeri në radhë të parë e pastaj si mjek. Mbas shumë vitesh do të desha ta falënderoja me shkrim për sjelljen e tij më shumë se kurajoze një ditë para se të na arrestonin. Ndenji atë natë me ne i shkujdesur, pa menduar as edhe një çast që në këtë mënyrë mund të rrezikonte karrierën e tij si mjek. Kishte kuruar prej kohësh vajzën time nga dermatiti dhe me gruan e tij do të bëheshim mike shumë të mira. Ishte fjalëpake dhe unë çmoj të gjitha vlerat e saj. Do të desha ta falënderoj me gjithë zemër doktorin për kujdesin që na ka dhuruar në të shkuarën. Faleminderit. Nuk është kurrë vonë të shprehet mirënjohja.
Maria Loruso.
E gjithë jeta e Prof. Nakuçit çoi në vend një ëndërr apo parandjenjë fëminore, ndërsa kur ishte vetëm 10 vjeç dhe qëndronte nën një pemë duke soditur qiellin, i shkrepëtin në kokë: “Unë do të bëj patjetër diçka të rëndësishme kur të rritem, diçka që nuk ka ndodhur më parë, që do të mbahet mend për Shqipërinë.”
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›